E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliklinikat, tani vetëmenaxhim parave

Qendrat shëndetësore më në fund do të kenë mundësinë që të zgjidhin problemet e mirëmbajtjes së godinave dhe të pajisjeve laboratorike apo të vizitave. Kjo pasi drejtuesit e këtyre qendrave do të mund të vetëmenaxhojnë fondin që krijohet nga të ardhurat dytësore në këto poliklinika. Këto të ardhura përfitohen nga pagesat e pacientëve, që nuk kanë sigurime shëndetësore. Për këtë arsye, pacientë të kësaj kategorie duhet të paguajnë tarifat si për vizitat, ashtu edhe për analizat që do të kryejnë në qendrat shëndetësore. Drejtori i Mjekut në ISKSH, Gazmend Koduzi, shprehet se "drejtuesit e qendrave shëndetësore kanë një mundësi më shumë për të përdorur të ardhurat dytësore nga qytetarët e pasiguruar". Ai sqaron se, pas një vendimi të marrë së fundmi nga qeveria, qendrat shëndetësore do të mund t‘i përdorin këto të ardhura për bashkëfinancimin e kostos së mirëmbajtjes së tyre. Ky vendim përcakton se poliklinikat do t‘i vetëmenaxhojnë të ardhurat dytësore për nevojat e tyre, duke zgjidhur kështu mjaft probleme, me të cilat përballen sot qendrat shëndetësore.

"Deri tani këto të ardhura shkonin 90 për qind në buxhetin e shtetit dhe vetëm 10 për qind i mbeteshin qendrave, ndërsa me vendimin e ri ato përdoren 100 për qind nga qendrat shëndetësore", thekson drejtori i Mjekut në ISKSH, Koduzi.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor është duke punuar për të përgatitur udhëzimin përkatës, për mënyrën e përdorimit të këtyre të ardhurave dytësore. Qëllimi i këtij ndryshimi mësohet se konsiston në faktin që këto të ardhura do të përdoren nga vetë qendrat shëndetësore për të përmirësuar ndjeshëm komoditetin dhe ambientet në të cilat punohet dhe u ofrohet shërbimi popullatës. Në këtë mënyrë mendohet se do të bëhet i mundur përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të ofruara.

"Nëpërmjet përdorimit të të ardhurave dytësore nuk do të shikohen më qendra shëndetësore të palyera, me lagështirë, me tubacione të çara apo pa ujë, sepse i është prishur pompa e ujit. Nuk do të ketë më qendra shëndetësore me pastërti jo të përshtatshme për këto institucione ose ambulanca të prishura në oborret e tyre, që nuk mund të kryejnë misionin për të cilin janë blerë. Nuk do të ketë më njerëz që do të bredhin lart e poshtë nëpër qendra shëndetësore të tjera, sepse aparati që bën analizat e gjakut në qendrën e tyre është i prishur, sepse të gjitha këto shërbime do të mund të mirëmbahen me të ardhurat e krijuara nga shërbimet e ofruara nga QSH", shprehen më tej përfaqësuesit e ISKSH-së. Argumenti që mbështet këto garanci shërbimi në sistemin parësor shëndetësor lidhet me faktin se: "Duke parë mënyrën e përdorimit dhe impaktin që do të kenë në përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve, atëherë vetë drejtuesit e qendrave shëndetësore dhe personeli janë të interesuar për të rritur këto të ardhura. Kjo realizohet duke ulur pagesat informale apo që rëndom quhen "korrupsion në qendrat shëndetësore", si në rastin e vizitave të personave të pasiguruar apo ndonjë analizë që nuk regjistrohet. Kështu do të rriten pagesat formale, sipas rregullave, të cilat shkojnë në arkën e qendrave shëndetësore dhe përdoren prej tyre sipas nevojave të brendshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›