Politika e Edi Ramës, mes Aldo Bares dhe Besnik Bares
Rrëshqitja e dheut nën këmbën e partisë socialiste pak nga pak po minon themelet e karabinasë politike edviniane. E alarmuar për shkarjet emocionale të kryetarit të PS, Edi Rama, një zelltar i mistifikimit arriti të fshijë gjithçka duke akuzuar kryeministrin Berisha. Si gjithmonë konfirmohet strategjia “mbrojtja më e mirë është sulmi” dhe Partia Socialiste sulmon, por është e ngadaltë në manovrime, dhe të vetmen fantazi politike ka konferencat për llafo-shtyp, një aksiomë e politikës së re edviniane.
Edhe dje nga halli i shkarjeve, në një konferencë të përditshme për shtyp - opozita nxori në pah një tjetër manekin për të cilësuar “rrëshqitjen e dheut në Fier” si vepër të kryeministrit, Sali Berisha. Kësisoj hartimi bajat u lexua nga njeriut më i afërt i Edi Ramës, Besniku Bare. Si krimineli Aldo Bare po ashtu edhe deputeti Besnik Bare kanë një mbiemër që i pëlqen së tepërmi kryetarit të xhon-socialistëve.
Gjithsesi nuk jemi të sigurt nëse Besnik Bare dhe Aldo Bare janë në të njëjtin fis, por që janë në të njëjtin organizëm politik, kjo është e vërtetuar nga përgjimet e anti-drogës italiane. Problemi është se Besnik Bare ka një hall tjetër, është halli që ka kapur klubin sportiv Apollonia (me presidenti Koco Kokëdhimën) më shumë se dheu i qytetit antik. Tellalli në një formë deklarate për shtyp shkrifi dheun, për të dhënë nëntekstin se rrëshqitja nga superliga e futbollit shqiptar e skuadrës së futbollit që kryesohet nga vëllami i Edi Ramës, Koço Kokëdhima, ish-sekretar i Komitetit të rinisë të Fierit. është halli i biznesit të Koços që po rrëshqet si një zllotë nga rrënimi ekonomik, dhe jo dheu i qytetit të lashtë të Apollonisë.
Nuk është hera e parë që Besnik Bare flet pa e ngritur dorën lart. Edhe në mini-KPD e 24 shkurtit, ku u vendos braktisja e bojkotit dhe vetiu hyrja në parlament, pati edhe sherre me batuta dritëdhënëse. Midis sharjeve ishte Ben Blushi që cilësoi gjithçka që flet Bare si “Ulu o Besnik se s’po e lexon mirë atë që të kanë dhënë të shkruar”. Besnik Bare nuk flet pa leje, por me lejen për të goditur me parë nëse është në rregull nga ana logjike ajo që lexon, por si robot lexon input që i ka dhënë shamani informativ Ed SMS. Sidoqoftë Besniku Bare, i cili është rekrutuar herët në aventura qesharake, si në kohët kur u bë kryetar i degës së PS së Tiranës dhe i dukej vetja lider në mungesë, po ashtu si deputet i PS vazhdon sajdisjen me shantazhe dhe frikësime.
Veç të kujtojmë këtu shantazhin e hapur që i bëri Blushit në mini-KPD kur e kërcënoi
se “Po më provokove edhe njëherë, do të më bësh të të them disa gjëra nga jeta jote o Blush, që janë edhe shkaku i kompleksit dhe i dëshpërimit tënd”. Pra, ky është profil i një koordinatori shantazhist që ka përzemër punët e Apollonisë se Koço Kokëdhimës dhe rrugëve të tij në Tiranë sesa rrëshqitjet e dheut në qytetin antik.
...