E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë shembuj dhe opozita ndryshe e PS

Musa Ulqini 

Shembulli i parë, nga Vjena. Kohë më parë, disa përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të komisionit parlamentar të Edukimit dhe Medias, ishin ftuar në selinë e OSBE-së, zyra e lirisë së shtypit në Vjenë. Në rend të ditës: Problemet e mediave në Shqipëri. Në prani të përfaqësuesve të lartë të OSBE-së dhe ekspertëve të njohur të zyrës së lirisë së shtypit folën përfaqësues të pozitës dhe opozitës. Në fjalën e saj kryetarja e komisionit parlamentar të Edukimit dhe Medias (përfaqësuese e opozitës) bëri një paraqitje të situatës së mediave në Shqipëri nga këndvështrimi i opozitës, duke e vënë theksin jo vetëm tek presioni politik i qeverisë mbi shtypin e lirë dhe të pavarur, por duke propozuar edhe mekanizma ligjorë për përmirësimin e standardeve të funksionimit të mediave.
Ndërkohë, të pranishmit përshëndesnin qëndrimin konstruktiv të përfaqësueses të opozitës, mu kujtua situata e krijuar në të njëjtin institucion dhe sallë vite më parë. Atëherë ne socialistët ishim në pozitë dhe një përfaqësi e Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të komisionit të Medias, ishte ftuar për të diskutuar për problemet e medias në Shqipëri. Përfaqësuesit e opozitës, eksponentë të lartë të Partisë Demokratike folën në atë takim, siç bënin rëndom në të gjitha takimet e tilla, me një fjalor dhe zhargon të tillë armiqësor, sa që të dukej vetja sikur nuk flitej për Shqipërinë, por për një vend imagjinar, i pikturuar me ngjyrat më të zeza të mundshme. Ndodhi diçka që nuk mund të harrohet: Nuk ishte nevoja për fjalën time si kryetar i komisionit të Mediave, sepse më mirë se unë folën ata që na kishin ftuar, të cilët theksuan se në Shqipëri media ka probleme, por kurrsesi situata nuk ishte aq e zezë sa paraqitej nga opozita. Madje, numri një i atij takimi theksoi se, kjo nuk është mënyra e duhur sesi në vendet demokratike duhet të sillet opozita.
Shembulli i dytë, nga Kuvendi
Sa herë që flasin deputetët e Partisë Socialiste në Kuvend, e përbashkëta e gjithë paraqitjeve të tyre publike është sjellja e fakteve të shumta konkrete në favor të argumentit për të cilin diskutojnë dhe mungesa e fyerjeve, shpifjeve, sharjeve, pavarësisht nga sjellja arrogante e dyshes Berisha-Topalli. Ndërsa ndjek reagimet apo fjalimet e kolegëve të mi socialistë, më kujtohen raste të pafund të mënyrës sesi flisnin gjatë tetë viteve që PD ishte në opozitë përfaqësuesit e saj dhe në mënyrë të veçantë Sali Berisha. Në çdo seancë plenare Berisha kapte podiumin, dhe pavarësisht nga rendi i ditës, formulonte në adresë të ministrave të pranishëm vetëm akuza, shpifje, fyerje dhe asnjëherë kritika të bazuara në fakte dhe prova konkrete. 
Shembulli i tretë, nga Baldushku
Gjatë muajit shkurt të këtij viti zhvilluam në 23 komunat e Qarkut të Tiranës tavolinat e bujqësisë, ku ftuam fermerë, pavarësisht nga përkatësia partiake. Ne kërkuam me këmbëngulje që të pranishmit, jo vetëm të evidentonin situatën tejet të vështirë në këto komuna për shkak të keqqeverisjes së fshatit nga qeveria Berisha, por ata të bënin propozime se si duhet të zgjidhen ndryshe problemet e tyre. Për habinë time, të pranishmit në këto takime, ndërsa sillnin argumente të shumtë për gjendjen e vështirë të fshatit, hezitonin të diskutonin për pjesën e dytë që ne na interesonte më shumë: Çfarë dhe si duhet ndryshuar në politikat agrare.
Kështu, në Baldushk të Rrethit Tiranë, të pranishmit kërkonin të dinin edhe si do të zgjidhej problemi i Petroliferës në Vlorë, por hezitonin të jepnin argumente, sesi mund të zgjidhej problemi i tregtimit të produkteve blegtorale të zonës së tyre! Arsyeja e kësaj sjellje hezituese? Atë e shprehu mjaft qartë një i moshuar: gjithmonë në takimet tona me politikanë, ata vetëm shajnë kundërshtarët e tyre dhe asnjëherë nuk na kanë pyetur kështu siç po na pyesni ju. Ndaj hezitojmë të flasim, jo se nuk kemi çfarë të themi, por se nuk jemi mësuar me takime të tilla.
