E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia dhe vendimet e gjykatës që dënuan Hysen Shoshorin

Nga Lorenc Vangjeli, MAPO

Ishte vetëm 41 vjeç dhe ishte munduar të shpërndante mbi 41 mijë trakte kundër regjimit komunist. Saktësisht, 41,000 të tilla deri në momentin që u arrestua. Historia e pabesueshme e Hysen Shoshorit, antikomunistit të vetmuar, që u dënua me vdekje dhe më pas iu fal jeta për ta shtyrë atë në ferrin e burgjeve komuniste, vjen e ndërtuar nga materiale autentike të kohës. Dy vendime të gjykatave komuniste të kohës, asaj të rrethit të Tiranës dhe më pas edhe Plenumit të Gjykatës së Lartë që e dënoi me 25 vjet burg, japin një pamje të zymtë çfarë ndodhi me një njeri që kundërshtonte komunizmin dhe mbi të gjitha arrinte deri aty, sa të bënte thirrje për eliminimin e drejtuesve më të lartë komunistë të kohës, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.

Vite më pas vetë Shoshori ka akuzuar se një nga dëshmitarët e shumtë që kanë hapur varrin e tij “legal” ka qenë edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, atëherë gjithashtu anëtar i Partisë së Punës. Vetë Berisha e ka mohuar një gjë të tillë, madje ai ka vënë në dyshim deri dhe ekzistencën fizike të akuzatorit.

Revista “MAPO” ofron detaje rrëqethëse nga dy proceset e shkurt-marsit të vitit 1975, plot 34 vjet më parë.

Vendimi i gjykatës së Tiranës

Është tetë faqe. I shkruar me makinë shkrimi dhe i firmosur nga kryetari i trupit gjykues dhe dy ndihmësit e tij. I firmosur dhe nga prokuroria e çështjes dhe sekretari i gjykatës. Të pandehurit janë dy, Hysen Shoshori dhe Ramiz Vladi, i pari i datëlindjes 15 maj 1934, lindur në Prezë dhe banues në Tiranë, punëtor në uzinën e artilerisë. I martuar me dy fëmijë. I arrestuar më 29 gusht 1974. Bashkëvuajtësit e Shoshorit saktësojnë se ai është arrestuar në krah të ambulancës së madhe në Tiranë, me nëntë trakte në xhep, aty ku ka qenë dikur Muzeu i Luftës që u prish për t’i lënë vendin kullave nëntëkatëshe. Është arrestuar në flagrancë duke ngjitur traktet e tij në një shtyllë. E survejonin prej ditësh me radhë. Bashkë me të në proces dhe viktima tjetër, Vladi, bashkëmoshatar me të, gjithashtu punëtor në uzinën e artilerisë. Është arrestuar një ditë më pas. Shoshori akuzohej për vepra terroriste, agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe për të mos e mbyllur këtu, i ishte veshur dhe akuza për vjedhje të pasurisë socialiste. Vladi akuzohej për moskallëzim të krimit. Prokurorja e çështjes kërkoi shpalljen fajtor të Shoshorit për të gjitha veprat penale, për të cilat akuzohej dhe dënimin e tij me vdekje, kurse për Vladin pesë vjet burg.

Vërejtjet e gjykatës

“Gjatë gjykimit u provua se i pandehuri Shoshori ka kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës…. Veprimtarinë e tij armiqësore e ka filluar që nga viti 1967 dhe e ka vazhduar deri në gusht të vitit 1974, kur u kap duke shpërndarë fletushka me përmbajtje armiqësore kundër Partisë së Punës, pushtetit popullor dhe udhëheqësve të shtetit”, - shkruhet në vendim. Sipas tij, u provua se Shoshori ka ndarë mllefin e tij kundër pushtetit popullor me Vladin, të cilit i ka thënë: “Populli po vuan, nuk ka liri, ka diktaturë.” Ai i ka lavdëruar sistemin kapitalist dhe revizionist dhe i ka thënë se, sipas mendimit të tij, duhej ndërhyrja e sovjetikëve për të shpëtuar popullin shqiptar”.

