Poliklinikat, 92% e pacientëve të kënaqur me shërbimin
Studimi i kryer nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor evidenton se 92 për qind e pacientëve janë të kënaqur me shërbimin që marrin në qendrat shëndetësore. Drejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana, tha se ky rezultat është një tregues i mirë i ecurisë së reformës në kujdesin parësor dhe tregon se reforma ka filluar të ecë. Sipas saj, tregues i fortë i kësaj është edhe fakti se në dy vitet e fundit qendrat shëndetësore janë frekuentuar nga 250 mijë vetë më shumë se në vitin 2006.
Studimi
Për kryerjen e këtij studimi, ISKSH-ja mori në pyetje pacientë të ndryshëm, në dalje nga qendrat shëndetësore, ndërsa studimi është shtrirë në disa rrethe të vendit. Rezultatet e këtij studimi u bënë publike dje gjatë një takimi të organizuar nga ISKSH-ja dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Sipas znj. Hana: "ISKSH-ja ka pasur bashkëpunim dhe këmbim eksperiencash me KSHH-në, në kuadër të cilit u organizua ky takim i sotëm, me pjesëmarrjen e aktorëve të tjerë të shoqërisë civile për të treguar që me të vërtetë reformat janë në drejtimin e duhur, apo jo". Drejtorja e ISKSH-së shprehu bindjen se reforma e financimit në shëndetësi është në drejtimin e duhur dhe duhet të vazhdojë në këtë mënyrë.
Pacientët
Drejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana, u bëri thirrje pacientëve që të kenë një vëmendje më të madhe në momentin që marrin shërbimin në qendrat shëndetësore të parësorit dhe spitalor. “Ata duhet të njohin të drejtat e tyre, të dinë që shërbimi shëndetësor është falas dhe paguhet jo tek mjeku, por nëpërmjet sistemit të ngritur dhe do t’u bëja thirrje të jenë më të vëmendshëm ndaj paketave të shërbimit në mënyrë që të dinë se çfarë ata vërtet duhet të marrin tek mjeku”, - u shpreh znj. Hana. Më tej, ajo shtoi se aktualisht ISKSH-ja ka përfunduar një paketë shërbimesh në parësor, ajo vjen mjaft e detajuar dhe pritet që brenda pak ditësh të afishohet në çdo qendër shëndetësore.
Masat
Sipas Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, reformat e ndërmarra nga ky institucion vijnë në kuadër të përmirësimit të shërbimit shëndetësor në parësor. Për herë të parë matet aktiviteti dhe performanca në mjekësi. Kështu, është arritur të matet numri i vizitave të të siguruarve për mjek në ditë në një muaj. Përqindja e pacientëve të regjistruar që janë vizituar për herë të parë brenda vitit nga MPF-ja (-kontakte me mjekun brenda një viti). Gjithashtu, është arritur të matet edhe kostoja mesatare e recetave për diagnozë, për diagnoza të zgjedhura, përqindja e pacientëve kronike të vizituar çdo muaj nga MPF-ja, përqindja e grave shtatzëna që marrin vizitën e parë brenda tremujorit të parë si dhe përqindja e fëmijëve të moshës 0-1 vjeç të vaksinuar me DTP3.
Këndi
Internet falas, në shërbim të rinjve
Mjediseve të Bashkisë së Tiranës i shtohet edhe “Internet Corner”. Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të të rinjve, të cilët do të shfrytëzojnë këto mjedise, 6 kompjutera të pajisur me shërbimin e internetit. Studentet dhe studentët që mësojnë në shkollat e Tiranës do të kenë mundësi të vijnë dhe të përdorin kompjuterët e pajisur me internet, në çdo moment të ditës, pranë Bashkisë së Tiranës.
Laprakë
Linja me dy drejtime, përgjysmohen urbanët
Prej gati një muaji linja e transportit publik në Laprakë, përveç drejtimit Laprakë-Qendër kryen edhe rrugën Laprakë-“Don Bosko”-Qendër. Banorët e kësaj zone thonë se kjo linjë ka qëndrime të gjata në stacion. Sipas tyre, kryerja e kësaj linje me dy drejtime ka sjellë pakësimin e urbanëve dhe ka zgjatur minutazhin e itinerarit të rrugës. E vënë në dijeni për shqetësimin e banorëve, zyra e shtypit pranë bashkisë është shprehur se vendimi është marrë gjatë mbledhjeve të kryetarit të Bashkisë së Tiranës me qytetarë të rrugës “Don Bosko” dhe zonës përreth kësaj rruge si dhe zonës së Spitalit Ushtarak i janë paraqitur kërkesa për kalimin e një linje urbane në këtë rrugë e cila lidh zonën me qendrën e njësisë bashkiake nr. 11 dhe me qendrën e qytetit. “U gjet si zgjidhje me kompozimin e itinerarit të kësaj linje me dy drejtime duke kaluar me itinerar Qendër-“Don Bosko”-Laprakë-Qendër, duke kaluar nga Rruga e Durrësit dhe anasjelltas”, - thonë burime pranë kësaj zyre. Aktualisht, linjat e transportit publik qytetës janë të përcaktuara Qendër-Laprakë-Qendër, pika 2 Qendër-Laprakë-Qendër, me itinerar vajtje dhe në kthim me stacione Qendër-Ministria e Arsimit-gjimnazi “Qemal Stafa”, pallati i sportit-Ferlut-Laprakë.
Rusia
25 bursa për studentët shqiptarë
Qeveria e Rusisë, në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit me qeverinë shqiptare në fushën e arsimit, ofron 20 bursa studimi për në universitetet publike të Federatës Ruse dhe 5 për studime pasuniversitare, për vitin akademik 2009-2010. Ministria e Arsimit të Federatës Ruse njoftoi se pranimi për studime në shkollat e larta të Rusisë është përqendruar në specialitetet e drejtësisë dhe politologjisë. Afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve të kandidatëve në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH është data 30 prill 2009. Ministria shqiptare e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se studentët duhet të paguajnë vetëm shpenzimet e ushqimit, të cilat shkojnë deri në 300 dollarë në muaj. Gjithashtu, të gjithë studentët që do të fillojnë studimet për vitin akademik 2009-2010, duhet të paguajnë siguracionin shëndetësor në shumën deri në 250 dollarë në vit. Për realizimin e programit të studimeve, të gjithë studentët që nuk dinë gjuhën ruse duhet t’i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës, i cili fillon në shtator 2009.