“Marriot International Inc”, interes për investime në Shqipëri në fushën e hoteleri dhe turizëm
Kryeministri Berisha takohet me Arne Sorenson, President i Marriot International Inc
Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Arne Sorenson, President dhe Drejtori Ekzekutiv i një prej firmave më prestigjioze në botë në fushën e hotelerisë dhe resorteve turistike, Marriot International Inc. Sorenson u shpreh se ndihej shumë i lumtur që takohej me Kryeministrin Berisha. Ai theksoi se kishte dëgjuar shumë për Shqipërinë dhe për ndryshimet rrënjësore të saj, si rezultat i reformave të ndërmarra nga qeveria, si dhe për interesin gjithnjë në rritje të investitorëve për projekte të rëndësishme në Shqipëri. Ka ardhur koha, theksoi ai, që edhe Marriot International të vijë e të investojë në Shqipëri.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falënderoi për fjalët e ngrohta dhe konsideratat për Shqipërinë dhe e ftoi atë të vizitojë vendin tonë.
Më tej, Kryeministri Berisha i bëri një ekspoze të zhvillimeve të vrullshme ekonomike e të tjera në vend, duke u ndalur në veçanti në rritjen e madhe të numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë, të cilët vitin e shkuar arritën në mbi 4 milionë.
Kryeministri Berisha e njohu Sorensen me infrastrukturat e rëndësishme që qeveria shqiptare ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe, klimën atraktive për biznes e investime dhe potencialet e rëndësishme që Shqipëria ofron në sektorin e turizmit dhe hotelerisë.
Në këtë kontekst, u vlerësua fakti që agjenci prestigjioze ndërkombëtare e vlerësojnë Shqipërinë si një ndër destinacionet më të pëlqyeshme për turizëm në Evropë.
Sorenson e falënderoi Kryeministrit Berisha për ekspozenë dhe për këtë transformim të jashtëzakonshëm që qeveria shqiptare ka sjellë në ekonominë dhe në klimën e biznesit në vend. Sorenson i shprehu Kryeministrit Berisha interesin e lartë të Marriot International Inc për të ardhur në Shqipëri, si një ndër emrat më prestigjiozë në botë në sektorin e komplekseve të rëndësishme të hotelerisë e resorteve turistike. Shqipëria është një vend me një klimë shumë të favorshme për biznes e investime, me një treg dinamik që ofron potenciale të rëndësishme, me një ekonomi që po rritet me ritme të shpejta dhe Marriot do të jetë së shpejti prezent në Shqipëri, e siguroi Presidenti Sorenson Kryeministrin Berisha.