Vendimi saktëson se gjykata ka mundur të mbledhë gjithsej 227 trakte, të cilat: “kanë përmbajtje nga më të poshtrat dhe shpifje nga më të poshtrat. Kërkohej hapja e kufirit e bëhej thirrje për t’u ngritur kundër pushtetit”.

Vetë Shoshori e pranon një gjë të tillë. Sipas tij, ai donte që “populli të bëhej sa më i pakënaqur nga partia dhe të ngrihej për të shpëtuar nga kthetrat e diktatorëve”.

Në të njëjtin konkluzion kishte mbërritur dhe ekspertiza grafike e datës 15 nëntor 1974, që u kishte bërë trakteve; ato rezultonin se ishin shkruar me dorën e Shoshorit. Por deri këtu ishte “konsumuar” krimi i agjitacionit. Më e keqja vinte se Shoshorit 41-vjeçar i ishte vënë tyta e akuzës në ballë: Akuza për kryerjen e akteve terroriste.

“Në fletushkat e ndara më 22 janar 1968, ka shtyrë persona të tjerë për të kryer vepra terroriste kundër udhëheqësve të partisë dhe pushtetit duke shprehur se “… Ai njeri që ka një armë dhe nuk shtie në udhëheqësit kryesorë dhe levave të këshillave në lagje, është i lig, frikacak, është servil”.

Megjithatë, me një argumentim krejt të pamendueshëm për kohën, gjykata e interpreton ligjin në një mënyrë që edhe sot tingëllon mjaft e fortë.

“Kjo akuzë (e prokurorit), nuk bazohet në ligj”, vëren gjykata fillimisht. Sepse, sipas saj: “për të pasur nxitje për të gjitha krimet… duhet që nxitësi ta drejtojë veprimtarinë e tij, jo në mënyrë abstrakte kundrejt personave të panjohur, por drejt një subjekti konkret, me qëllim që të krijojë te ky determinimin, vendosmërinë e nevojshme për të kryer një krim të caktuar. Duhet që nxitësi jo vetëm të dëshirojë kryerjen e një krimi, por është e nevojshme që me veprimet e tij të bëjë që kjo dëshirë e tij të përqafohet nga një person konkret”.

Gjykata citon nenin 12 të Kodit Penal, që kërkonte ekzistencën e marrëveshjes mes bashkëpunëtorëve, kur gjithashtu është e nevojshme të krijohet kontakt mesh bashkëpunëtorit dhe nxitësit në krim.

“I pandehuri Hysen Shoshori duke mos iu drejtuar personave konkretë nuk ka bërë nxitje, por vetëm ka bërë thirrje për kryerjen e veprave kundër shtetit nga ana e personave të panjohur… Në esencë kjo nuk është gjë tjetër veçse shfaqje mendimi për kryerjen e krimeve të tilla”.

Duket se të paktën ishte vendosur t’i kursehej jeta, por hetuesia kishte një tjetër “As” të pistë nën mëngë dhe kjo ishte vjedhja e supozuar. Pra, viktima nuk do të dënohej për terrorizëm, çka do të bënte shumë bujë, por për vjedhje për të demonizuar në mënyrë ordinere “armikun e betuar”.

