E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kobalti" i ri kundër kancerit mbërrin në spital, por nuk montohet

Aparatura e re e kobaltit me të cilën trajtohen të sëmurët me tumore ende nuk është vendosur në punë. Edhe pse ka rreth 7 muaj që ka mbërritur në shërbimin e Onkologjikut në spitalin universitar "Nënë Tereza", kjo pajisje nuk është montuar përfundimisht dhe nuk është bërë gati për të nisur punën. Aparatura ka ardhur nga një spital në Kanada, por që ajo të funksionojë duhet të bashkojë të gjithë pjesët. "Aparati i ri i kobaltit nuk është vendosur në punë, sepse mungon një nga pjesët kryesore, po presim që të mbërrijë edhe ajo nga Kanadaja", sqaroi zyrtarisht QSUT-ja. Sipas të dhënave, edhe për mbërritjen e pjesëve më të mëdha të kësaj aparature ka pasur shumë probleme, duke qenë se kjo pajisje ka kaluar nga Greqia, ku një pjesë e madhe e punëtorëve janë në protestë. Kështu që edhe pjesa e munguar e kësaj aparature derisa të mbërrijë në Onkologjik do të bëjë një rrugë të gjatë. Aparatura e vjetër e kobaltit në shërbimin e Onkologjisë prishet në mënyrë të vazhdueshme. Për këtë mbërritja e aparaturës së re solli më shumë shpresë për pacientët. Kobaltin e shfrytëzojnë të gjithë pacientët me tumore. Bashkë me kurën e ilaçeve dhe ekzaminimet e herëpashershme, trajtimi shoqërohet edhe me seanca të kobalto-terapisë. Aparatura lëshon sasi rrezesh me të cilat lokalizohet dhe trajtohet masa tumorale. Me aparaturën e kobaltit mund të trajtohen një shumicë sëmundjesh kanceroze. Të sëmurët e kanë të caktuar me ditë dhe me radhë orarin se kur do të kenë seancat e trajtimit me aparaturën e kobaltit. Në spitalet evropiane këto pajisje janë më të zhvilluara, por në vendet e rajonit jo çdo spital ka kobalt ose rezonancë magnetike. Për këtë, në radhën e pacientëve shqiptarë janë edhe ata nga Kosova, Mali i zi apo Maqedonia.

Sipas drejtorisë së QSUT-së, pajisja e kobaltit të ri do të vendoset në punë shumë shpejt, ndërsa do të bëhet një inventarizim i gjithë atyre pajisjeve që janë të prishura apo kushtojnë shumë për t‘u riparuar. Ndërsa, pacientët do të vazhdojnë të punojnë me aparaturën e vjetër të kobaltit, derisa të mbërrijë pjesa e munguar dhe tekniku, i cili do të bëjë montimin e "zemrës" së kobaltit të ri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›