E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama: Deri në fund hetimit për Gërdecin

Në detyrën prej shtatë muajsh, qëndrimi i saj ndaj shtypit ka qenë disi i rezervuar, me përjashtim të disa prononcimeve publike. 

Plator Nesturi & Alqi Koçiko

Dhe kryeprokurorja e Republikës, Ina Rama, pohon se kështu duhet, për vetë natyrën e punës së një prokurori. “Vërtet gazetarët duan të dinë gjithçka, por ekspozimi i parakohshëm i informacioneve, që organi i akuzës mbledh gjatë hetimit të një çështjeje është i palejueshëm, sepse dëmton punën dhe në fund të fundit dëmton edhe publikun, shoqërinë”, thotë ajo. Jemi në zyrën e Ina Ramës, në selinë qendrore të akuzës shqiptare. Ndoshta pa e dashur edhe ajo vetë kaq shpejt, është shndërruar në një personazh kyç të jetës publike e politike, për shkak të tragjedisë së Gërdecit dhe pasojave të saj. Triumfalizmi i qeverisë së djathtë pas rrëzimit të mundimshëm të paraardhësit të saj, Theodhori Sollaku, dhe votimit të emrit të zonjës Rama me shumicë votash parlamentare, ka perënduar me kohë. Por ajo nuk dëshiron të hyjë aspak në komentimin e politikës. Siç pohon, marrëdhëniet me aktorët kryesorë të jetës politike ishin dhe mbeten thjesht institucionale, ndërsa ajo do t`i bindet vetëm ligjit. Ç`ka nënkupton se çështjeve, qofshin delikate ose jo, Prokuroria do t`u shkojë deri në fund. Sa për gjurmët që Ina Rama kërkon të lërë me punën e saj në këtë post delikat, “këtë vlerësim është më mirë t`ia lëmë kohës dhe perceptimit të shoqërisë shqiptare”.
Zonja Rama, emërimi juaj në krye të Prokurorisë Shqiptare më 22 nëntor 2007, ishte disi surprizues pasi një sërë emrash lakoheshin si kandidatura për këtë post të rëndësishëm. Për kuriozitetin e lexuesit, si ndodhi ky emërim; prej sa kohësh ishit kontaktuar nga kreu i shtetit për t‘ju njoftuar se emri juaj ishte ndër kandidatët? Si e përjetuat?
Pas gati shtatë muajsh në këtë detyrë, muaj shumë intensivë pune për shkak të ngjarjeve në të cilat u përfshi organi i akuzës dhe për shkak të reformave, që ndërmora dhe po vazhdoj në drejtimin e këtij organi, e kam të vështirë ta rikujtoj në dimensionin real momentin se si e përjetova emërimin. Nga Presidenti i Republikës u kontaktova disa ditë para dekretimit dhe mësova që isha një nga kandidaturat për këtë post. Ajo që më ka mbetur thellësisht në kujtesë është ndjenja e lartë e përgjegjësisë për kryerjen e kësaj detyre dhe një sfidë e madhe që m‘u shpalos përpara, për më tepër jashtë parashikimeve që kisha për karrierën time profesionale, e cila ishte fokusuar në sistemin gjyqësor. Mbi të gjitha, ajo që më shtyu ta pranoj këtë detyrë ishte ndjesia e identifikimit tim si profesioniste me një grup të tërë profesionistësh, që aspirojnë për një shtet të së drejtës në Shqipëri.
A mund të na thoni, çfarë këshillash ju dha paraardhësi juaj Sollaku, në takimin e fundit kur ju dorëzoi detyrën?
Me zotin Sollaku kam pasur vetëm një takim për dorëzimin formal të detyrës, të pashoqëruar me ndonjë këmbim këshillash.
