Dita e thirrjeve meshtarake/Teologu Ratcinger në vitet ‘70-të: Kryqi, themel i meshtarisë
Të dielën e ardhshme do të kremtohet Dita e 49-të botërore e lutjes për thirrjet meshtarake. Benedikti XVI do të shugurojë nëntë diakonë të dioqezës së Romës, gjatë një Meshe solemne, në Sheshin e Shën Pjetrit. Me këtë rast, po ribotojmë disa fragmente të një artikulli, shkruar nga teologu i asokohshëm, Jozef Ratcinger, botuar në gazetën vatikanase ‘L’Osservatore Romano’, më 28 maj 1970.
“Çështja e misionit meshtarak në Kishë është bërë, papritmas, problem tejet i mprehtë. A ekziston ligjërisht meshtaria sakramentore?”. Nis, kështu, me këtë pyetje themelore, një artikull i gjatë i Papës së ardhshëm, botuar në pranverën e vitit 1970 në ‘L’Osservatore Romano’. Profesori i asokohshëm i teologjisë pranë Universitetit të Regensburgut nënvizon, që në fillim, se kriza e sotme duhet kapërcyer, duke dëgjuar me vëmendje mesazhin e zanafillës, për t’u frymëzuar e për t’u udhëhequr përsëri prej tij. Jozef Ratzinger i prin lexuesit në një analizë të apasionuar të Letrave të Shën Palit, për të arritur tek pohimi: “nuk është e vështirë të vërtetohet se vetë Besëlidhja e Re e dëshmon, prej kohe, bashkimin e apostullimit me meshtarinë. Kjo strukturë, shton, paraqitet si realitet i përhershëm në Kishë, e duket që në shkrimet e Lukës. Ja, pra, shkruan teologu gjerman, mund të themi se meshtaria në Kishë nuk është në kundërshtim me dëshminë e Besëlidhjes së Re, por lidhet thellësisht me të”. Në këndvështrimin e historisë së feve, vëren Ratcinger, meshtaria paraqitet si diçka krejtësisht e re, që nuk vjen nga shërbimi priftëror në Tempull, sipas Besëlidhjes së Vjetër, e as nga ideja e “Meshtarisë mbretërore”, e së njëjtës Besëlidhje. Vjen nga lidhja mesianike-apostolike. Është mision, për vijimin e misionit të Krishtit. Askush, shton, nuk e kundërshton faktin se në historinë e Kishës ka pasur shenja errësimi, gjë që nuk e vë në diskutim meshtarinë si e tillë, por ne, njerëzit të cilëve u është transmetuar si detyrë. Në të vërtetë, pyet, a jemi ne të sigurtë se paqartësia ekzistonte vetëm në kohë të tjera? Apor çdo kohë duhet ta pranojë përsëri dhuratën e Zotit? Në pjesën përfundimtare të reflektimti të tij, Papa i ardhshëm pohon se forca pastruese e hulumtimit historik është e rëndësishme, por nuk mjafton, sepse mendimi e ka selinë e vet në jetë, e nga ajo i merr premisat e edhe kufizimet. E shton: “Vetëm në se e pranojmë gjithnjë e përsëri në këtë tërësi, detyrën që na ngarkon Zoti, mendimi ynë mund ta gjejë udhën e drejtë”. Meshtaria e Krishtit, përfundon, përmbushet mbi kryq. Prej këndej, Kryqi mbetet themeli e qendra e vazhdueshme e meshtarisë së krishterë, që mund të përmbushet vetëm duke e dhuruar gjithë vetveten për Zotin e për njerëzit.
Një akt që shpreh dashurinë e Papës për Kishën e Kinës: Letra e Benediktit XVI drejtuar katolikëve kinezë/Një dokument i pritur prej kohe, shenjë e dashurisë dhe e afërsisë së Papës për bashkësinë katolike të pranishme në Kinë: me këtë frymë u publikua, në maj 2007 Letra e Benediktit XVI, drejtuar ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve e besimtarëve laikë të Kishës katolike në Republikën Popullore të Kinës. Dokumenti papnor, në variantin italisht me 54 faqe e 20 kapituj, vijon të jetë orientim për jetën e Kishës dhe veprimtarinë ungjillëzuese në Kinë, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta që i janë drejtuar Selisë së Shenjtë vitet e fundit. Letra trajton çështje thjeshtë fetare: nuk është dokument politik, as aktakuzë kundër autoriteteve qeveritare, ndonëse nuk mund t’i injorojë vështirësitë e njohura që përballon çdo ditë Kisha në Kinë. Këto probleme u analizuan në Vatikan nga një Komision i posaçëm. Pastaj, më 19 e 20 janar 2007, Benedikti XVI organizoi një takim, në përfundim të të cilit u përgatit dokumenti i nënshkruar më 27 maj 2007, të Dielën e Rrëshajëve. Me këtë Letër, Ati i Shenjtë caktoi një Ditë lutjeje për Kishën në Kinë, që kremtohet më 24 maj.
