E Diel, 1 Nëntor 2026

Politekniku, bllokohen fondet, studentët pa praktikë

Universiteti Politeknik ende nuk ka lëvruar fondet për vitin 2008 edhe pse kanë kaluar pesë muaj. Shkak janë bërë zgjedhjet universitare, si dhe Këshilli i Administrimit. Ndaj qindra studentë nuk mund të zhvillojnë orët praktike dhe as aktivitete të tjera. Dekani i Fakultetit të Gjeologji-Minierave, Përparim Hoxha, bëri të ditur për "Shqip", krizën financiare që ka përfshirë këtë fakultet dhe të tjerë të Universitetit Politeknik. "Nuk ka naftë për makineritë dhe mjete pune të domosdoshme për praktikën", tha Hoxha. Sipas tij, puna është bllokuar për shkak të fondeve. Ndërkohë, rektori i Politeknikut, Jorgo Kacani, tha se "sot mblidhet Këshilli i Administrimit që do të miratojë buxhetin e ri të universitetit". I njëjti problem u konstatua pak kohë më parë edhe në Universitetin e Tiranës. Këtë vit, shkollat e larta punojnë në bazë të ligjit të ri të arsimit, i cili parashikonte edhe ngritjen e këshillit të administrimit. Mbledhja e anëtarëve të tij, por edhe diskutimet e shumta për zërat e buxhetit kanë bërë që buxheti të mos lëvrohet në kohë. Në bazë të ligjit, Këshilli i Administrimit i çdo universiteti mbikëqyr e kontrollon veprimtaritë e institucionit të arsimit të lartë, që lidhen me menaxhimin administrativ, financiar, ekonomik dhe të pronave të tij. Ndër funksionet e tij përmendim, miratimin e projektbuxhetit të institucionit me dy të tretat e votave, vlerëson efikasitetin e përdorimit të fondeve nga Buxheti i Shtetit ose burime të tjera të ligjshme dhe publikon rezultatet e vlerësimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›