E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politekniku, Qeveria miraton 75 programe të reja studimi

Autori i Lajmit: red.
Në mbledhjen e saj të radhës, Qeveria ka vendosur hapjen e programeve të studimit të ciklit të dytë pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, do të hapen programe të reja studimi të ciklit të dytë në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit për inxhinieri mjedisi, me profile: Trajtim uji; Energjetikë. Në përfundim të këtij programi do të lëshohet diplomë e nivelit të dytë, DND, në inxhinieri, mjedisi, profili trajtim uji; diplomë e nivelit të dytë, DND, në inxhinieri mjedisi, profili energjetikë. Në “Inxhinieri ndërtimi”, profili gjeoteknik, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, DND, në inxhinieri ndërtimi, me profil gjeoteknikë. Programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite. Këto programe studimi të fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009. Kuota e pranimeve në programet e mësipërme të ciklit të dytë, me kohë të plotë, në Universitetin Politeknik të Tiranës, për vitin akademik 2008-2009, të jenë, si më poshtë: Inxhinieri mjedisi 50; Inxhinieri ndërtimi, profili gjeoteknikë 25. Universiteti Politeknik i Tiranës shpërndan kuotat e vëna në dispozicion të tij, në masën jo më pak se 30%, për studentët, që kanë përfunduar të paktën ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë, dhe jo më shumë se 70 %, për ata që i kanë përfunduar këto studime pranë tij. Në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, që plotësojnë kriteret, atëherë Universiteti Politeknik i Tiranës ka të drejtë të plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët, që janë diplomuar në të. Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, të përcaktuara nga njësitë kryesore të Universitetit Politeknik të Tiranës, bëhen publike. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që do të regjistrohen, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, të jetë sipas pikës 6.b.V, të vendimit nr.1337, datë 10.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimit të ciklit të dytë dhe master i nivelit të parë, me kohë të plotë, si dhe për tarifat e shkollimit për këto programe, të miratuara për vitin akademik 2008-2009”. Kandidatët, që u përkasin shtresave sociale, si: të verbër, të shurdhër, invalidë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë apo fëmijë të policëve të rënë ose të plagosur, për shkak të detyrës, të ish-të përndjekurve politikë, që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi, të ciklit të dytë, në institucionet publike të arsimit të lartë, do të paguajnë 50% të tarifës së shkollimit. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Në çdo program studimi, në ciklin e dytë të studimeve, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë dhe nga cikli i dytë, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit, për vitin akademik pasardhës. Kuotat e pranimeve në programet e studimit të ciklit të dytë, sipas pikës 4, të këtij vendimi, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen sipas institucioneve publike të arsimit të lartë dhe programeve të ndryshme të studimit, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2008, miratuar për Universitetin Politeknik të Tiranës. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti Politeknik i Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky lajm është publikuar: 13/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›