E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika e “asfaltit” si politikë johumaneNga Besnik GjongecajVeset, si servilizmi, gënjeshtra, vjedhja, imoraliteti, pushojnë së qeni ekzaktësisht dhe vetëm të tilla, pra thjesht vese, në momentin kur njeriu që i mbart ato hyn në politikë dhe bëhet

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Politika e “asfaltit” si politikë johumaneNga Besnik Gjongecaj

Veset, si servilizmi, gënjeshtra, vjedhja, imoraliteti, pushojnë së qeni ekzaktësisht dhe vetëm të tilla, pra thjesht vese, në momentin kur njeriu që i mbart ato hyn në politikë dhe bëhet njeri publik. Aftësia negative për të pranuar çdo gjë, edhe kur haptazi duket që nuk është e vërtetë, mungesa e skrupullit që potencon gënjeshtrën, vjedhjen, shkelja mbi vetveten për shkak të servilizmit, pra antivlerat në përgjithësi, transformohen menjëherë në faj dhe në një mundësi të madhe për t’u shndërruar në krim të drejtpërdrejtë, menjëherë sapo bëhen pjesë e një politikani. Nëse mund të tolerohen në jetën e një njeriu të thjeshtë, veset kthehen në një rrezik të madh, kur mbarten nga një politikan. Politikani i shndërron ato nga dobësi në mjete lufte, i bën pjesë të konkurrimit duke e degjeneruar thelbin e tij. Me ndihmën e tyre ai ngjitet në “malin” e karrierës, keqinformon publikun, shefin, nëse nuk është vetë i tillë, depërton në skutat më të errëta të manipulimit të së vërtetës. Mbi të gjitha, politikani me vese krijon modelin se si nuk duhet të jetë një qytetar shqiptar dhe për shkak të të qenit person publik, mediet, veçanërisht ato vizive, nuk bëjnë gjë tjetër veçse pareshtur e shpërndajnë modelin e tij në eter, e infiltrojnë atë deri në nivelet më të ulëta të shoqërisë, në administratë, te shitësi i bananeve, deri në familje, deri tek ëndrrat e një adoleshenti, te mënyra se si luan një fëmijë. Këtu qëndron dhe antivlera e pushtetit të një politikani me vese. Ai inkriminon krejt shoqërinë dhe ky është edhe fakti më tragjik që përjetojmë sot në Shqipëri. E keqja, megjithatë, nuk mbaron, ajo vetëm fillon këtu. Modeli i politikanit me vese është një model agresiv, zë shumë vend, hapësirë, bëhet mbytës. Kjo shpjegon pse nuk kemi modele të tjera, të kundërta me të, inspiruese, modele heronjsh, që sigurisht i gjen kudo në shoqëritë e civilizuara. Kjo shpjegon pse nuk kemi të bërë publik modelin e një qytetari që shpëton një fëmijë duke rrezikuar jetën e tij, pse nuk kemi një biznesmen që i kushtohet përmirësimit të jetës së të verbërve, pse nuk kemi modelin e dikujt që punon vullnetarisht për të ndihmuar njerëzit e pamundur, pra, në përgjithësi, pse nuk kemi të bërë publik modelin e njeriut që sakrifikon nga vetja e tij për të ndihmuar dikë në nevojë, për të ndihmuar shoqërinë, thjesht vendin e tij. Sepse e gjithë hapësira shqiptare po pushtohet nga modeli i politikanit me vese, nga ky varrmihës i moralit qytetar. Nga politikani që për shkak të vesit akuzohet deri për vrasje njerëzish të pafajshëm dhe që zgërdhihet para kamerave sikur nuk ka ndodhur asgjë; nga politikani që është akuzuar për vjedhje dikur apo që akuzohet sot dhe që ngashërehet para kamerave për patriotizmin e tij “natyror”, të lindur së bashku me të; nga politikani që gënjen haptazi, përpara të gjithëve dhe duke e ditur të gjithë se gënjen, por që është i suksesshëm, sepse kështu e do shefi i tij. Efekti është poshtërues: të gjithë jemi përfshirë në amokun e ndryshimit të Shqipërisë me anë të politikës që prodhohet nga politikanë me vese, të ndryshimit me anë të modelit të politikanit që prodhon vlera negative. Paradoksalisht, me anë të antivlerës ëndërrojmë të krijojmë vlerën e demokracisë në Shqipëri.

. . .