Në fakt, në raportin tuaj të fundit para Kuvendit, ju mbajtët qëndrim të ngjashëm me paraardhësin mbi tre çështje që çuan në shkarkimin e tij: Çështjet e ekstradimit, të rihapjes së dosjeve të mbyllura me vendim gjykate të formës së prerë dhe lirimi i personave të burgosur pas raporteve mjeko-ligjore për gjendjen e tyre shëndetësore. A mund të thuhet pra, se shkarkimi i Sollakut ka qenë politik? A shihni gjasë që në të ardhmen, edhe ju të akuzoheni mbi të njëjtat baza?
Për vetë rrethanat që raportimi, që bën prokurori i Përgjithshëm përpara Kuvendit ka karakter retrospektiv (që do të thotë se në të pasqyrohet puna e vitit të lënë pas), në rastin konkret unë raportova në seancën dëgjimore që zhvillova përpara Komisionit të Ligjeve, për një periudhë në të cilën organi i akuzës drejtohej nga zoti Sollaku. Për këtë shkak mund të jetë krijuar përshtypja  se unë, për mënyrën e drejtimit të organit të akuzës ndaj të njëjtin opinion me zotin Sollaku. Pa dashur të marr përsipër të bëj vlerësimin e punës së zotit Sollaku, gjë që e konsideroj jo etike, mund të them vetëm që vizioni im në drejtimin e këtij organi është i ndryshëm nga ai i zotit Sollaku dhe ky vizion në të ardhmen do të prodhojë ndoshta, rezultate të ndryshme edhe për këto çështje që ju shtroni në pyetje. Unë nuk mund të paragjykoj se për çfarë veprimesh mund të gjykohem në një të nesërme, prandaj është më mirë t‘ia lemë kohës të vlerësojë për punën time dhe perceptimin që do të ketë e gjithë shoqëria shqiptare për të.
Vetëm katër muaj pas marrjes së detyrës, juve ju desh të përballeni me çështjen e tragjedisë së Gërdecit, që solli edhe zbulimin e aferave në tregtinë e fishekëve. Keni deklaruar se Prokuroria do vijojë punën pavarësisht presioneve. Nga vijnë ato? Në ç‘formë?
Për saktësi unë nuk kam deklaruar se “prokuroria do vijojë punën pavarësisht presioneve”, por se Prokuroria është e vendosur t`i shkojë kësaj çështjeje deri në fund dhe të vërë përpara përgjegjësisë penale çdo person, kushdo qoftë ai. Mund të them se ndoshta me këtë përgjigje sqaroj edhe një herë qëndrimin e organit të akuzës, se edhe në rast se do të gjendemi para presionesh, ne jemi të vendosur ta zbardhim këtë çështje, si edhe të tjerat, deri në fund.
Marrja e çështjes së Gërdecit nga Prokuroria e Tiranës, ngeci pas pamundësisë për të hetuar mbi persona me imunitet (deputeti dhe ish-ministri Fatmir Mediu). Zonja Rama, a mund të ishte vepruar më shpejt; cilat ishin hapësirat që kjo çështje të merrej direkt nga Prokuroria e Përgjithshme, për të shmangur çdo mundësi manipulimi të provave (dokumente, kamera vëzhgimi në Ministrinë e Mbrojtjes etj)?
Në kuptim të dispozitave procedurale penale, Prokuroria e Përgjithshme bëhet kompetente për të hetuar mbi këtë çështje vetëm pasi Prokuroria e Tiranës të kishte arritur në konkluzionin, se për këtë proces duheshin hetuar gjithashtu edhe persona me imunitet. Për këtë shkak, Prokuroria e Përgjithshme u bë kompetente për të hetuar çështjen vetëm pasi Prokuroria e Tiranës e shpalli moskompetencën e saj me arsyetimin se kishte të dhëna që ish-ministri i Mbrojtjes, z.Mediu, ishte person ndaj të cilit duhet të zhvilloheshin hetime. Për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe të një morie problemesh që shtroheshin për zgjidhje në ditët e para pas ngjarjes, nuk mendoj që mund të ishte vepruar më shpejt. Më duhet të risqaroj se veprimet e para të Prokurorisë u përqendruan në drejtim të administrimit të vendit të ngjarjes, për shkak të rrezikut që ai prezantonte edhe në vazhdim; në drejtim personave që humbën jetën apo u plagosën dhe dëmtuan nga tragjedia; në drejtim të sekuestrimit të atyre akteve shkresore që u konsideruan thelbësore dhe që lidheshin drejtpërdrejt me ngjarjen në momentet e para të hetimit. I them të gjitha këto, për të theksuar se prokuroria punoi në ditët e para të ngjarjes në disa drejtime sipas pistave të hetimit që grupi hetimor ngriti për këtë çështje dhe angazhimi i të gjithë prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore ishte maksimal. Megjithatë, pavarësisht nga ky angazhim, për shkak të kontakteve me këto prova, të personave të interesuar për të manipuluar provat, nuk përjashtohet edhe mundësia që të ketë pasur manipulim të tyre.
