Politika e Malajt, rezolutë e Asamblesë apo përçarje e saj?

Me Asamblenë e sotme të PS-së ndahet shapi nga sheqeri dhe do kuptohet perspektiva e lojës me kukulla që po luan Edi Rama. Një farsë me skenarë dhe aktorë të përzgjedhur që lexojnë platforma e letra të hapura i hap rrugë spastrimit të strukturave, kurse një përçarje krijon mundësitë për reformimin e opozitës
Farsë apo realitet..?!.
Këto janë dy dilemat, me të cilat pritet të përballet Asambleja e PS-së sot.
Në përfundim të kësaj Asambleje, sigurisht, njëra prej dilemave do të jetë mbizotëruese.
Rrjedha e ditëve të fundit, saktësisht intensiteti për zgjerimin e hartës gjeografike të “zërave kundër”, më tepër i ngjan një gjëje të sajuar, të kërkuar vetë nga Edi Rama dhe të vënë në zbatim nga Erion Braçe, apo Arben Malaj. Në këtë kontekst, në formë paranteze, pa pasur merakun se po paragjykohet Asambleja e sotme e PS-së, gjasat janë që sot, ky forum i kësaj partie të jetë një farsë.
Nuk ka ndodhur, të paktën që kur PS-ja drejtohet prej Edi Ramës, që kaq shumë “zëra kundër”, në kaq pak kohë (diçka te 10 ditë, nga Asambleja e kaluar deri te e sotmja), të pushtojnë kaq shumë sipërfaqe gazetash. Dhe kur mëson se në krye të këtyre “zërave kundër”, janë Erion Braçe dhe Arben Malaj, dyshimet se këta “zëra kundër”, por edhe gjithë Asambleja e sotme e PS-së, do të jetë një farsë, përforcohen edhe më shumë.
Sa për pyetjen e mundshme, “se pse i duhet Edi Ramës kjo farsë?”, përgjigja është lehtësisht e kuptueshme. Duke dalë “kundër” Erion Braçe e Arben Malaj, këta “udhëheqës të lartë”, nga ana tjetër, nën kompleksin e inferioritetit, nuk do të guxojnë të dalin realisht kundër “udhëheqës jo kaq të lartë”, në qendër apo në bazën e PS-së. Me pak fjalë, Edi Rama, në dukje lejon “zërat kundër” brenda PS-së (të përfaqësuar vetëm nga Erion Braçe e Arben Malaj), por realisht i mbyt këto zëra (që kompleksohen përballë inferioritetit, por që nuk përfaqësohen nga Erion Braçe e Arben Malaj).
Kjo është pjesa “taktike” që përforcon farsitetin e histoisë 10 ditore (koha midis dy Asambleve).
Ndërsa, po të ndalesh disi më shumë te “përfaqësuesit e zërave kundër”, të cilët të përzgjedhurit dhe të ngarkuarit për ta luajtur këtë rol (tip Maqo Lakrori), janë Erion Braçe e Arben Malaj, farsiteti i Asamblesë së sotme të PS-së, lë shumë pak mundësi, për të mos thënë aspak, për të besuar se edhe mund të mos jetë kështu.
Të dy këta emra, kanë demonstruar shumë më herët, se i bëjnë fresk “të parit”, bashkë edhe me lojërat për të mbytur “zërat kundër”. Erion Braçe është më i herët në këtë rol, që kur “guxoi” të dilet dikur kundër Fatos Nanos, kur ishte edhe kryeredaktori gazetës “Zëri i Popullit”, por që pas një vizite në redaksi dhe një tufë me lule që “i dhuroi” Fatos Nano, Erion Braçe u çarmatos nga “guximi” i tepruar që kishte demonstruar. Këtë pritet të bëjë edhe sot në Asamblenë e PS-së. Problemi është të presim, me se do ti zëvendësojë Edi Rama, lulet e Fatos Nanos.
Jo kaq i hershëm, por me një histori “të pasur”, shërbimesh ndaj “të parit”, është edhe Arben Malaj. I njohur si në nga anëtarët e LMN-së (Lëvizja për Mendimin Ndryshe), Arben Malaj, më tepër mbahet mend si “kali i Trojës” në këtë LMN. Më herët ai ka zgjedhur, saktësisht në fillesat e kësaj LMN-je, të ishte pjesë e një platforme (sikurse ajo e djeshmja) të prezantuar prej tij, platformë që u harrua më shpjet se sa të artikulohej prej tij. Ndaj edhe sjellja e sotshme e mundshme e Arben Malajt në Asamble nuk pritet të sjellë ndonjë gjë ndryshe, nga ajo që ndodhi pas prezantimit të platformës së LMN-së.
