E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon llogaritja e bonuseve të pagës për qendrat shëndetësore

Plot 15 për qind është bonusi në pagë, nga i cili mund të përfitojnë mjekët dhe personeli ndihmës i qendrave shëndetësore. Bonuset për këtë tremujor kanë filluar të llogariten nga punonjësit e DRSKSH-ve në rrethe, sipas informacionit të dërguar nga qendrat shëndetësore pranë tyre. Sapo të mbarojë llogaritja e tyre do të kalojë dhe buxheti përkatës në llogaritë e këtyre qendrave shëndetësore. Një lajm të tillë e konfirmojnë vetë drejtuesit e ISKSH-së, të cilët kanë nisur këtë formë të re të pagesës së mjekëve, sipas performancës që ata kanë në punën e tyre të përditshme me pacientët. Një nga mekanizmat e njohur të ekonomisë për të nxitur njerëzit që të punojnë më shumë dhe më mirë është stimuli financiar, pohojnë drejtuesit e ISKSH-së, të cilët sqarojnë edhe logjikën e këtij ndryshimi. Pra, sa më mirë punohet, aq më shumë arrihen indikatorët dhe aq më shumë lekë do të shkojnë në arkën e poliklinikave. Këto lekë, drejtori i qendrës i përdor për të shpërblyer punonjësit më të mirë, duke u dhënë pagesa të diferencuara me ata që nuk kanë tregues të mirë pune. Me anë të lekëve që marrin nga 10% dhe 5% qendrat shëndetësore janë në gjendje të japin shpërblime për punonjësit, sipas buxhetit të tyre, duke mos u varur më nga ministria apo ISKSH si më parë. Mekanizmi është i thjeshtë. Qendrës shëndetësore i planifikohet që në fillim të vitit një buxhet. Aty përfshihen pagat, kontributet shoqërore, blerja e medikamenteve për shërbimet e kryera që përbëjnë 85% të këtij buxheti. Kjo quhet pagesa fikse. Punonjësit e QSH-së duhet të arrijnë treguesit e përcaktuar për të marrë pagesën, bazuar në aktivitetin që kryejnë (10% të buxhetit) dhe që në varësi të nivelit të arritjes së indikatorit do të marrin shumën e caktuar, që bëhet pjesë e buxhetit të QSH-së. Po kështu ndodh edhe me pagesat për bonus (5% e buxhetit) që është e lidhur me cilësinë e shërbimeve të dhëna. Drejtuesit e ISKSH-së theksojnë se stimuli financiar ka filluar të ndihet, duke përmirësuar aktivitetin e QSH-së nga 9.6 në 11.2 vizita në ditë për mjek në qytet dhe nga 6 në 7 vizita në ditë për mjek në fshat. Këto krahasuar me të dhënat e tremujorit të parë 2007-‘08. Personat e vizituar për herë të parë (si indikator) kanë arritur në 17% në Tiranë për tremujorin e parë të 2008-s krahasuar me 11% që ka qenë në tremujorin e parë të 2007-s.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›