Kërkesave evropiane, Edvini i përgjigjet me përzgjedhjen e Ruçit, ministrit të Ramiz Alisë

Kryeparlamentarja Topalli kërkon emërimin e kreut të grupit socialist, me të cilin edhe do të bashkëbisedohet për nismat ligjvënëse, por edvinistët kundërpërgjigjen duke përzgjedhur si interlokutor, “xhaketën e vjetër” të Sigurimit, ish-ministrin e Ramiz Alisë, Gramoz Ruçin
Pak ditë pas hyrjes së Partisë Socialiste në parlament, kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli, ka komunikuar zyrtarisht me kreun e opozitës Edi Rama.
Mbledhja e konferencës së kryetarëve ku do të diskutohet për kërkesën e Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet, është bërë shkak që zonja Topalli t’i dërgojë një letër kryesocialistit në detyrë, Edi Rama.
Në këtë letër, kryetarja e kuvendit, informon kreun e socialistëve dhe grupin e deputeteve firmëtarë për ngritjen e komisionit, se Konferenca e Kryetareve të grupeve parlamentare do të mblidhet të martën, brenda afatit që parashikon ligji për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore.
Për shkak të bojkotit gati 6 mujor të parlamentit, socialistet ende nuk kanë caktuar përfaqësuesit e tyre në kryesimin e kuvendit, komisionet apo delegacionet parlamentare dhe as kryetarin e grupit të tyre parlamentar.
Për këtë arsye, në letrën e saj, Jozefina Topalli, duke informuar kreun socialist për mbledhjen e konferencës së kryetarëve të grupeve, i shkruan Edi Ramës se do të dëshironte pjesëmarrjen në mbledhje të kryetarit të grupit parlamentar socialist. Nëse deputetet socialiste nuk përfaqësohen sot në mbledhje me kryetarin e tyre, kjo do të thotë se diskutimi i projektvendimit për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet, siç e ka kërkuar Partia Socialiste do të jetë thjesht një diskutim formal. Për shembull, pika tre e projektvendimit ku kërkohet këqyrja e fletëve të votimit, mund të mos pranohet pa iu nënshtruar fare debatit.
Nga ana tjetër, Konferenca e Kryetareve ka edhe tagrin për të caktuar datën kur projektvendimi shkon për miratim në kuvend dhe nëse nuk ka konsensus, afati maksimal është jo më vonë se dy javë pas diskutimit në Konferencën e Kryetarëve.
Konferenca e Kryetarëve të martën kërkon praninë edhe të kryetarit të grupit parlamentar socialist. Për shkak të mungesës së socialistëve në Kuvend deri javën e shkuar, grupi parlamentar nuk e ka zgjedhur ende kryetarin. E sigurt është se ai do të jetë Gramoz Ruçi, që është edhe kryetar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Po ashtu, mbledhja e grupit e fiksuar zyrtarisht për të mërkurën, do të zgjedhë si nënkryetarin socialist të Kuvendit, funksion për të cilin ekziston një betejë e rëndë brenda ylberistëve të Edvinit.
Në mbledhje deputetët socialistë do të diskutojnë edhe për përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit, ku duhet të caktojnë njerëzit e tyre.
Vlerëson kryeministri Berisha