Dyfishohen eksportet “Made in Albania”
Gjatë janarit dhe shkurtit
Viti 2010-të, ka nisur si më mirë për ekonominë shqiptare, teksa dy muaj e parë kanë treguar një shëndoshje të theksuar, nisur nga dyfishimi i eksporteve shqiptare, drejt tregjeve evropiane.
Kryeministri Berisha informoi dje para deputetëve demokratë, në mbledhjen e grupit kuvendor, se jo vetëm në janar, por edhe gjatë muajit shkurt eksportet “Made in Albania” u dyfishuan krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit të shkuar.
“Eksportet e Shqipërisë, treguesi më i ndjeshëm i shëndetit të ekonomisë shqiptare, për muajin shkurt 2010 duke i krahasuar me muajin shkurt të vitit 2009 kanë një rritje në ton. Nga 83 mijë ton në vitin 2009 në 129 mijë ton në shkurtin e vitit 2010. Rritja në vlerë është shumë më e madhe. Në rast se eksportet e shkurtit të vitit 2009 kanë qenë gjithsej 2.2 miliardë lekë, eksportet e shkurtit të vitit 2010 janë 4.5 miliardë lekë. është një rritje mbi 100 për qind. Këtu bëhet fjalë për mallrat ‘Made in Albania’. Një bilanc qartësisht më pozitiv se sa shkurti i vitit 2009, por për hir të së vërtetës edhe më pozitiv se sa janari i vitit 2009, paraqesin eksporti i mallrave të përpunuara, rieksporti i mallrave të përpunuara apo fason. Këto mallra nga 6.4 tonë që kanë qenë në vitin 2009 arrin në 15 mijë në shkurtin e vitit 2010. Në vlerë nga 5.2 miliardë lekë arrin në 6.7 miliardë lekë. Ky sektor, me një rritje prej 27-28 për qind, është ndoshta një nga sektorët më të rëndësishëm për punësimin e qytetarëve shqiptarë. Jua dhashë këto të dhëna si lajme jashtëzakonisht pozitive për ekonominë dhe trendin e saj”, u shpreh kryeministri.
Berisha tha se këto të dhëna janë një tregues i qartë për ata që u bien kambanave të alarmit për krizë.
“Jua dhashë këto të dhëna me qëllimin më të mirë që ata të cilit flasin për krizë t’i heqin syzet e krizës apo të ndërrojnë lentet dhe të lexojnë realitetin ashtu siç është. Një realitet i tillë është ndër më pozitivët, sepse të arrish të dyfishosh vlerën e eksportit nga viti 2009 në vitin 2010 përbën një arritje shumë të madhe. Të rrisësh rieksportet do të thotë se brendet tona janë jashtëzakonisht të vlerësuara, sepse Evropa ku ne eksportojmë nuk ka dalë tërësisht nga kriza, nuk është se ajo është në kapacitetet e saj maksimale të importeve. Kjo do të thotë se prodhimet tona kapin cilësia të parefuzueshme. Kjo është arsyeja që ka një rritje të mrekullueshme prej 27 – 28 për qind të rieksportove”, deklaroi më tej, kryeministri Berisha.