E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia vihet në kërkim të administratorit të një pallati pas vdekjes së një punëtori

Administratori i një shoqërie ndërtimi në Durrës, u shpall sot person në kërkim nga policia, pasi konsiderohet përgjegjës për vdekjen në punë e sipër të një 48-vjeçari dy ditë më parë.
Pasi ka filluar procedimi penal në kërkim është shpallur sot 43-vjeçari Kristo Biba, lindur ne Pogradec dhe banues në qytetin e Durrësit.
“Procedimi penal ndaj Bibës ka filluar pasi dy ditë më parë rreth orës 12.30 duke punuar në një pallat në ndërtim në lagjen nr 13 Plazh të kontraktuar nga Shoqëria “Xhesi 05” me administrator Kristo Biba, ka rënë nga një lartësi duke gjetur më pas vdekjen, Ismet Jakupi.
Policia tha se materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Ngjarja
Të enjten në lagjen nr 13 Plazh, në vendin që nga durrsakët njihet si Bunkeri, 48-vjeçari nga ky qytet, Ismet Jakupi, gjendej duke punuar në pallatin në ndërtim e sipër të shoqërisë “Xhesi 05” që administrohet nga Kristo Biba.
Punëtori ka rënë duke pësuar plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit si dhe në kokë.
Ai është dërguar në spitalin rajonal por nuk arriti të jetojë pasi gjendja e tij ishte kritike.
Pas ngjarjes, nisën hetimet dhe policia arriti në përfundimin se në vendngjarje ishin shkelur rregullat e sigurimit teknik të punëtoreve, duke konsideruar se administratori i firmës nuk kishte krijuar masa sigurie të nevojshme për punëtorët e tij.
Për këtë ai u procedua penalisht por kur sot u kërkua që të arrestohej, policia pohoi se nuk arriti ta realizonte këtë, ndaj e shpalli person në kërkim.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›