Shembulli i katërt, nga organizata 1899 në zonën elektorale 42
Gjatë zgjedhjeve të reja në organizatat socialiste në qytetin e Tiranës, isha i pranishëm edhe në OS 1899 të zonës time elektorale. Një anëtar i organizatës, një socialist me mjaft autoritet në lagjen ku banon më tha se, pjesëtarë të familjes së tij ishin hequr nga puna vetëm për arsye politike dhe sjellja e përfaqësuesve të PD në institucionet, ku ata punonin kishte qenë tejet armiqësore. Edhe pse kishin fituar gjyqin asnjëri nuk ishte rikthyer në punë. Pse i flisni me kulturë atij që është simboli i antikulturës jo vetëm politike, por dhe qytetare?! Përballë hallit ekonomik të këtij njeriu, nuk ishte e lehtë të jepje një përgjigje bindëse. Më ndihmoi kryetarja e organizatës, e cila edhe ajo i kishte të gjithë njerëzit e pushuar nga puna pas 3 korrikut, kur tha: “Ne nuk duhet të sillemi sikur të jemi kopje e Sali Berishës”, duke krijuar klimën e nevojshme të mirëkuptimit nga të gjithë anëtarët e OS-së. 
Shembulli i pestë, nga Gërdeci
Në mbrëmjen e protestës së madhe qytetare, që opozita organizoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke ftuar qytetarët e kryeqytetit që të bashkohen me të në heshtje në shenjë proteste ndaj krimit shtetëror të Gërdecit, ku humbën jetën 26 qytetarë të pafajshëm, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Kur turma e stërmadhe që kryesohej nga Edi Rama dhe drejtues të tjerë të opozitës arriti tek Kryeministria, dikush nga turma hodhi një parullë të egër kundër Sali Berishës, duke prishur kështu heshtjen e kësaj proteste qytetare. Edi u kthye nga turma dhe kërkoi mirëkuptim që protesta të vazhdonte në heshtje. Ata që i kontribuuan më shumë këtij mirëkuptimi ishin familjarët e disa prej atyre që kishin humbur njerëzit e tyre në Gërdec.
Ky moment mirëkuptimi më solli në kujtesë pamjet e shtatorit të vitit 1998, kur në të njëjtin vend liderët e opozitës së atëhershme i kërkuan turmës së egërsuar nga vrasja e të ndjerit Hajdari, që me arkivolin e tij të sulmonin derën e Kryeministrisë. Imazhet televizive të asaj dite, bënë xhiron e botës dhe komentet janë të tepërta. Por e tepërt nuk është të theksoj se në shtatorin e 1998-ës turma e vogël e egërsuar kishte vetëm militantë të manipuluar, kurse protestës në heshtje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për tragjedinë e Gërdecit i ishte bashkangjitur një qytet i tërë, pavarësisht nga përkatësitë partiake.
Në vend të konkluzionit
Këto shembuj dhe të tjerë të shumtë si këto, që gjithkush mund t’i rendisë sipas mënyrës së vet, flasin për diçka që është krejt e qartë në sjelljen politike të Partisë Socialiste në opozitë. Flasin për opozitën ndryshe që PS, krahasuar me opozitën tetëvjeçare të PD, po përpiqet të zhvillojë prej tre vitesh, përballë një mazhorance regresive dhe antipopullore.
Opozita e sotme e socialistëve shqiptarë është opozitë emancipuese dhe jo konfrontuese, është opozitë që në radhë të parë ngjall shpresa tek shqiptarët e lodhur nga konfrontimi i ashpër politik. Në funksion të kësaj shprese ne kemi ndërtuar një dialog të gjerë me qytetarët e këtij vendi. Ne nuk e shikojmë PD-në si forcë armike, por si një kundërshtar që duhet mundur në emër të një Shqipërie më të mirë.  
Është kjo arsyeja që shumica e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi e mbështesin këtë sjellje opozitare të Partisë Socialiste. Kjo duket qartë tek interesi me të cilin është mirëpritur turi i Edi Ramës “Dialog me Shqipërinë” në të gjithë vendin.
Është kjo arsyeja gjithashtu, që miqtë tanë ndërkombëtarë e shohin me simpati sjelljen konstruktive të opozitës socialiste. Thelbin e qëndrimit të ndërkombëtarëve ndaj opozitës ndryshe të PS e shprehu mjaft qartë numri një i ambasadës së SHBA-së, në një takim të zhvilluar në praninë e ambasadorëve të vendeve të NATO-s dhe deputetëve të grupit parlamentar të PS, më 28 mars në prag të marrjes së ftesës për në NATO. Në këtë takim ambasadori amerikan, duke komentuar qëndrimin e PS ndaj tragjedisë së Gërdecit dhe ndaj Samitit të Bukureshtit, iu drejtua numrit një të socialistëve me fjalët: Qëndrimin tuaj unë e vlerësoj “jo vetëm si akt kurajoje politike, por edhe si një akt prej burri shteti”
Me këtë sjellje opozita socialiste është në pararojë të integrimit tonë në Evropën e Bashkuar dhe një argument më shumë pse shqiptarët do ta votojnë Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme elektorale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›