Akuza mbi akuzë

Ishte normale që në atë kohë për armiq të llojit të Shoshorit, hetuesi ta shoqëronte akuzën politike dhe me ato të kryerjes së krimeve ordinere. Ashtu siç ndodhte rëndom dhe e kundërta; vjedhës përsëritës në një moment të caktuar konsideroheshin dhe si kontingjent politik. Shoshori nuk i shpëtoi kësaj “ligjësie” dhe ai u akuzua për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në masën 7078.40 lekë. Hetuesit kishin llogaritur deri në qindarka gjithçka dhe i atribuonin të pandehurit deri dhe vjedhjen e 250 gramëve semenca apo vjedhjen e 200 gramëve fletë bakri apo edhe 0.15 metra katrorë meshin. Katër dëshmitarë, Shuaip V., Perlat K., Ismet D., dhe Isak GJ., deklaruan se vjedhjet ishin kryer. Për Vladin nuk kishte shumë histori; ai e dinte që Shoshori ishte armik, por nuk e kishte denoncuar. E dënojnë me dy vjet burg. Vetë i pandehuri kryesor ishte në prag të vdekjes: Gjykata vëren se “… me veprimtarinë e tij shumë të theksuar kriminale prej një armiku të tërbuar kundër popullit shqiptar dhe socializmit, e ka vënë veten e tij jashtë shoqërisë dhe çmohet se një dënim i zakonshëm nuk mund të ndikojë në edukimin e tij”.

Ndaj për këto arsye vendoset: “Ta deklarojë fajtor për krimin e agjitacion- propagandës … dhe e dënon me dhjetë vjet heqje lirie. Ta deklarojë fajtor për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste… dhe ta dënojë me vdekje me pushkatim. Ta deklarojë të pafajshëm për krimin e veprës terroriste”.

Kundër këtij vendimi kishte vetëm një ankim prej pesë ditësh. Nga ky moment Shoshori dërgohet në qelitë e burgut të vjetër, që sot njihet me emrin burgu 313 dhe pret marrjen parasysh apo jo të kërkesës së tij për falje. Pesë ditë, në të cilat ai u mbajt i izoluar me kaskë në kokë për të shmangur vetëvrasjen: edhe vdekjen duhet ta jepte skuadra e pushkatimit.

Plenumi i Gjykatës së Lartë

Shoshori ankohet dhe pothuaj një muaj më vonë, në 13 mars 1975, nis procesi i dytë ndaj tij. Ishte ankuar dhe prokurori i çështjes, i cili këmbëngulte se Shoshori duhej të dënohej me vdekje për krimin e terrorizmit dhe jo akteve të vjedhjes. Aranit Çela, atëherë kryetar i Gjykatës së Lartë, nis procesin dhe në fund të ditës jepet dhe vendimi.

Në vërejtjet e Plenumit shënohej fakti se në vitin 1967, Shoshorit i ishte marrë një kopsht që përbënte sipërfaqe të tepërt të shtëpisë, çka e bëri atë të pakënaqur nga pushteti komunist dhe e futi në rrugën e armiqësisë me të. Ribëhet rishtas një rezyme e veprimtarisë së tij, pranohet si i drejtë vendimi i gjykatës së Tiranës për veprimtari terroriste të Shoshorit - me një interpretim rishtas të pabesueshëm për kohën të ligjit - dhe shkohet madje dhe më tej. Plenumi vëren se: “…Krimi i përvetësimit të pasurisë socialiste është vepër me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, por pasojat e rrjedhura prej tij nuk janë të asaj shkalle që për të pandehurin të zbatohet dënimi me vdekje”.

Dhe më pas, me 19 firma, gjykatësit vendosin lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së Tiranës, ndërsa për “vjedhjen” Shoshori i shpëtonte plumbit dhe do të dënohej me 15 vjet burg. Gjithsej… “duke bërë bashkimin e dënimeve, i gjykuari Hysen Shoshori të dënohet me 25 vjet heqje të lirisë”, - firmosi Aranit Çela.

Këtu mbaroi llogaria e Shoshorit me gjykatësit dhe për të nisi kalvari i vuajtjeve në Spaç, Burrel e Sarandë, prej nga ishte nga të fundit të burgosur politikë të liruar në marsin e vitit 1991. Një njeri që sot është 75 vjeç dhe sipas një njoftimi të Ministrisë së Drejtësisë, do të marrë tetë milionë lekë dëmshpërblim për vitet e burgut. Një jetë e këputur, që shtatë vjet më pas, numëronte me gojën e tij si një nga dëshmitarët kundër tij edhe vetë kryeministrin e sotëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›