Diplomat, MASH universiteteve: Bëni ç’të doni
Diplomat e reja të nivelit të parë dhe suplementët shoqërues të Universitetit të Tiranës do të jenë gati brenda dy javësh. “Në përputhje me udhëzimin e ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe me standardet e Bolonjës, Universiteti i Tiranës, senatet akademike dhe studentët do të hartojnë një model të ri diplome”, - tha dje rektori i UT, Dhori Kule.
Sipas tij, modeli i ri diplomave për studimet 3-vjeçare, i kundërshtuar nga krerët e universiteteve dhe studentët, do të ndryshohet, pasi tashmë Ministria e Arsimit dhe Shkencës iu ka dërguar rektorateve një udhëzim të ri për hartimin e këtyre diplomave, duke revokuar kështu udhëzimin nr. 26 të datës 14.07.08. Kjo, sipas Kules, i përgjigjet pretendimeve të ngritura nga vetë studentët për këtë diplomë. Prej afro një muaji studentë nga fakultete të ndryshme në Universitetin e Tiranës kanë protestuar për modelin e diplomës së studimeve të nivelit të parë sipas Bolonjës, duke kundërshtuar një sërë elementësh të pasqyruar në këtë diplomë, që sipas tyre binin ndesh me ligjin për Arsimin e Lartë. Udhëzimi i ri i MASH për përmbajtjen dhe formën e diplomës parashikon që senatet akademike përcaktojnë elementë të tjerë të veçantë që ato i gjykojnë të arsyeshëm, si dhe formulimin grafik të diplomave.
Debati
Debati mbi diplomat ka nisur në dhjetor, kur pas disa muajsh vonese, studentët u pajisën me diplomat e nivelit të parë. Në ndryshim nga vitet e kaluara, diplomat ishin ndryshuar në format A4, pra një fletë e zakonshme. Studentët e gazetarisë nuk pranuan të merrnin diplomën, duke u ankuar në rektoratin e Universitetit të Tiranës e më pas në ministri, që modeloi këtë diplomë. Gjatë një takimi me studentët në fillim të janarit të këtij viti, zëvendësministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj, u shpreh se propozimi ishte i Universitetit të Tiranës dhe se kjo formë e emërtimit të diplomës krijon hapësira më të gjera punësimi për çdo të diplomuar në tregun e punës, në krahasim me modelin e mëparshëm me tituj profesionalë, por që nuk pranohet nga studentët. Ata u kundërpërgjigjën duke thënë se diploma e re ishte joserioze dhe pa elemente sigurie. Më pas studentët e gazetarisë kanë shpërndarë propozimin e bërë nga Senati i Universitetit të Tiranës për formatin e diplomës, duke përgënjeshtruar Ministrinë e Arsimit. Në kundërpërgjigje, MASH deklaroi se kishte miratuar propozimin e Senatit, por, sipas formateve të bëra publike nga studentët, diçka e tillë nuk rezultonte.
Ministria e Arsimit i dha fund dje të gjithë debatit dhe sikleteve të saj duke nxjerrë udhëzimin në fjalë, i cili i jep dorë të lirë universiteteve dhe studentëve për të hartuar formatin e diplomës që ata duan. Udhëzimi është një sinjal i qartë, që do të thotë se në fund të fundit Ministria e Arsimit do të firmosë.