Transparenca e E.K.Ramës është për t’u qarë me llahinga
Duke përdorur fjalë kumbuese, për efekt, EdRama po bëhet përherë e më i pabesueshëm. Flet në emër të “popullit të majtë” dhe i mungon tejpamësia që të kuptojë se përdor një dyfjalësh pa kuptim. Megalomania e shtyn të flasë edhe në emër të “popullit të djathtë”. Por askush nuk ia jep të drejtën të flasë në emër të së djathtës (se “populli” është heterogjen), gjë që - sipas tij - ai përfaqëson aspiratat e të gjithë popullit!
Për të bërë zap Lëvizjen për Mendimin Ndryshe, përdor jo vetëm fjalën transparencë, por abuzon edhe me fjalën demokraci. Ai i ka të gjitha tiparet e një diktatori, paçka se e quan vetën demokrat të madh. Doli humbës në zgjedhjet, dhe tha se ishte fitimtar. Vetëm e vetëm që të shkelte statusin e partisë së tij, dhe pikërisht nenin 28 të këtij statuti, sipas të cilit duhej të jepte dorëheqjen e parevokueshme. I etur për pushtet të pamotivuar, përdori dhunën në përballje me kundërveprimin brenda PS-së, që kërkonte dorëheqjen e tij.
U bënë mbledhje të ashpra brenda selisë rozë, në të cilat populli (në emër të të cilit monotonia e tij u bë e mërzitshme) nuk duhej të merrte vesh asgjë. E kuptonte se do të duhej të lozte me fjalë, të nxirrte nga goja rebuse të pagëlltitshme, që të ruante kryetarllëkun. Dhe mbledhjet duhej të ishin të fshehta. Gazetarët nuk duhej të ishin të pranishëm. Kameramanëve iu thyen mjetet e punës. Dera duhej të ishte hermetikisht e mbyllur. Kjo quhet transparencë? FMN-ja u shtang nga ulërimat e humbësit që duhej të quhej fitimtar!
Pikësynimet e tij si autokrat duhej të ishin të dyfishta. Së pari, të ruante kreun e PS-së arbitrarisht. Së dyti, të përligjte bojkotin rrugor, që të forconte pozitat e rraskapitura, të dërrmuara nga akuzat që i vinin nga brenda partisë së tij, por edhe nga jashtë, se e kishte përçarë PS-në. E kishte çuar në pikë të hallit!
Por edhe Lëvizja për Mendimin Ndryshe nuk lëshonte pé, sido që e druajtur, përballë zhargonit të tij kundërveprues dhe bubullimave të zërit tromaksës, që fliste për liri dhe për demokraci! Nga njëra anë propagandistët e tij hipokritë thoshin se kryetari i tyre ishte demokrat ndaj mendimit ndryshe. Por, nga ana tjetër, kjo demagogji zhbëhej menjëherë nga fjalët që kishte përdorur në forume të mbyllur: - “ Dy herë të kam falur”- i thoshte Blushit. –“Herën e tretë, të pret përjashtimi!”. Ja si ishte katandisur e vërteta nën skeptrin e EdRamës. Cili version duhej besuar: Ai i nxjerrë nga Edvini se përfaqësuesit e mendimit të lirë po kërcënoheshin për përjashtim nga partia, apo varianti se në këto vende të bunkerizuara zotëronte fryma e një demokracie të përkorë dhe cilido e shfaqte lirisht mendimin e tij? Por atëherë duhej përgënjeshtruar B. Blushi, që para gazetarëve kishte thënë se ia mbyllën altoparlantet kur ai mori fjalën? Askush nuk dëgjoi zëdhënëset “transparente” të PS-së, që të përgënjeshtronin frymën antidemokratike që zotëronte në sallën e zymtuar të PS-së.
Por edhe hyrja në parlament, pas debateve në zyrën presidenciale, pati dyzimin e saj. Edhe në këtë rast: së pari, u tregua trimosh dhe ua ngriu gjakun “deputetëve” të pabetuar, me fjalët se mbarimi i afatit gjashtëmujor nuk ishte detyrues për të, që të çonte fituesit e tij të zgjedhjeve në parlament, sepse (...arsyeja e mosarsyes); së dyti e la trimërinë mënjanë dhe i futi kandidatët për të bërë betimin. E kundërshtoi sa mundi faktorin ndërkombëtar, por s’ia doli dot mbanë!
Veçse edhe në sallën e parlamentit e nxori kokën enigma e cila, siç dihet, s’ka të bëjë aspak me transparencën. Qëndrimi i atyre që u bënë si djemtë e mamasë, zgjoi dyshime të forta, se këta vajtën në atë sallë sa për të mos humbur rrogat!
