Politika e fosilizuar dhe ne, gazetarët…
Martin Leka
Për rreth 18 vjet, në Shqipëri kemi parë, folur, shkruar e dëgjuar për lloj-lloj protestash publike që nga më të zakonshmet, gjer tek më sublimet, ato të urisë, kujtoj Pjetër Arbnorin, i cili jam i sigurtë që do të vetëflijohej në një qeveri të paarsyeshme, e deri tek protestat masive e të dhunshme, ngjarjet e ’97, 98, etj.
Gjatë një proteste të Unionit të Gazetarëve lidhur me mospagimin e gazetarëve e punonjësve të një televizioni, u artikuluan edhe emrat e dy kolegeve tanë, mjaft të njohur e të pranishëm në media dhe të njohur për kritika të spikatura. Ndjeshmëria në këtë rast mendoj se ka mbetur gjer tek kufijtë e solidaritetit profesional. Nuk duhet të jetë vetëm kështu. Rasti i miqve dhe kolegëve të mi Stefani dhe Nano duhet të jetë një rast për të gjithë komunitetin e shpërqendruar të gazetarëve, në mënyrë që ata të kuptojnë më mirë se një komunitet i bashkuar mbi baza principesh të qarta demokratike e profesionale, mund t’ia dalë të mundë jo vetëm autoritarizmin e qeverisjeve apo liderëve, por mund të vendosë rregulla të qarta për punën e tyre, shpesh “në të zezë e të zezë”…
Sot duhet të jesh “zhongler” i madh për të përfituar nga të tërë krahët. Disa e kanë praktikuar me mjaft sukses në praktikë këtë “profesion” të vështirë, por ekonomikisht mjaft efektiv, ndonëse i ndyrë moralisht. I thonë dhe i rrinë “lepe-peqe” bosit (pronarit), i miratojnë të gjithë politikat editoriale, madje sa nuk i thonë se “ti ke lindur për gazetari o shef”(?!), paçka se shefi mund të ketë qenë kapter apo magazinier e me 8 klasë të marra vetë e 4 të tjera në “Rrugën e Kavajës”…
Në këtë tollovi të madhe të tregut politik e mediatik, nuk mund të mos evidentohen edhe raste si ai që përmendëm më lart. Familjarët e Mustafa Nanos apo Andrea Stefanit padyshim po vuajnë padrejtësisht, pasojat e opinioneve të tyre kritike ndaj qeverisë. Kjo qeverisje pa stil, pa kod e pa moral, ky mentalitet bajraktarësh që na udhëheq, nuk e ka për gjë të të heqë “bukën e gojës”, nëse nuk i shkon pas apo nuk i shërben sipas “midesë” së stomakut antidemokratik.
Por problemin dhe të keqen, familjarët e Andreas e ata të Muçit e shumë të tjerë si ata e kanë tek mentaliteti piramidal që ushqehet e vetushqehet. Nga një administratë e paaftë e infantile nuk mund të presësh gjë tjetër përveçse besnikërisë partiake e paranojës së “rrezikut armiqësor”. Muçi e Andrea e dinë se administratat e familjarëve të tyre nuk i ka marrë në telefon kryeministri për t’i pushuar nga puna, por vetë ata (administratorët e kryeministrit) e dinë se si duhet të veprojnë, e dinë se si luftohet “armiku”.
Ky mentalitet e kjo lloj piramide kokëposhtë na ka lënë për rreth dy dekada në një tranzicion të stërgjatë. Sepse në vend që të merremi me punë, merremi me njëri-tjetrin, me biografitë dhe luftën e kotë e kotësitë e luftës politike. Për rreth dy dekada, të dehur nga liria, nuk e kemi kuptuar se lirinë po mundohen të na e japin me “masë”, si ato gotat alumini me bisht të tekeve të rakisë që i mbanin banakierët e dikurshëm. Këto “fosile” të mbetura të komunizmit duket se do vazhdojmë t’i kemi e të na ndjekin, për sa kohë nuk do mundim të bindim një shoqëri që voton për efektet negative që sjellin e mbjellin të tilla dukuri “fosile”. Do të na ndjekin për sa kohë ne do të shohim vetëm punën e vetvetes e jo punën e të gjithëve.
Pra, për sa kohë do të shpërfillim solidaritetin e shoqërisë sonë komunitare, siç kemi bërë deri tani, do të vazhdojë “gjenocidi” ndaj nesh, në forma të ndryshme, siç u veprua së fundi me motrat e me familjarët e dy kolegëve tanë, A. Stefani e M. Nano e siç është vepruar më parë me mijëra të tjerë, të hequr nga puna në administratë për arsye politike gjatë këtyre 18 vjetëve.
Gjer atëherë, unë do të vazhdoj të bëj dialogun e përditshëm me mikun tim të vjetër Agim Isaku:
Unë: -Nga bëhesh Gimi, ku punon?
Agimi: -Me honorare…!
Unë: -Po Vera?
Agimi: -Pa punë, shkruan libra! Po ti, ku po punon?
Unë: -Me honorare…!
Agimi: -Hajt pra, pimë një kafe me honorare…