E Diel, 1 Nëntor 2026

Qyteti i të humburveNga Enver Robelli“Në këtë qytet syri fiton një mëvetësi, e cila është e ngjashme me atë të lotit. Dallimi i vetëm është se syri nuk shkëputet nga trupi, por e nënshtron atë plotësisht. Pas një kohe - në ditën e tretë apo të katërt

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Qyteti i të humburveNga Enver Robelli

“Në këtë qytet syri fiton një mëvetësi, e cila është e ngjashme me atë të lotit. Dallimi i vetëm është se syri nuk shkëputet nga trupi, por e nënshtron atë plotësisht. Pas një kohe - në ditën e tretë apo të katërt këtu - trupi fillon ta shohë veten vetëm si bartës të syrit, si një lloj nëndetëseje periskopin e saj (...)”.

Joseph Brodsky, “Bregdeti i të humburve”, shënime për Venedikun.

Çdo krahasim i Prishtinës me Venedikun do të ishte sakrilegj, do të ishte lartësim i së neveritshmes përballë të bukurës. Citati i mësipërm i nobelistit rus, Joseph Brodsky, ku ai e lavdëron autonominë e syrit, derisa shikon Venedikun, në këtë tekst mund të shërbejë vetëm si shembull për të treguar të kundërtën: se ka qytete që s’e meritojnë këtë emër. Për shembull, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina. Këtu, në këtë kasaba të kiçit, sytë nuk të pushojnë kurrë po shikuat arkitekturën, rrugët, shtëpitë, ndërtesat e institucioneve. Këtu sytë nuk hapen nga kureshtja, por rrudhen nga neveria. Çfarë shihet? Një antikulturë ndërtimore pa asnjë rregull, mungesa pothuaj totale e shtetit dhe - mbi të gjitha - mungesa e arsyes, e cila shprehet përmes “urbanizmit familjar” me shtëpi me dy, tri ose gjashtë hyrje (për secilin vëlla nga një, motrat, ashtu si dikur, shkojnë te burri, për to, sipas kësaj logjike të mbrapshtë, nuk ka hise), me një pseudoarkitekturë me fasada të kaltra prej xhami, të cilat simulojnë imazhin e një metropoli, një megapolisi të biznesit.

Para një viti, krejt pavërejtshëm, në Prishtinë qëndroi arkitekti zviceran me famë botërore, Marcel Meili. Atyre ditëve në mediumet e Kosovës dominonte një temë: Kushtetuta e re, e cila pritej të miratohej. Edhe sot politikanët e Kosovës nuk lodhen duke e lavdëruar ligjin themelor të shtetit, duke e quajtur atë si më modernin në rajon, në kontinent dhe në botë. Thua se shtetkrijimi qenkësh shpikur në Kosovë, thua se këtu, për herë të parë, u shkrua një Kushtetutë. I ballafaquar me këtë debat të mërzitshëm, Marcel Meili kishte kritikuar një të metë të Kushtetutës së Kosovës, kur kishte thënë se ligjvënësit është dashur të përfshinin aty edhe një nen të veçantë, me të cilin do të ndaloheshin fasadat e xhamit. Me këtë humor tepër serioz Meili kishte tërhequr vëmendjen te një defekt serioz i shoqërisë në Kosovë: prirjen për shtirjen e modernitetit dhe të urbanitetit.

Guerila pseudourbane

Kjo dukuri është përshfaqur sidomos pas vitit 1999 e këtej dhe mund të shfaqet edhe sot lirshëm dhe pa konsekuenca pothuaj çdokund në Prishtinë. Dëshironi të ndërtoni një shtëpi në kopsht? Ndërtojeni! Dëshironi të shtoni një aneks për turshi? Urdhëroni! Keni qejf t’i zgjatni shkallët deri në gjysmë të trotuarit? Vazhdoni punën! Ju pëlqen të ndërtoni lagje të tëra nëpër ara të bukës? Në këtë qytet të mbrapshtë do t’ju thonë - puna e mbarë! Kjo është gjuha e shtetit dhe e institucioneve të tij, të cilat nuk japin prova e dëshmi se synojnë të krijojnë rend urbanistik, por qëmoti janë pajtuar se mjafton të administrohet kaosi, të mos investohet në infrastrukturën e vjetruar, të vazhdohet me shërbimet komunale pothuaj mesjetare, të mos i ngjitet dora sektorit të shkatërruar të shëndetësisë, të lejohet mospuna e gjyqeve bizantine dhe të pranohet keqfunksionimi i shkollave mediokre. Kështu, Prishtina është shndërruar në një grumbull me ndërtesa, në një mishmash stilesh me skulptura xhami dhe ngrehina betoni. Pra, një biçim-qytet që e tërheq të keqen si me forcë magnetike. Rrjedhimisht tani e dhjetë vjet në kryeqytetin e Kosovës mbretëron kjo moto e punës dhe e jetës: shijojeni pështjellimin urbanistik, sepse rendi është i tmerrshëm, mbytës! Sepse rendi arkitektonik për këtë “qytet“ të humbur me njerëz që e kanë pranuar humbjen do të thotë luks i tepërt kulturor. Sepse pseudoguerila urbane kurrë nuk mund ta pranojë të vërtetën se përditshmëria e njerëzve që jetojnë në një qytet karakterizohet në pjesën më të madhe nga ndërtimet, nga arkitektura që na rrethon dhe që përbën kuadrin e nevojshëm brenda të cilit ne lëvizim. Kështu së paku thuhet në veprën “Historia e arkitekturës së shekullit 20” të historianit të artit, arkeologut dhe publicistit gjerman, Jürgen Tietz.

Mentaliteti i kolkozit

Kaosi i bashkon amatorët. Rrjedhimisht në Prishtinën e turbo-urbanizmit deri më sot nuk ka pasur shans të lërë gjurmë të mira asnjë arkitekt serioz nga bota e jashtme. Një gjë të tillë nuk e lejon koalicioni me ndërtimtarë të etur për fitime të shpejta, me arkitektë provincialë, pa ambicie dhe shpesh pa ndjeshmëri kulturore dhe me politikanë egoistë. Ky koalicion i së keqes s’mund të krijojë gjë tjetër përveçse një mentalitet të arkitekturës së kolkozit. Në kuadër të këtij mentaliteti hyjnë edhe planet megalomane për ndërtimin e godinës së Operës dhe të Baletit në Prishtinë. Siç dihet, konkursin tejet jotransparent e ka fituar një arkitekt i panjohur nga Berlini, i cili ishte i njohur vetëm për një grup interesaxhinjsh në Prishtinë. Edhe për këtë arsye Prishtina për gjatë kohë nuk do të meritojë emrin qytet, por do të mbetet një grumbull me ndërtesa që të shkakton, jo vetëm kokëdhembje, por edhe sydhembje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›