Si e gjykoni odisenë e këmbimit të dokumentacionit me Kuvendin e Shqipërisë në kuadër të çështjes së imunitetit të zotit Mediu, a kishte tendenciozitet politik ky episod, sipas jush? A mendoni se ishte artikulimi i prerë i ambasadorit amerikan ai që i dhe fund kësaj loje?
Gjykimin dhe qëndrimin tim për këtë odise i kam bërë tashmë publike përmes prononcimeve në shtyp. Mendoj se ndërhyrja e ambasadorit amerikan në këtë proces ishte e rëndësishme. Gjithsesi, nga i gjithë debati, për ne më i rëndësishëm është fakti, që kërkesa e organit të akuzës për heqjen e imunitetit u miratua dhe iu hap rruga hetimit.
Zonja Rama, gjatë prezantimit tuaj, kryeministri Berisha ju cilësoi si “Silvia Konti” e Prokurorisë shqiptare, sipas personazhit të njohur filmik. Opinioni publik shpreson që ju vërtet të luani një rol të ngjashëm, kësaj here në jetën reale, por çështja e Gërdecit dhe afera e fishekëve me kompaninë amerikane AEY, duket se ju ka sjellë në përballje me  kryeministrin. Ç`marrë-dhënie keni sot me kreun e qeverisë? Po me kryetaren e Kuvendit?
Çështjen e Gërdecit unë e shikoj si një çështje kriminale me pasoja tejet të rënda. Për shkak të dimensioneve të saj, me këtë çështje përballet jo vetëm organi i akuzës, por e gjithë shoqëria dhe shteti shqiptar dhe në këtë prizëm, unë mendoj se çdo hallkë e përfshirë në këtë proces është e interesuar të bëjë mirë punën e vet për të sqaruar përgjegjësitë e gjithsecilit në këtë ngjarje. Si prokurore e Përgjithshme unë jam e fokusuar në aspektin penal të kësaj historie dhe çdo përballje mbetet vetëm në aspektin ligjor. Sa u përket marrëdhënieve me kreun e qeverisë dhe kryetaren e Kuvendit, mund t‘ju them se ato kanë të njëjtën natyrë, sikurse erdha në këtë detyrë, pra mbeten institucionale dhe mendoj se të tilla edhe duhet të jenë.
Brenda kësaj teme, është përfolur dikur se emërimi juaj ka ardhur edhe si rrjedhojë e miqësisë suaj me vajzën e kryeministrit që nga koha e shkollës. A mund ta ndriçoni më shumë këtë aspekt?
Kjo është një pyetje e ezauruar, prandaj e tillë është edhe përgjigja: Me vajzën e kryeministrit kemi përfunduar studimet në të njëjtin vit akademik dhe njohja jonë ka qenë dhe ka mbetur vetëm ajo mes studentësh së të njëjtit brez.
Sa i përket “pjesës amerikane” të hetimeve për të dyja çështjet, në çfarë drejtimesh keni kërkuar ndihmë nga homologët përtej Atlantikut; si e vlerësoni bashkëpunimin e deritanishëm?
