E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të padëshiruar” për Brukselin deri më 28 qershor

Nga Mero Baze

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Oli Rehn, ka këshilluar qeverinë shqiptare të shtyjë për pas zgjedhjeve kërkesën për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian. Komisioneri Rehn i ka bërë këto deklarata në takim me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, ndërkohë që qeveria shqiptare ka njoftuar se në mes të muajit mars do të bëjë zyrtarisht kërkesën. Ky detaj protokollar nuk do të kishte rëndësi, nëse zoti Rehn do të thoshte, fjala vjen, që mos e bëni kërkesën në mes të muajit mars, por në mes të muajit maj ose në mes të muajit qershor. Fakti që komisioneri Rehn e kaloi datën pas zgjedhjeve, ngre pikëpyetje të mëdha për vlerësimin real që Bashkimi Evropian ka për qeverinë e kryeministrit Berisha.

Dyshimet evropiane për qeverinë aktuale nuk lidhen realisht vetëm me cilësinë e zgjedhjeve. Data e paszgjedhjeve është vënë më shumë si kusht politik sesa si kusht kohor.

Problemi kryesor që ka sot Brukseli me qeverinë e kryeministrit Berisha është se kjo është një qeveri e paparashikueshme. Profili i kryeministrit Berisha për ta tashmë është më i paqartë se kurrë. Ata nuk mund ta kuptojnë se si një kryeministër që këmbëngul për një datë të bëhet vend kandidat për BE, të refuzojë këshillat e BE për një ligj antikushtetues. Nëse nuk do të ishte gjetur zgjidhja de jure me Gjykatën Kushtetuese për bllokimin e zbatimit të ligjit, tashmë Bashkimi Evropian do të ishte në gjendje lufte me Shqipërinë, ndoshta më keq se sa është për shembull me Bjellorusinë apo ndonjë vend tjetër të izoluar. Megjithëse kryeministri Berisha qëndron vetë pas gjithë lojës me ligjin dhe antikushtetutshmërinë e tij, për evropianët është e padeshifrueshme kjo mënyrë të menduari. Ata nuk kanë as kohë, as fuqi dhe as ndonjë detyrim t’i bëjnë skaner psikologjik çdo ditë kryeministrit të Shqipërisë për të kuptuar manovrat e tij politike antiperëndimore në Shqipëri nga një anë dhe demagogjinë properëndimore nga ana tjetër.

Problemi i dytë serioz që ka Brukseli me Shqipërinë është situata reale politike këtu. Raportet e dërguara nga qeveria në Bruksel dhe raportet në terren janë krejt të ndryshme. Kështu, disa shqetësime serioze ndërkombëtare që janë ngritur për lirinë e medias në Shqipëri, intimidimin e saj prej qeverisë, konfliktet e kryeministrit Berisha me drejtësinë, përfshirja e të afërmve të tij në afera të rënda korruptive, janë të raportuara krejt ndryshe nga diplomatët perëndimorë në Tiranë dhe krejt ndryshe nga Ministria e Integrimit apo Ministria e Jashtme. Kjo situatë është paradoksale dhe dëshmon thelbin propagandistik të qeverisë dhe jo sensin informues të saj. Nëse një zyrtar i BE lexon dy raporte diametralisht të kundërta për zhvillimet këtu, dhe kur dy burimet janë njëra qeveria shqiptare dhe tjetra raportuesit perëndimorë, atëherë ata kanë në dorë një paralajmërim të fortë për profilin mashtrues të Tiranës zyrtare dhe natyrisht kanë nevojë të presin zgjedhjet për t’u provuar realiteti nga shqiptarët.

Problemi i cilësisë së zgjedhjeve është ndoshta i fundit për ta, por mund të bëhet i pari, nëse zgjedhjet preken sadopak dhe premtimet për infrastrukturën zgjedhore nuk mbahen. Disa diplomatë perëndimorë janë aq të shqetësuar për vonesat në prodhimin e kartave të identitetit, sa çdo ditë numërojnë sa qytetarë kanë marrë karta. Në fakt, deri më sot nuk kanë marrë më shumë se 300 qytetarë karta identiteti. Duhen dhe së paku 3 milionë të tjerë deri në zgjedhje. Shenjat se ky proces do të jetë i suksesshëm nuk janë shumë optimiste. Në këtë kontekst, janë ngritur shumë dyshime për mundësinë e manipulimeve dhe pajisjen selektive me karta. Të gjitha këto dyshime po rrisin vigjilencën për cilësinë e zgjedhjeve dhe po shtyjnë për pas zgjedhjeve gjithë ngjarjet që kanë të bëjnë në raportet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. E njëjta situatë ka ndodhur në vitin 2001 me Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit dhe po ashtu para zgjedhjeve të 2005-ës. Pra, Shqipëria ka fituar për Bashkimin Evropian statusin e një vendi me qeveri të dyshimtë, demokraci të dyshimtë dhe tendencë të dyshimtë të sensit të saj properëndimor. Zgjedhjet janë për ta një test për të verifikuar besueshmërinë ndaj qeverisë dhe plotësimin e standardeve të kërkuara. Kalimi për pas zgjedhjeve i datës kur Shqipëria duhet të kërkojë të bëhet kandidat i BE, është një shenjë e qartë paralajmëruese.

Por, kjo nuk e ndalon Berishën ta bëjë sërish kërkesën në mars. Ai mund ta bëjë, edhe pse nuk është i mirëpritur. Ministri ynë i Jashtëm dita-ditës i ngjan Gromyko-s së dikurshëm të Bashkimit Sovjetik, që edhe pse dëgjon gjëra krejt të kundërta nga ato që dëshiron të dëgjojë, kur shkon në Bruksel, del andej i qeshur dhe i thotë të zezës të bardhë me paturpësinë që ka si dimension natyral të tij. Me këtë stil dhe Berisha mund të urdhërojë Majlinda Bregun ta bëjë kërkesën në mes të marsit, por ai është një zarf pa adresë. Berishës nuk ka kush t’i shkruajë nga Brukseli deri më 28 qershor. Duhet të flasin një herë shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›