E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqetësim pa zgjidhje

Nga Tema

Shqetësimi i zotit (Ylber) Memia për shkrimin e emrave të huaj në gjuhën shqipe (“Si t’i shkruajmë në shqip emrat e huaj”, “TemA”, 18 shkurt) është i drejtë, por ai nuk jep ndonjë zgjidhje që do t’i qëndrojë kohës. Vërtet ne e shkruajmë Krisht atë që bota e shkruan Christ, por bota edhe e lexon atë Krajst dhe jo Krisht. Nga ana tjetër, nëse ne do mundohemi të shqiptarizojmë çdo emër joshqiptar, çfarë do ndodhë me gjithë ata emra fëmijësh të vënë nëpër botë? Do t’i ndryshojmë edhe ata dhe kur këtyre fëmijëve t’u duhet të ballafaqohen me botën, kur mbushin ndonjë aplikim apo dokument tjetër, çfarë do duhet të bëjnë ata? Të shkruajnë emrin e tyre, për shembull, në vend të emrit Hagley do shkruajnë emrin Hegli or Hejgli dhe ai shtet ku ky person po mbush një dokument do kujtojë se ka të bëjë më një person tjetër. Po të shtojmë këtu edhe gjëra të tjera, se ku bie theksi te një emër i huaj dhe ku e vendosin theksin shqiptarët, kur mundohen të thonë një emër të huaj, si për shembull tek emri Dalton theksi bie tek a dhe në shqip me siguri do ta vënë theksin tek o-ja. Apo Hagan në shqip mund të përfundonte Agan. Unë mendoj se me këtë ritëm të globalizimit të çdo gjëje duhen menduar disa rrugë të tjera se si të bëhet e mundur në gjuhën shqipe të shqiptohen emra joshqiptarë, dhe jo të bastardohen emrat në atë mënyrë që, kur të përdoren në vendin e origjinës, pasi janë ndryshuar në version shqip, të konsiderohen fund e krye diçka tjetër. Unë do të sugjeroja që për këtë kategori emrash të përdorej emri siç është origjinal dhe krahas tij të përdorej shqiptimi për ta ndihmuar këdo që nuk mund të dijë se si mund të lexohet ai emër.

Dërguar nga adresa: arturlat@gmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›