Letra e Papës drejtuar katolikëve kinezë nuk i zhgënjeu shpresat e tyre. Me stil origjinal, të kujton letrat e Besëlidhjes së Re, të shkruara nga Apostujt, për të ngushëlluar e për të orientuar bashkësitë e largëta të besimtarëve të vënë në provë, që ta ndjejnë frymën e përkatësisë në bashkësinë më të gjërë të Kishës universale. Nuk kanë munguar mesazhet e papëve të mëparshëm për Kishën e popullin kinez, as orientimet, dërguar me rrugë të ndryshme ipeshkvijve që i kërkonin, por Letra papnore është dokument i plotë, i qartë, publik, që u tregon të gjithëve me qartësi e qetësi të plotë ç’është e ç’dëshiron të jetë bashkësia e Kishës katolike, që jeton në vendin më të populluar të botës, ku i duhet të përballojë akoma një situatë të vështirë, pasojë e keqkuptimeve dhe e kufizimeve, që e pengojnë të jetojë e të rritet në liri të plotë. Është përgjigje që u jepet pyetjeve të lindura në një situatë vuajtjeje e çorientimi, drejtuar plot besim prej vitesh Romës, Papës, si i vetmi person, i cili mund të përgjigjet me autoritet të vërtetë.
Letra e Benedikti XVI përshkohet nga dy dashuri: për Kinën e për Kishën katolike në natyrën e saj, sipas traditës e doktrinës më të vërtetë. E shkruar me stilin karakteristik të Papës Racinger, Letra është plot dashuri e mirënjohje për dëshminë besnike të shumë katolikëve kinezë e njëkohësisht, e pasur me teologjinë e Kishës, me citime të shumta nga Besëlidhja e Re e nga Koncili II i Vatikanit. Është një dokument thelbësisht fetar e baritor, që nuk merret me probleme politike, as diplomatike. Papa nuk kërkon të ndeshet me askënd. Nuk akuzon asnjeri, brënda as jashtë Kishës; ruan gjithnjë një ton të qetë e plot respekt, edhe kur prek problemet e kufizimeve të lirisë, sjelljet e palejueshme, tensionet e brëndshme të Kishës, që konsiderohet një e vetme e që dëshiron me gjithë zemër bashkimin me Papën e bashkimin e brendshëm, ndonëse në dukje është e ndarë.
Nxitja për bashkim, për pajtim, për falje reciproke, është një nga mesazhet kryesore që përshkon gjithë dokumentin. Shpjegimi i qartë mbi natyrën e veçantë të bashkësisë kishtare e mbi rolin e ipeshkvijve e shtyn Atin e Shenjtë të prekë pikën kritike të emërimit të ipeshkvijve e të veprimtarisë së organizmave shtetërore, që synojnë të zbatojnë në jetën e Kishës në Kinë, parime të papajtueshme me vizionin katolik, siç është ai i pavarësisë, i autonomisë e i vetdrejtimit. E në se autoritetet kineze flasin për ndërhyrje të jashtme në punët e shtetit, Kisha ndjen rrezikun e ndërhyrjes së palejueshme të shtetit në jetën e saj të brëndshme. Prandaj Papa përpiqet të shpjegojë drejt dallimin ndërmjet planit politik e atij fetar, ndërmjet përgjegjësisë së autoriteteve civile e atyre të Kishës dhe deklaron, plot besim, se Kisha është gati të dialogojë për t’i kapërcyer keqkuptimet, edhe në ecurinë për zgjedhjen e ipeshkvijve.
E gjithë letra e shikon në një perspektivë shumë pozitive e plot shpresë rritjen e një Kishe, për të cilën uron të jetë plotësisht kineze e plotësisht katolike, e aftë për t’i transmetuar shoqërisë pasurinë shpirtërore të Ungjillit.
Marrë nga Radio Vatikani