Tango, rikthehet në Durrës
Rikthehet “Tango” e Mrozhekut në Durrës. Kryevepra e nobelistit polak Slavomir Mrozhek është rivënë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit këtë fundjavë. Vepra, është një nga tragjikomeditë më interesante dhe e sjellë me elemente të reja nga regjisorja e teatrit Driada Dervishi, nën interpretimin e aktorëve Nik Xhelilaj, Xhelal Tafaj, Hysen Bashhysa, Sanie Hoti, Eralda çaushi, Marvin Tafaj dhe me pjesmarrjen e veçantë të aktores Aishe Stari. Premiera e kësaj tragjikomedie u shfaq në vjeshtën e vitit 2008 në sallën e teatrit, duke përcjellë tek artdashësit humorin përmes batutave dhe të reflektuarin, mendimin përmes groteskut dhe notave të absurdit. Fundjava e parë e qershorit ka nisur me këtë shfaqje duke ofruar një mundësi më shumë për të ndjekur një aktivitet profesionist teatror, pa udhëtuar drejt kryeqytetit, siç ndodh rëndom me qytetarët durrsakë. “Tango” e Mrozhek evokon situatën e shumë artistëve dhe shkrimtarëve në vendet e Europës Lindore, por edhe te një pjesë të shoqërisë. Pavarësisht kohës kur është shkruar, vepra, sjell një dramë aktuale për realitetin tonë. Familja e Arturit, rreth së cilës vërtitet e gjithë fabula, është përfshirë në një rebelim bohemian ku parimet, standardet dhe morali pothuajse nuk ekzistojnë ose më saktë nuk merren parasysh. Fryn era e “lirisë” së individit, një erë që çorodit dhe cenon frikshëm jetët e pjesëtarëve të familjes që jeton në kaos. Virtytet, vlerat dhe parimet janë bjerrë. Përballë familjes vihet Arturi, një i ri që përfaqëson idealizmin dhe që duket qesharak në këtë shoqëri që ka hequr dorë nga gjithçka me vlerë në emër të lirisë për të shijuar të ndaluarën, përtacinë dhe çdo mundësi tjetër që kufijtë e dikurshëm nuk lejonin. Personazhi kryesor Arturi vjen i interpretuar nga aktori Nik Xhelilaj. Ai është një Hamlet modern që e gjen mbretërinë e vet në kaos. Në familjen e tij rregulli nuk ekziston dhe ndërhyrjet e Arturit nuk sjellin asnjë ndryshim. Indinjimi i tij tingëllon absurd në realitetin e familjarëve të vet. Harrimi me dëshirë i rregullave të brezit të kaluar, papërgjegjshmëria duket se triumfojnë në fund të shfaqjes duke hequr paralelizma me shoqërinë, reflektim i së cilës është dhe gjithçka ndodh në këtë familje. Tragjikomedia mbyllet me një tango që përcjell mesazhin e mbytjes së idealizmit në një kohë që i ka dhënë jetë një lirie të pafre dhe mbyllet me fjalët e Edit, që ka zënë vendin e të atit tek e ëma: “Artur, djali im më duket se askush nuk ka nevojë më për ty”. Me këtë shfaqje dy vjet më parë trupa profesioniste e Teatrit të Durrësit u nderua në Festivalin Shtatë Mbarëkombëtar të Teatrove në Dibër të Maqedonisë për regjinë më të mirë dhe aktorin më të mirë jo protagonist, vlerësime që shkuan për regjisoren Driada Dervishi dhe aktorin Hysen Bashhysa.
#