PE, shuplakë atyre që synojnë izolimin e Shqipërisë - letër Komisionit Europian për heqjen e vizave
Parlamenti Europian i ka kërkuar Komisionit Europian të sjellë sa më parë për shqyrtimin propozimet për liberalizimin e vizave për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina. Parlamenti kërkon që raporti të mbërrijë brenda muajit prill në mënyrë që eurodeputetët të nisin urgjent punën për këtë proces dhe që në fillim të verës së këtij viti të jepet vendimi për lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe boshnjakëve. Kërkesa i është drejtuar Komisionit Europian nga Kryetari i Komitetit për Lirinë, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian, Juan Fernando Lopez Aguilar. Me anë të një letre, ai i drejtohet Komisioneres për çështjet e Brendshme të Komisionit Europian Cecilia Malmstrom, ku kërkon përshpejtimin e liberalizimit të vizave me dy vendet e Ballkanit Perendimor. Qëndrimi i Parlamentit Europian, veç përshpejtimit të procedurave, jep një mesazh të qartë dhe për skepticizmin e disa vendeve të Bashkimit Europian në lidhje me përfshirjen e gjithë Ballkanit Perendimor në procesin e liberalizmit. Shtimi i numrit të strehë kërkuesve nga Maqedonia dhe Shqipëria në vendet e BE-së, bëri që shumë prej ministrave të këtyre vendeve të jepnin deklarata për një tkurrje të procesit. Kërkesa e bërë më së fundit nga eurodeputetët synon edhe konfirmimin nga ana e Komisionit Europian për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti.
...