Edhe në prani të ndërkombëtarëve, Edi Rama rrëzoi i dy opcionet për zgjidhjen e ngërçit politik

Deklaron kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit të PD-së
Kryeministri Sali Berisha bën si përgjegjës direkt, për mos arritjen e një kompromisi mes palëve për zgjidhjen e ngërçit politik, kryesocialistin në detyrë Edvin Rama.
Në këtë drejtim, kreu i qeverisë hedh poshtë akuzat e socialistëve të cilët kanë deklaruar se ka qenë lideri i mazhorancës ai, që ka refuzuar paktin negociues me PS-në, si në tryezën e Topit ashtu edhe në takimin e organizuar nga Komiteti Presidencial i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, shefi i ekzekutivit deklaroi se ka qenë vetë Edi Rama, ai që ka hedhur poshtë dy propozimet që do çonin në një marrëveshje midis palëve. Berisha tha se Rama refuzoi që të ishte Prokuroria e Shtetit që të hetonte zgjedhjet, dhe më pas rrëzoi edhe opsionin e dytë, që t’i drejtohej Komisionit të Venecias për këtë çështje.
“Për dy arsye unë do të bëj disa sqarime. Arsyeja e parë është se këto janë akuza të pabaza dhe arsyeja e dytë është se në konceptin tim qytetarët duhet të dinë se çfarë diskutohet pas dyerve të mbyllura. Dyert e mbyllura janë të nevojshme për bisedime, por edhe transparenca ka domosdoshmërinë e saj meqenëse diskutohej për probleme me interes të madh publik dhe jo për probleme personale. Në takimet me Presidentin e Republikës kam shkuar me vendimin më të prerë për kontribuar në suksesin e tryezës. Thelbi i qëndrimeve që ne kemi mbajtur në atë tryezë ka qenë: ne jemi të gatshëm për çdo koncesion që ka të bëjë me zgjedhjet. Pra, listo çdo gjë përveç problemeve që nuk kanë të bëjnë me ne. Ato probleme nuk i kanë me ne, janë probleme me gjykatat. Nuk e konsideroj se mund të jetë në dorën tonë. Si Komitetit Presidencial, ashtu edhe ndërmjetësit e mëparshëm, të një profili të lartë, u është dukur shumë i arsyeshëm dhe është pranuar nga unë qëndrimi që të gjitha problemet që Edi Rama ka me fakte dhe prova dhe që implikojnë në një mënyrë ose në një tjetër hapjen e kutive, t’ia adresojë Prokurorisë së Shtetit, e cila në Shqipëri nuk është degë e Ekzekutivit. Dhe Prokuroria e Shtetit, ka të gjitha të drejtat ligjore për të ushtruar të gjitha kompetencat, të cilat ajo mendon se i duhen për të kompletuar hetimin. Kjo pranohej nga unë si koncesion, pavarësisht se ka skaduar çdo afat për hetimin ligjor të këtyre zgjedhjeve. Por unë e pranoj plotësisht. Natyrisht, kjo nuk u pranua nga Edi Rama. Ndaj dhe në qoftë se nuk pati marrëveshje, nuk ishte për shkakun tim. Tani duhet të jemi të hapur, në tryezë u shtrua opsioni tjetër, sepse çfarë doli e qartë si kristal, ishte kjo: kërkesa për hapjen e kutive nuk mund të plotësohet pa procedura kushtetuese, në respekt me vendimet e Kushtetutës. Kjo ishte shumë e qartë. Këtë e thotë Zhao Suarez kur thotë ‘në përputhje me vendimet kryesore të Gjykatës Kushtetuese’; këtë e thotë rezoluta e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Evropës, kur i referohet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; këtë e thotë çdo njeri që i beson kushtetutave demokratike dhe shtetit ligjor”, tha Berisha, duke shtuar se veçmas këtij opsioni të hedhur poshtë nga Rama, u iniciua një nismë tjetër, që opozita t’i drejtohej Komisionit të Venecias.
Opcioni i dytë, interpretimi nga Komisioni i Venecias
“Në tryezë u shtrua opsioni tjetër. U bë e qartë se kërkesa për hapjen e kutive nuk mund të plotësohet pa procedura kushtetuese. Kundërshtia ishte se Rama e quan të mirëfilltë interpretimin që i bën vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për hetim të pakushtëzuar.
Edi Rama e quan të mirëfilltë dhe të pakundërshtueshëm interpretimin që ai i bën vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai e lexon vendimin në një mënyrë të atillë që i jep 100 për qind të drejtë të hetojë pa asnjë kufizim. Mu drejtua ç’është e vërteta jo pak, por dy-tri herë. ‘Më gjej t’i ku vendimi citon gjykatën’ dhe u detyrova të marr vendimin, t’i lexoj paragrafin ku thotë: ‘se pakica ka të drejtë të pakufizuar me kushtin që të mos cenojë parimet bazë të Kushtetutës; se ka të drejtë, por të mos ndërhyjë, paragrafi tjetër, në aktivitetin juridiksional të gjykatave’. Gjykatat nuk janë për këngë, gjykatat janë për të dhënë vendime, gjykatat këtë aktivitet kanë. Pasi ia lexova, pati një ndërhyrje për mendimin tim logjike nga ana presidentit të Republikës, i cili i rikujtoi vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe i kujtoi se Gjykata Kushtetuese është garanti i Kushtetutës në Shqipëri. Atëherë u sugjerua dhe unë u shpreha i gatshëm që gjykata, në vullnetin e saj të pavarur, sepse nuk mund t’i imponohet absolutisht, t’i kërkoja një ‘amicus curiae’ Komisionit të Venecias. Por përderisa ekziston një vendim gjykate, nuk mundet qeveria në asnjë lloj rrethane, që të nisë betejën me gjykatën e vet kushtetuese. Qeveria është e detyruar që të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Se po të jetë për kështu, atë zinxhirin që përmend Edi Rama të atyre vendimeve, do t’i kishim çuar të gjithë në instancat ndërkombëtare, por nuk kemi dërguar asnjë, dhe i kemi pranuar.
Kjo nuk u pranua, prandaj dhe po bëj një sqarim për të gjithë shqiptarët, një sqarim për socialistët, se në rast se ata hynë në parlament pa marrëveshje, jo se unë nuk dëshmova një vullnet të plotë për marrëveshjen. E dëshmova edhe e dëshmoj, se pavarësisht se çfarë mund të mendojë ndokush unë jam thellësisht, jashtëzakonisht i interesuar që opozita të jetë në parlament”, vuri në dukje kreu i qeverisë.
Më tej, kreu i ekzekutivit shtoi se të dy nismat ligjore të depozituara nga PS-ja do trajtohen sipas ligjit.
“Siç jeni në dijeni, Partia Socialiste ka sjellë në Parlament dy nisma legjitime parlamentare. Njëra është ligjore dhe tjetra është për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar në përputhje me nenin 77 të Kushtetutës, në përputhje me të drejtën që kanë dhe me ligjin për Komisionet Hetimore Parlamentare. Këto nisma do të trajtohen me seriozitetin më të madh, me angazhimin më të madh, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Mesa di unë, Kryetarja e Parlamentit do të njoftonte udhëheqësin e Partisë Socialiste për këtë”, u shpreh kryeministri.
Berisha apeloi përsëri për kthimin përfundimtar të opozitës në Kuvend dhe në të gjitha komisionet parlamentare.