Ai që ndjek debatet e fushatës elektorale, veçanërisht ato që lidhen me partinë në pushtet, pra të përfaqësuesve të PD, e kupton menjëherë se vendin e vlerave morale, vendin e qytetarit shqiptar me krejt problemet dhe shqetësimet e tij, e kanë zënë shifrat. Çdo gjë është shndërruar në shifër, aq sa fushata i ngjan një terrori dixhital. Gjatësi rrugësh, numër shkollash, sipërfaqe asfaltesh, miliona dollarë kredi të marra, miliona dollarë taksa të mbledhura, të harxhuara, të paharxhuara, por që priten të harxhohen shpejt, menjëherë sapo të merret mandati për katër vitet e ardhshme. Politika për sendin ose politika e “asfaltit” ka zëvendësuar brutalisht politikën për njeriun. Arsyet pse ndodh kështu janë të thjeshta. Së pari, kur flet për shifra, nuk flet për një model qeverisjeje. Shifrat fshehin me kujdes një fakt shumë të rëndësishëm të qeverisjes në Shqipëri, atë që ekzistenca dhe funksionimi i institucioneve, në thelb, bëhet mbi bazë të të njëjtave parimeve që rregullonin jetën e tyre para viteve ‘90. Shkelen kufijtë e balancës midis pushteteve kryesore të demokracisë me një arrogancë që cilësisht i ngjan asaj të sistemit totalitar; pushteti iu merret autoriteteve dhe institucioneve që me përkufizim duhet të jenë autonomë në një sistem demokratik dhe përdoret me brutalitet nga qeveria me qëllim të forcimit të pozitave të saj politike; në shërbime, veçanërisht në sistemin shëndetësor dhe arsimor, ruhen marrëdhëniet e vjetra puniste midis pjesëve përbërëse të tyre dhe po kështu rregullohen edhe interesat e njerëzve që marrin pjesë në sistem ose kanë nevojë për shërbimet e tij. Së dyti, kur flitet për shifra, mbetet të mos flitet për modelin me të cilin vetëqeveriset PD, një model ky mizerabël, i papërfytyrueshëm në ekzistencën e tij autoritariste brenda kufijve politikë të një sistemi demokratik dhe pluralist. Së treti, kur flitet për shifra, nuk flitet për vlera. Në këtë pikëpamje, terrori dixhital është edhe forma më e mirë e fshehjes së antivlerave, terreni më i mirë ku mund të maskohet politikani me vese. Dikush mund të ketë një problem me shpenzimet e mëdha për një rrugë, pra mund të ketë një problem me korrupsionin dhe menjëherë si përgjigje ai merr gjatësinë e saj, gjerësinë, dhe patriotizmin si kapak që vihet mbi të. Dikush mund të ketë një problem me dështimin e shtetit në një skandal mesjetar armësh, pra mund të ketë një problem me modelin e gabuar dhe korruptiv të qeverisjes dhe menjëherë si përgjigje ai merr rezultatin e zgjedhjeve të favorshme lokale të zonës ku ka ndodhur tragjedia. Dikush mund të ketë një problem me sistemin e prapambetur të arsimit, sundimin e tij nga të paaftët, të korruptuarit deri në palcë dhe menjëherë si përgjigje ai merr numrin e shkollave me tavan të ndërtuar dhe numrin e kompjuterëve që kanë hyrë në doganat shqiptare. Dikush mund të ketë një problem me barkun që i rri bosh gjithë ditën dhe të cilin ka kohë që nuk e mban mend ta ketë mbushur, pra mund të ketë një problem me pamundësinë për të blerë ushqime dhe mbajtjen e frymës gjallë, dhe menjëherë si përgjigje ai merr përqindje, shumëfishime të rrogave dhe të pensioneve, dhe asgjë që shpjegon pse në të vërtetë barku i tij ka kohë që është dhe vazhdon të jetë i zbrazur.

E gjithë kjo maskaradë është krijuar që fushata elektorale të kryhet mbi bazë të relativizimit brutal të së vërtetës, e cila, po të artikulohet realisht, është shumë e hidhur. Relativizimin e së vërtetës në kufij krejtësisht të papranueshëm nuk e pengojnë, përkundrazi, e ndihmojnë edhe institucionet që prodhojnë statistika në Shqipëri, sepse ato kanë kohë që e kanë humbur pavarësinë e tyre. Këto institucione as nuk përgënjeshtrojnë dhe as nuk pohojnë shifrat që japin politikanët dhe aq më pak, nuk japin shifrat e tyre dhe nuk bëjnë interpretimin e drejtë të përmbajtjes që ato mbartin. E gjithë kjo maskaradë ndodh nën hundën e demokratëve të sinqertë, të kapur në kurthin e këtij terrori dixhital, i cili shumë shpejt dhe automatikisht do t’i nxjerrë jashtë politikës ku u futën, jo për shkak të shifrave, por të idealeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›