Politika e brendshme rrezikon ta djegë Hungarinë
Frika se kriza e borxheve mund të zhvendoset nga Greqia për në Europën Qendrore u përhap gjatë ditëve të fundit në Hungari, ku një zyrtar i qeverisë deklaroi se qeveria socialiste paraardhëse ka manipuluar statistikat. Por shumica e ekspertëve e konsideroi deklaratën thjesht si “politikë e brendshme dhe pa lidhje me realitetin”. Peter Szijjarto, zëdhënësi i Kryeministrit Viktor Orban, deklaroi për agjencinë e lajmeve “Bloomberg” se ekonomia Hungareze gjendet “në një situatë shumë të rëndë”. Ai i shtoi më shumë benzinë zjarrit, duke deklaruar se spekulimet mbi falimentimin e mundshëm të këtij vendi “nuk janë thjesht ekzagjerime”.
Komentet e tij u paraprinë nga deklarata të ngjashme nga zëvendëspresidenti Lajos Kosa, i cili është zgjedhur nga partia e qendrës së djathtë, Fidesz, i cili tha se Hungaria rrezikohej nga një krizë e ngjashme me atë të Greqisë. Deficiti buxhetor qe 4 për qind e PBB-së vitin e kaluar dhe ndoshta mund të arrijë në 7.5 për qind këtë vit. Pas këtyre komenteve, monedha hungareze, florinti, humbi terren ndërsa interesat e bondeve dhjetëvjeçare u rritën nga 7.4 në 8.1 për qind. Bursa e Budapestit u mbyll me humbje prej 3.4 për qind, ndërsa pati rënë brenda ditës së premte deri në 7.1 për qind.
Por pavarësisht alarmimit të zyrtarëve të qeverisë, ekonomistët thonë se Hungaria është shumë larg një krize borxhesh. Ekspertët i komentuan deklaratat si një masë paraprake presioni që qeveria po përpiqet të ushtrojë mbi Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kryeministri Orban fitoi zgjedhjet në prill me një platformë që premtonte eliminimin e programit të disiplinës financiare që iu imponua këtij vendi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Tani ai po përpiqet ta detyrojë FMN-në të pranojë një deficit më të lartë buxhetor se sa objektivi i rënë dakord me qeverinë paraardhëse socialiste prej 3.8 për qind të PBB-së.
Hungaria është një nga vendet më të prekura nga kriza ndërkombëtare financiare. Në fund të vitit 2008 ajo u detyrua të pranojë ndihmën e kushtëzuar prej 25 miliardë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Papunësia është rritur në 11.4 për qind, ndërkohë që ekonomia ra me 6.3 për qind vitin e kaluar.
Peter Rona, një ekonomist i rëndësishëm, komentoi se deklaratat e qeverisë thjesht sa po krijojnë një problem të paqenë.
“Themelet e ekonomisë së Hungarisë janë shumë më të mira se sa ato të Greqisë. Niveli i borxhit është shumë më i ulët dhe Hungaria ka para të mjaftueshme për të paguar interesat e borxhit. Nuk mendoj se ka pasur ndonjëherë problem me vërtetësinë e statistikave”, tha ai.
“Qeveria po e tregon veten të paaftë dhe amatore në drejtim të komunikimit me tregjet financiare dhe tani do të përballet me një sfidë të vërtetë. Ajo duhet t’u demonstrojë investitorëve se ky vend po ecën në drejtimin e duhur”.
Rona deklaroi se besueshmëria e qeverisë ka rënë edhe më tej, pas premtimit të saj për të ulur taksat. “Planet e tyre ekonomike dhe deklaratat janë kundërthënëse dhe konfuze”, tha ai.
Nigel Rendell, një analist i lartë për tregjet në zhvillim në Londër, tha se komentet e zyrtarëve në Hungari duket se i janë drejtuar një audience të brendshme nga zyrtarë “naivë”. Sipas tij, faktet tregojnë se që kur pranoi ndihmën e FMN-së, Hungaria ka bërë progres në drejtim të kontrollit të deficitit. Duke ruajtur deficitin buxhetor në 4 për qind të PBB-së vitin e kaluar, Hungaria bëri që stoku i borxhit publik të mos rritej në më shumë se 78 për qind, pra aq sa është edhe në Francë.
“Duhen shumë vite për të ndërtuar besueshmëri, por mjaftojnë vetëm pak ditë për ta shkatërruar”. tha Rendell. “Ata duhet ta dinin këtë. Me deklarata të tilla dëmtuan veten dhe tani do t’u duhen shumë muaj që ta marrin veten”. Qeveria e re hungareze e mori detyrën muajin e kaluar.
#