Kjo përforcohet edhe më shumë, kur sheh dhe analizon se si ndodhi dhe pse, që dje (si për koincidencë, një ditë para Asamblesë), në një universitet (ku për koincidencë nuk gjen studentë, sepse janë me sezon provimesh), dhe ku përballë kishte (si për koencidencë) Rexhep Meidanin…? “Po Rexhep Meidani, ç’lidhje ka?”, mund të jetë një tjetër pyetje e natyrshme. Oh, e ka edhe ai një lidhje, sepse që prej 16 majit 2009, kur në çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të fundqerhsorit të atij viti dhe kur ai zgjodhi të bëhet pjesë e dekorit-farsë të Edi Ramës, bashkw ehde me një kuti kartoni, të mbushur virtualisht me rreth 1000 faqe, 7 drejtimet themelore dhe 100 masa për reformimin e qeverisjes, që ai (Rexhep Meidani) e mbante në dorë. Këtë paralajmëroi edhe Arben Malaj dje, dhe që pritet që virtualisht edhe ai, “14 parimet e modernizimit të partisë socialiste”, ti fusë edhe në një kuti kartoni sot në mbledhjen e Asamblesë së PS-së. Po ti ketë vajtur mendja, ndoshta, nuk është lodhur për kutinë, sepse, mund tia merrte atë borxh Rexhep Meidanit. Ai të lirë duhet ta ketë, dhe për më tepër në gjendje të mirë, sepse nuk është parë të përdoret (konsumohet) më ajo kuti…
Gjithë ky paragjykim për mbledhjen e sotme të PS-së, ku pritshmëria më e madhe, është që “zërat kundër”, “të pranohen” nga Edi Rama, por që për hatër të unitetit në parti (saktësisht shuarjes së zërave realë kundër në parti) këta “zëra kundër” nga ana e tyre, të bëhen pjesë e miratimit të rezolutës së propozuar nga Edi Rama, sigurisht, nuk duhen zhvleftësuar realisht, persona me mendime e qëndrime të ndryshme e të kundërta nga Edi Rama. Ata sot, kanë një mundësi, që përveçse të përballen mendimet dhe qëndrimet e tyre të ndryshme në Asamble, të bëjnë edhe diferencën me Erionët e Arbenët e PS-së dhe të tentojnë të dëgjohen shumë më shumë nga audience e PS-së, e përfaqësuar (jo) nga Rexhepët…
Deputeti socialist prezanton strategjinë për modernizimin e Partisë Socialiste
Arben Malaj: Jam kundër bojkotit të opozitës
Deputeti i Partisë Socialiste Arben Malaj i njohur si kritik i aksioneve politike të Edi Ramës ka prezantuar përpara një grupi studentësh nismën e tij për modernizimin e partive politike parakusht për të ardhmen tonë. I shoqëruar nga ish presidenti Rexhep Meidani dhe deputeti Kastriot Islami, zoti Malaj u ndal në mënyrë të veçantë tek situata më e fundit politike brenda kampit rozë. Ai ka ripërsëritur qëndrimin se bojkoti i parlamentit është rruga e gabuar e ndjekur nga socialistët. Sipas tij, vetë përjashtimi nga jeta politike dhe atakimi i institucioneve kushtetuese janë sërish rrugë e gabuar e drejtimit të partisë që nuk mund të rikthejë në pushtet socialistët në 2013-ën. “Është e domosdoshme që partia socialiste në mënyrë institucionale t’i kthehet parlamentit dhe ky është qëndrimi që unë kam mbajtur edhe në Asamblenë Kombëtare të javës së shkuar. Vazhdoj të shpresoj që jo vetëm të kthehemi por të ndahemi përfundimisht nga fakti që sa herë jemi të pakënaqur nga zhvillimet politike të vendit tonë, në vend që të rrisim ndërgjegjësimin qytetar dhe reagimin qytetar, të bojkotojmë institucionet e vendit. Jam shprehur se kam qenë kundër opozitës me goma të djegura apo kundër atakimit të institucioneve kushtetuese të vendit. Unë nuk e dëshiroj që partia në të cilën kontribuoj që nga viti 92’ të synojë që të vijë në pushtet duke qenë jashtë institucionit” - u shpreh deputeti i partisë socialistë Malaj. Deputeti socialist duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek mungesa e një modeli në organizimin dhe në funksionimin e brendshëm të partive politike sugjeroi heqjen e