Prej tyre kemi kërkuar ndihmë që në fillim të hetimit, ndihmë e cila na është ofruar në mënyrë shumë konkrete dhe të drejtpërdrejtë përmes mbërritjes së një grupi ekspertësh profesionistë që hetuan rreth shkaqeve të shpërthimit, si dhe një sërë informacionesh të kërkuara prej nesh për kompaninë SAC. Tashmë ne u jemi drejtuar homologëve amerikanë nëpërmjet një letër-porosie dhe kemi kërkuar prej tyre, në kuadrin e ndihmës së ndërsjellët në fushën penale, kryerjen e një sëre veprimesh që i konsiderojmë të rëndësishme për procesin. Pavarësisht se jemi ende në pritje të përgjigjes, bashkëpunimin e deritanishëm e vlerësoj si serioz dhe të frytshëm dhe konstatoj një gatishmëri të plotë të homologëve amerikanë për të na ndihmuar në hetimin e plotë të kësaj çështjeje.
Ka ngjallur diskutime rokada e fundit e kryer nga ju në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. A keni diçka për të na thënë mbi këtë lëvizje?
Në lidhje me këtë argument dua të sqaroj, se zoti Kosova, për punën e mirë të kryer në drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, është komanduar si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, post i cili në hierarkinë e organit të akuzës qëndron më lart se ai i drejtuesit të Prokurorisë për Krimet e Rënda. Caktimi i zotit Çela me detyrën e drejtuesit të Prokurorisë për Krimet e Rënda është bërë, sepse ai është një prokuror që ka spikatur me profesionalizmin dhe integritetin e tij dhe gjykimi i punës së tij si drejtues mendoj se duhet t‘i lihet kohës dhe do të varet nga rezultatet, që ai do të ketë në këtë pozicion. Së fundi, desha të thosha, që sipas ligjit emërimi i drejtuesve të prokurorive është në kompetencë të prokurorit të Përgjithshëm dhe lidhet me vizionin dhe strategjinë, që kreu i organit të akuzës do të përcjellë në të gjithë sistemin e Prokurorisë.
Zonja Rama, pas kaq muajsh, si ka ndikuar detyra e në normalitetin e jetës së familjes suaj?
Që t‘u them të vërtetën, detyra e re është shumë impenjative dhe normaliteti i jetës familjare ka marrë një formë tjetër, disi të ndryshme nga ai i një familjeje të zakonshme. Gjithsesi, unë bëj përpjekje maksimale, që të jem sa më prezent në familje, duke luajtur rolin që më takon. Megjithatë, mbetem optimiste se në një fazë të mëvonshme, ky normalitet do t‘i afrohet më tepër atij të dikurshmit.
Marrë nga revista “KLAN”

Raportimi i Ina Ramës para komisionit 

Në mbledhjen e zhvilluar në 24 qershor kryeprokurorja Ina Rama “mbrojti” punën e paraardhësit të saj në argumentet e punës së Prokurorisë të cilat u përdorën si shkaqe për shkarkimin e Sollakut nga detyra. Titullarja e institucionit të akuzës raportoi për dy orë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve lidhur me gjendjen e kriminalitetit në vend gjatë vitit 2007 dhe muajve të parë të vitit 2008. Në raportin e paraqitur në Komision nga Ina Rama thuhet se gjatë vitit 2007 puna e Prokurorisë shënoi rritje në kuptimin cilësor dhe sasior të dosjeve të hetuara. Deputeti Xhafaj e pyeti Ina Ramën rreth këtij fakti, ndërsa Kryeprokurorja tha se organi i akuzës ka një dosje të hapur në hetim për gjyqtarët dhe prokurorët që kanë shqyrtuar këto çështje. “Deri tani nuk na rezulton që gjykatat të kenë dhënë vendime të padrejta”, është shprehur Ina Rama, duke mbrojtur në këtë mënyrë indirekt ish-kryeprokurorin Sollaku, si dhe duke rrëzuar një nga akuzat që Ministria e Drejtësisë përdori atëherë për shkarkimin e tij nga detyra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›