E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një "Klasike" galaktike, nis numërimi mbrapsht

Më në fund po vjen momenti i "Klasikes". Sfida e vitit ndërmjet Barcelonës dhe Realit të Madridit ka filluar "të nxehet". Katalanët, ende të pamposhtur në kampionat, shihen si favoritë në duelin e së dielës në La Liga. Kjo edhe prej paraqitjes së të martës në Champions, ku i dhanë një mësim të mirë Interit të Zhoze Murinjos. Dyshja Mesi-Ibrahimoviç është rikuperuar plotësisht dhe duket e gatshme të përballet me skuadrën e yjeve të Florentino Perez, e cila pritet të luajë me treshe Kaka-Benzema-Ronaldo. Një ndeshje që premton spektakël dhe "shkëndija".
Barazimi i fundjavës së kaluar me Bilbaon u kushtoi "blaugranave" kreun e klasifikimit në kampionat, por tashmë skuadra e Pep Guardiolës ka shansin të ngjitet sërish në krye. Një mbështetje e madhe do të jen 90 mijë të pranishmit në "Kamp Nou". Duke folur rreth përballjes, drejtuesi i stolit të Barçës nuk nguroi të ironizonte rivalët e përjetshëm: "Reali mbetet gjithmonë Reali Ata janë një skuadër e madhe. Fakti që janë në krye të klasifikimit nuk më çudit. Për më tepër që kanë shpenzuar 270 milionë euro në merkato: do të ishte një dështim i madh nëse nuk do të arrinin të fitonin ndonjë trofe". Ndërkohë, presidenti Laporta ka "blinduar" yjet: duke filluar nga Andres Iniesta, një prej pikave më të forta të skuadrës. Sipas të përditshmes "Sport", mesfushori 25-vjeçar pritet të rinovojë kontratën deri në vitin 2014 (luan te Barcelona që prej vitit 1996), ndërsa klauzola për prishjen e saj kap shifrën 200 milionë euro. Edhe francezi Erik Abidal ka arritur marrëveshjen parimore për të qëndruar me katalanët deri në vitin 2012 (klauzola për prishjen e kontratës mbetet 90 milionë euro) dhe tashmë do të përfitojë sa Keita dhe Jaja Ture.
Ndeshja e madhe ka bërë që tifozët "merengues" të shpresojnë, por edhe të jenë të shqetësuar. Skuadra e drejtuar nga Manuel Pelegrini ende nuk jep siguri: fitorja 1-0 me Zyrihun ka qenë e treta radhazi me këtë rezultat në shtëpi, pas sfidave me Alkorkonin dhe Rasing (klube që nuk kanë yje në skuadra). Sipas gazetave madrilene, sinjali i vetëm pozitiv është rehabilitimi i Kristiano Ronaldos. Deri më tani, Reali ka shpëtuar falë golave të Higuain, që nga rezervë është kthyer në hero me dy golat e tij. Gjatë sezonit të kaluar, Barça fitoi dy herë, madje në takimin e dytë ata dolën triumfues nga "Santiago Bernabeu", me rezultatin 6-2. "Suksesi kundër Interit në mesjavë ishte shumë i rëndësishëm për ne", tha kapiteni Pujol. "Përpara asaj ndeshjeje rrezikonim të eliminoheshim nga Champions, por tashmë kemi rifituar besimin në forcat tona".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›