Kështu numri dy i PS-së së Ramës, doli me kryeneçësinë e atij që vë kushtet, sikur të mos ishin në parlament, por në sallën e Versajës: Ose do të bëni si themi ne, ose dalim nga salla! “Ne do të vazhdojmë protestën e rrugëve, si asnjëherë nga ato që kanë ngjarë gjer tani!”. Harrojnë se 500 mijë manifestues më 8 dhjetor, si ithtarë të PD-së dhe të aleatëve të saj i bënë shumë prej atyre që u morën në mitingjet e PS-së me pare në dorë, hapur fare, që të ishin gjithnjë në rrudhje; dhe mitingashët po i vënë gishtin kokës, tanimë ...
-Aha! - plasën debatet kafeneve. - E bukur transparencë. Hile, sa për të marrë paret! A mund të presësh transparencë nga ata që s’kanë burrni fjale?
Të tjerët s’dinin ç’përgjigje të jepnin.
Faktori ndërkombëtar po i prish, avash-avash, fjalët diplomatike. Dhe duket se EdRama po e humbet toruan. Po bëhet si ai i mbyturi që kërkon të shpëtojë, duke u mbajtur te fija e kashtës.
Me që po flasim për transparencën, na duket se kulmi i talljes me këtë fjalë, me fjalën transparencë, është ajo e kartave elektronike të identitetit që nxori Gramoz Ruçi në parlament, për të na mbushur mendjen se këto nuk janë më të sigurtat e gjertanishmet, por na qenkan të falsifikuara! Dhe u bë si ai kumarxhiu hileqar, që i mbante si gjysmë të mbyllura, se mos dilte emri i “personit” në kamerat, sado që ishin larg. Dr. Berisha ia dha përgjigjen për këto marifete naivësh. Përse Gramozi nuk i çon në Prokurorí, - siç ia sugjeroi Berisha?
Le të shohim të gjithë se cilët janë personat që paskan mundur të vënë në dorë dy karta identiteti me numra të ndryshëm!
Ja përgjigjja e Gramoz Ruçit: - “Kjo s’ka të bëjë me prokurorinë e me gjykatat. Ka të bëjë me një të drejtë”!
Prokuroria e gjykatat janë konkrete. Ajo “me një të drejtë” është abstrakte. Ajo “një e drejtë” është sa për të mos mbetur gojëmbyllur! Megjithatë, edhe pa dashjen e ustait të Ruçit dhe të ustallarëve të Edit, kjo do të zbardhet edhe pa dëshirën e hileqarëvë. Për turpin e mashtruesve!
Këtu është pak të thuash se kemi të bëjmë vetëm me një mungesë transparence. Kemi të bëjmë edhe me prirjen që këta nihilistë antikombëtarë, duan të pengojnë sa më shumë perspektivën e afërt të liberalizimit të vizave dhe të aderimin në BE. Këto do populli. Socialistët e Edvinit duan pushtet të pamerituar!
***
Ne folëm shkurtimisht për “transparencën” përtokë të Edvin Ramës. Natyrisht që këtij iu bë edhe njëfarë portreti, si njeri i blofeve dhe i papërgjegjshëm. Na pëlqen ta mbyllim shkrimin me një fragment nga gazeta “Integrimi”, me titullin “Pse koalicioni i PD-LSI-së është tregues i rëndësishëm i pjekurisë politike të këtyre dy partive”: “Opozita përfaqësohet në PS nga elementë të pareformuar. PS-ja, me veprimtarinë e saj destruktive, tregon se është trashëgimtarja besnike e origjinës së saj komuniste dhe udhëhiqet nga një klikë e degraduar, klikë e përbërë nga mbeturina staliniste dhe enveriste të Partisë së Punës dhe të eksponentëve të diktaturës së saj, që përbëjnë shumicën udhëheqëse në Kryesinë e PS-së, si edhe nga pjella të nomenklaturës udhëheqëse të asaj partie, çuna të përkëdhelur të diktaturës. Në krye të saj luan rolin e kryetarit një njeri që quhet Edvin Kristaq Rama (që formalisht hiqet si kryetar se, realisht, është zëdhënës dhe zbatues i politikës që diktojnë elementë të klikës të cilët formalisht janë vartës por, realisht, janë shefa të tij në kryesi). Ky njeri, që është pjellë e nomenklaturës së diktaturës, e tregon veten që është i papërgjegjshëm, i zhveshur nga format e etikës dhe të moralit, si njeri e pjesëtar i shoqërisë, i ngarkuar me vese në jetën private e shoqërore, me sëmundje fizike e psikike dhe injorant në politikë (...) Edvini dhe shpura e tij politike udhëhiqet nga ideologjia komuniste e luftës së klasave, që nuk pranon pluralizmin politik”.
...