E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranvera - stinë e shqiptarëve



Nga Xhoana M. Perkaj

Kur u çuan në kryengritje, në pranverë të vitit 1911, shqiptarët e Malësisë së Madhe dhe të Dukagjinit dhe kur arritën që në malin Deçiq, mbi qytezën e Tuzit, ta ngrinin flamurin e kombit, për të parën herë pas robërisë 500-vjeçare, a thua kanë mundur të paramendojnë se as 100 vjet të plota më vonë, shqiptarët do të nisen në rrugë të gjatë drejt kthimit për në Evropë. Sepse, më 6 prill 1911, pas gjysmë mileniumi, Evropa ka qenë për shqiptarët vetëm kujtesë e mjegullt. Në një prapambeturi të tmerrshme, ku nga 100 njerëz, 90 kanë qenë analfabetë (madje, mendoj se edhe kjo përqindje zyrtare është e tepruar sepse, realisht ishim 100% analfabetë), shpresat që do të mund të kthehemi kurrë në qytetërimin evropian, pothuaj se nuk kanë ekzistuar. Mirëpo, edhe epokat e zeza marrin fund. Ky është ligji i thjeshtë se si funksionojnë gjërat në natyrë, në kozmos.

Disi në të njëjtën kohë pranverore, në fillim të prillit, 2009, shteti amë i shqiptarëve u bë anëtar i aleancës më të fortë ushtarake dhe politike në historinë e botës. Javën që shkoi, Shqipëria hyri në NATO dhe flamuri i kombit shqiptar u valëvit para Shtabit të NATO-s në Bruksel bashkë me flamujt e 26 shteteve anëtare. Kryeministri i Shqipërisë, Berisha, me ekzaltim të arsyeshëm e përshkroi ceremonialin e ngritjes së flamurit shqiptar si dita më e madhe që nga shpallja e Pavarësisë. Vërtet, a ka mundur shqiptari i cili nën pushtimin osman (dhe pushtime të tjera) luftonte të mbijetonte si qenie biologjike, të ëndërrojë se dikur do të vijë koha kur ai do të jetë zot në shtëpinë e vet. Edhe jo vetëm kaq. A ka mundur të ëndërrojë që nga një qenie e poshtëruar, pa të drejtën e jetës dinjitoze, nën pushtete dhe okupacione monstruoze, do të vijë dita kur punët do të ndryshojnë dhe kur shqiptari për të parën herë, që nga periudha romake, do të gjendet në shoqërinë e të mëdhenjve të kësaj bote.

Pranimi i Shqipërisë në NATO do të duhej të ishte fillimi i kthimit në qytetërimin evropian, kthim në derën, e cila në fillim është dukur e ngushtë, aq e ngushtë saqë mezi është parë drita në tunelin e errët. Sot, 100 vjet pas ngritjes së parë të flamurit në Deçiq, pritet që edhe nga një shtet tjetër shqiptar, Kosova, që në të ardhmen të bëhet anëtar i Aleancës. Inkurajuese tingëllojnë fjalët e Kryeministrit të Kroacisë, Sanader, i cili me rastin e pranimit të këtij shteti bashkë me Shqipërinë në NATO, deklaroi duke folur për gjasat e BeH dhe Kosovës, për anëtarësim se Kroacia e mbështet plotësisht ardhmërinë atlantike të BeH dhe Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, me rastin e pranimit të Shqipërisë dhe Kroacisë deklaroi: “Zgjerimi i NATO-s drejt Ballkanit është fondamental dhe shumë me rëndësi për qëndrueshmërinë e rajonit”. Kjo po përputhet me atë që e tha M. Albright para disa vitesh në Tiranë se SHBA-të i konsiderojnë shqiptarët si partnerë strategjikë në rajon. Ka pasur të drejtë Oswald Spengler kur ka konkluduar se çdo gjë në histori e ka kuptimin e vet të fundit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›