E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikim 500 mijë pasurive të paluajtshme

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, shprehu dje vullnetin e dikasterit që drejton për të mbështetur përmirësimin e punës në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipoteka) si dhe shërbimet që ofron për qytetarët kjo Zyrë. Gjatë një aktiviteti të organizuar dje në hotel "Tirana Internacional" nga Forumi për Demokraci dhe Etikë dhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, për rritjen e transparencës në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ministri Alibeaj theksoi se po punohet në tri drejtime kryesore: regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme, proces që është ende në vijim, sigurimin e të dhënave dhe kompjuterizimin e tyre si dhe hartimin e akteve normative për përmirësimin e këtij shërbimi. Duke iu referuar këtyre komponentëve, ministri theksoi se kjo do të sjellë rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe transparencën e kësaj Zyre, të cilën e cilësoi si një bankë të dhënash. Po ashtu, puna në këtë drejtim, tha ministry, do të ketë impakt edhe në goditjen e fenomeneve të korrupsionit. Nga ana tjetër, ambasadori britanik, Fraser Uilson, theksoi rëndësinë e aksesit të informacionit të qytetarëve ndaj kësaj Zyre, që do të çojë në rritjen e transaprencës së saj. Gjatë fjalës së tij, ambasadori Uilson iu referua edhe progress- raportit të vitit 2008 të BE për Shqipërinë në drejtim të punës për regjistrimin e pasurive të paluajshme që nënvizon, ndër të tjera, një strategji për zgjidhjen e problemit për çështjet e pronësisë, amendime ligjore dhe luftë kundër korrupsionit. Ky aktivitet shënon fazën e dytë të një projekti të inicuar nga Forumi për Demokraci dhe Etikë me mbështetjen e ambasadës të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë me qëllim trajnimin e personelit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rrethe për rritjen e transparencës së këtij institucioni. Kompjuterizimi i të dhënave dhe shërbimeve do të mundësojë sigurimin e informacionit në mënyrë të shpejtë dhe efektive për të nxitur sa më shumë aplikimet e qytetarëve në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Një nismë e përbashkët e Ministrisë së Drejtësisë dhe ZRPP synon përmirësimin e rregullave të brendshme në ofrimit e shërbimeve nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Këto rregulla do të konsultohen në një moment të dytë me grupet e interesit, përfshirë këtu avokatët, noterët, gjyqtarët etj, për të qenë sa më afër nevojave të publikut. ”Ndërsa kryeregjistruesi i Republikës së Shqipërisë, Arben Qirjako, shprehu falënderimin për organizatorët e këtij projekti duke deklaruar se ZQRPP është e hapur përkundrejt monitorimit të publikut, në çfarëdo forme që ajo vjen. Ai parashtroi më tej edhe reformat që po implementohen në ZRPP. “Më lejoni t ju bëj me dije se sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme është shumë më kompleks nga sa duket. Është hallka e fundit në një zinxhir të gjatë institucionesh që trajtojnë çështjen e pronave dhe shumë i rëndësishëm për sa i përket funksionimit të tregut të pasurive të paluajtshme. Për këtë fakt ZRPP-ja është më e ekspozuar se të gjitha institucionet e tjera. Ndaj, në kuadër të Projektit për Administrimin dhe Menaxhimin e Tokës, ne po kryejmë regjistrimin fillestar të 500 mijë pasurive të paluajtshme, po i përmirësojmë të dhënat dhe po dixhitalizojmë ato. Ky proces në shumë qytete po ecën me ritëm të shpejtë. Në Durrës dhe Tiranë thuajse ka përfunduar procesi i skanimit të dokumentacionit dhe këto janë qytetet me volumin më të madh të dokumentacionit. Po kompjuterizojmë sistemin, në mënyrë që ky sistem t u përgjigjet kërkesave të kohës. Të jetë, së pari, i sigurt dhe së dyti, fleksibël, pra i shpejtë dhe transparent.” Ky projekt do të finalizohet me një tryezë të madhe që do të organizohet në muajin janar, ku do të prezantohen edhe rezultatet e një sondazhi që është bërë nga FDE për shërbimet që ofron ZRPP.
Ky lajm është publikuar: 13/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›