barrierave për hapjen e tyre duke shmangur pushtetin e përqendruar dhe pushtetet individuale të tej zgjatura përtej kufijve të lejuar. Sipas tij mungesa e demokracisë së brendshme në një parti çon në demotivimin e individëve për të qenë pjesë aktive e saj. Pushteti i përqendruar në duart e kryetarit gjithashtu është me pasoja negative ndaj Malaj sugjeron në platformën e tij ndarjen e posteve partiake nga ato ekzekutive dhe të pushtetit lokal. “Kufizimi i mandateve të tej zgjatura për të njëjtët individë në qeverisjen e vendit, në nivel vendor, qendror dhe në drejtimin e partive duhet të synojë reduktimin e mandateve qeverisëse dhe politike në të njëjtën kohë. Ata individë në nivel qendror dhe vendor nuk duhet të kenë më shumë se një mandat përfaqësimi” - tha Malaj, duke cituar pjesë të platformës së tij, për modernizimin e Partisë Socialiste. Ky takim i deputetit të selisë rozë Arben Malaj u zhvillua në një auditor me studentë të universitetit Europian të Tiranës. Por, Malaj paralajmëroi se do ta vijojë turin e tij për prezantimin e platformës së re në mbarë vendin, me përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetë të partisë Socialiste. Në këtë takim ishte i pranishëm dhe deputeti tjetër socialist i njohur për qëndrimet e tij anti-bojkot Kastriot Islami, ndërsa u vërejt mungesa e Andis Harasanit, edhe pse ky i fundit ka kritikuar haptazi metodikën e përdorimit të PS-së nga kryetari i saj Edi Rama, pas humbjes së zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës më 8 maj.
Andis Harasani: Edi Rama ka dështuar, nuk është në gjendje të udhëheqë opozitën
Andis Harasani një prej deputetëve “rebelë” të grupit socialist akuzon tashmë hapur kreun e partisë së tij Edi Ramën për inkompetencë në drejtimin e opozitës. Harasani në një intervistë i është përgjigjur interesimit të gazetës shqiptare për të komentuar opinionet e kolegut të tij Erjon Braçe, të bëra publike këtë të mërkurë dhe të botuar po nga kjo e përditshme. “Shoh në çdo germë të njëjtat shqetësime që unë dhe kolegë të tjerë deputetë të grupit parlamentar të partisë socialiste kemi rreth 2 vite që i themi, shqetësime të cilat nuk po nguron asnjë nga aleatët tanë këtej dhe andej oqeanit të na i thonë. Mendoj se në Partinë Socialiste ka ardhur momenti që të thuhet shkoqur që problemi qëndron tek kryetari i cili megjithëse është shoku dhe miku ynë më i mirë thjesht nuk është në gjendje të udhëheqë opozitën. Vetëm ky është problemi. Kryetari ka dështuar në të gjitha parimet për bashkimin e së majtës, riorganizimin e partisë si dhe në fitore etj etj. Nëse vërtet duam të zgjidhim problemin duhet ta fillojmë nga koka”- është shprehur deputeti socialist Harasani.
Padia e Ramës kundër Berishës, Gjykata e Lartë rrëzon ankesën
Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë padinë e depozituar nga Partia Socialiste dhe konkretisht kryetari i saj Edi Rama ndaj prokurorisë e cila sipas selisë rozë nuk ka filluar procedimin penal për kryeministrin Sali Berisha. Kreu i socialistëve kishte paditur në prokurori shefin e mazhorancës pas akuzave të lëshuara prej tij publikisht. Fillimisht çështja iu përcoll Prokurorisë së Përgjithshme, në formën e një kallëzimi penal, me anë të të cilit kërkohej nisja e hetimeve ndaj Kryeministrit për akuzën e fyerjes dhe shpifjes, të kryera botërisht. Pas verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme vendosi të mos fillojë çështje penale ndaj Kryeministrit, ndërsa kreu i PS-së iu drejtua Gjykatës së Lartë, për të kundërshtuar këtë vendim. Sipas tij, Kryeministri ka lëshuar fyerje dhe shpifje në adresë të tij, duke thënë gjëra të pa qenë dhe të trilluara.