E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, lista me 941 ndërtime që përjashtohen

Kush ka ndërtuar pranë linjave të tensionit të lartë apo kabinave elektrike nuk do t'i legalizohet objekti i tij. 

Fabiola Çela

Ekspertët e Inspektoratit Qendror Teknik kanë evidentuar 941 objekte në të gjithë vendin, të cilat janë ndërtuar poshtë linjave të tensionit të lartë apo në një distancë shumë të shkurtër nga kabinat elektrike, zona këto që paraqesin një rrezikshmëri të lartë për jetën e këtyre banorëve. Përballë një situate të tillë drejtuesit e inspektoratit i kanë dërguar një letër Agjencisë së Legalizimeve, ku i kanë kërkuar moslegalizimin e këtyre objekteve. Gazeta boton të plotë listën e objekteve që nuk do të legalizohen.
Inspektorati
Jo pak herë zyrtarë të lartë kanë deklaruar se, nuk do të lejohet më ndërtimi i objekteve pa leje ndërtimi, një gjë e tillë duket se nuk është arritur ende. Kryetari i Inspektoratit Qendror Teknik Ilir Kurti, ka theksuar se: "Vazhdon edhe sot e kësaj dite ndërtimi i godinave pa leje apo kateve poshtë linjave të tensioneve". Për pasojë, ka një numër aksidentesh për prekje linjash ajrore rreth 6 persona në vit nga 0.1 që ka mesatarisht gjithë Evropa. Duke parë se rrezikshmëria për jetën e banorëve është në nivele të larta inspektorati i ka kërkuar ALUIZNI-it që të mos legalizojë këto objekte. "Kemi marrë një përgjigje nga ALUIZNI, që në respektim të ligjit edhe ato kanë pranuar, që nuk do të bëjnë legalizim të këtyre objekteve. Ne kemi njoftuar edhe në Inspektoratin e Ndërtimit, por asgjë s'është bërë, sepse ky shqetësim është në radhë të parë nga punonjësit e KESH-it, të cilët rrezikojnë. Ata mbajnë përgjegjësi për rastet e aksidenteve dhe incidenteve që ndodhin për linjat që kanë nën kontroll, por janë probleme që dalin jashtë kompetencave të këtyre punonjësve. Atyre u kërkohet profesionalizëm, por janë të penalizuar prej aksidenteve", ka thënë Kurti. Sipas tij, strukturat e pushtetit lokal duhet të marrin kompetencat e veta. "Pushteti lokal nuk duhet vetëm që të japë leje, por edhe të heqë leje, në momentin që ka probleme të tilla. Ky është një handikap i madh", ka vënë në dukje ai. Pjesa më e madhe e këtyre objekteve, janë shtëpi banimi dhe janë të ndërtuara në një distancë shumë të vogël nga linjat e tensionit të lartë. Pjesa më e madhe e këtyre objekteve ndodhen në periferi të Tiranës duke qenë se në kryeqytet edhe volumi i ndërtimeve ka qenë goxha më i lartë në krahasim me qytetet e tjera.

Në gusht, lista e pronarëve të rinj që do të marrin tapitë

Në gusht pritet të jetë gati lista e pronarëve, që do të legalizojnë objektet e tyre. Sipas burimeve nga agjencia e Legalizimeve më 1 gusht ALUIZNI do të dërgojë në Këshillin e Ministrave listat me emrat e atyre pronarëve të asaj sipërfaqeje, me të cilën do të fillojë legalizimi. Sipas tyre, ekspertët e agjencisë po punojnë në shumë drejtime nga të 12 qarqet, në zonat informale që janë miratuar dhe nga dita në ditë do të përcaktohet zona. Ndërkaq, në bazë të ligjit deri në tetor duhet të përfundojë shpërndarja e parave për kompensimin e ish-pronarëve, në trojet e të cilëve janë ndërtuar objekte pa leje. Tapitë e para të legalizimeve janë dhënë në shkurt të vitit 2007, ku filloi me zonën e Kasharit, pasi ndërtimet në këtë zonë nuk kishim probleme me pronësinë. Sipas ligjit të Legalizimeve, qytetarët që do të paguajnë brenda 1 viti vlerën e legalizimit për shtëpinë e tyre, do të kenë 10 për qind ulje në çmim, ndërsa ata që do ta paguajnë menjëherë vlerën do të kenë një zbritje 20 për qind të çmimit. Ndërsa mënyra e tretë për të shlyer pagesën e një ndërtimi pa leje, është likuidimi me këste ose nëpërmjet sistemit të kredisë. Ndërkohë, kostoja financiare e shërbimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje është 3000 mijë lekë. Sipas ligjit, pronari i ndërtimit pa leje që në momentin që i legalizohet banesa ka 3 vjet afat për ta paguar atë. Projekti i ALUIZNI-t ka si qëllim që të krijojë lehtësira për të gjithë ata që do të paguajnë brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërsa për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta paguar menjëherë do të përdoret sistemi me këste deri në 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe prona regjistrohet në Hipotekë dhe mbetet në pronësi të shtetit deri në momentin që përfundon pagesa. Qytetarët që do të marrin titujt e pronësisë, nuk do të kenë nevojë të prodhojnë dokumente pronësie, si harta, gen-plane, planimetri, sepse dokumentacioni i pronësisë i dhënë nga ALUIZNI është në përputhje me të gjitha kriteret e duhura ligjore. Gjithashtu, dokumentacioni i pronësisë është i disponueshëm në dy versione, versionin manual dhe atë elektronik, është dokumentacion i certifikuar dhe i zyrtarizuar me të gjitha të dhënat e pronësisë.

Në proces, vetëm zonat e vogla pa dokumente

Është mbyllur tashmë miratimi i zonave informale mbi 5 hektarë. Zonat e tjera janë nën 5 ha dhe miratimi i tyre kryhet nga KRRT e qyteteve përkatëse. Në mbledhjen e fundit të KRRTRSH-së, u miratua legalizimi i 11364 objekteve informale. Nga ky vendim i KRRTRSH-së përfituan 6 qarqe të vendit. Sipas të dhënave nga agjencia e legalizimit deri më tani janë përpunuar 120 mijë pasuri me mbi 5 hektarë me një sipërfaqe ndërtimore prej 3000 ha dhe me një kosto që futet në treg prej 6 miliardë eurosh që janë miratuar në KRRTRSH, ndërsa 80 mijë pasuri të tjera janë në proces legalizimi. Sipas ndryshimeve të bëra në ligjin "Për legalizimin e ndërtimeve pa leje", për pallatet e reja tapitë do të jepen edhe në rastet kur ndërtuesi nuk e ka paguar detyrimin e tij. Sipas variantit të ri të ligjit, legalizimet do të kryhen në favor të blerësit dhe për shoqëritë e ndërtimit do të ndiqen procedurat për shlyerjen e detyrimeve që ka ndaj shtetit. Sipas drejtuesve të ALUIZNI-it me ndryshimet e bëra në ligj është bërë më mira e mundshme për kompensimin e ish-pronarëve. Nëse më përpara i regjistronte pronat dhe pas 6 muajsh niste kompensimi, sipas ligjit tani, njëkohësisht kur nis procedurat e legalizimit fillojnë edhe procedurat e kompensimit. Një ndryshim thelbësor i këtij ligji ka të bëjë me të ardhurit. Për zonat ku ka studime urbanistike, banorët që kanë ndërtuar në këto sipërfaqe do të kalojnë si të pastrehë dhe do të përfitojnë nga programi i qeverisë për të pastrehët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›