Karnavale në borë, kostumet pushtojnë qytetin e Shkodrës
SHKODER – Me maska në mes të borës për të festuar “Karnavale 2009”. Në temperatura të ulëta, asnjë shkodran nuk i ka rezistuar tundimit për të dalë në rrugët kryesore të qytetit, në paradën e përvitshme që ka rikthyer traditën dyshekullore. E nisur që në vitin 1861, tani festa e karnavaleve ka krijuar portretin e saj shkodran. Kostume nga më të larmishmit, (të siguruara nga biznesmeni Edmond Angoni), garues me motorë, kalorës të hipur mbi kuaj, rruga e këmbësorëve në Piacë e sapopërfunduar, ishin pjesë e skenës ku u zhvilluan “Karnavalet 2009”. Veç festuesve me kostume, të tjerë persona i kanë shoqëruar ata në rrugët e qytetit. Në këtë atmosferë nuk ka munguar as kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. “Jam shumë e kënaqur që sot jam këtu në këtë atmosferë të mrekullueshme. Rruga e Piacës është kthyer në origjinë. Ka marrë plotësisht pamjen e një rruge të stilit venecian. Kjo atmosferë karnavalesh po na bën të ndihemi sikur jemi në Venecia”, u shpreh ajo. Ndryshe nga vitet e tjera, “Karnavale 2009” janë shoqëruar dhe me një ekspozitë fotografike e organizuar nga Bashkia Shkodër me materialet e nxjerra nga arkivi i fototekës “Marubi”. Gjatë gjithë rrugës “Kol Idromeno”, një rrugë për këmbësorë e sapopërfunduar ishin ekspozuar 16 fotografi, në të cilat pasqyrohen festimet e karnavaleve ndër vite në qytetin e Shkodrës. Megjithëse karnavalet në Shkodër datojnë në vitin 1861, të arkivuara në fototekën “Marubi”, janë që nga viti 1913. Nuk kanë munguar në këtë ekspozitë dhe fotografi të arkitektit të rrugës, të madhit Kol Idromeno. Festa e karnavaleve është organizuar nga shoqata “Iliricym” dhe Bashkia e Shkodrës. Ajo nisi nga oborri i kishës së madhe për të vazhduar në të gjitha rrugët kryesore e më pas në qendër të qytetit. Në këto karnavale dënoheshin veset e shoqërisë, si: korrupsioni, vrasjet, vjedhja, prostitucioni etj. r.d