Ronaldo: ëndërroj t‘i shënoj 20 gola Barçës
Edhe pse sapo është kthyer nga një dëmtim i gjatë, Kristiano Ronaldo premton se në fushën e Barcelonës do të shihet një betejë e vërtetë. "Është një ndeshje që duam ta fitojmë. Në ëndrrat e mia dëshiroj t‘i shënoj dhjetë apo njëzet gola Barcelonës. Nuk do ta kemi aspak të lehtë, e respektojmë kundërshtarin, por do të bëjmë të pamundurën që të fitojmë", ishin fjalët e mesfushorit portugez. Katalanët konfirmuan edhe një herë forcën e tyre në ndeshjen përballë Interit, por për Ronaldon, Reali nuk do të futet në "Kamp Nou" me synimin për t‘u mbrojtur. "Nuk duhet të kemi frikë që të përballemi me ta, sepse nëse fillojmë të përqendrohemi më shumë në fazën difensive, kjo do të jetë në shërbim të kundërshtarëve. Duhet të luajmë si zakonisht, pasi pres që Barça të na sulmojë, ashtu sikurse bën me çdo skuadër tjetër". Për të provokuar fituesin e fundit të "Topit të Artë", tifozët "blaugrana" kanë përgatitur një parullë të madhe, me imazhin e fanellës së Barcelonës të sezonit 1996-1997 me numrin 9; pra fanella e brazilianit Ronaldo. Aty do të shkruhet: "Ekziston vetëm një Ronaldo, dhe nuk është portugez". Për ta ka pak rëndësi që "Roni" ka luajtur edhe me fanellën e Realit. Kundërpërgjigjja për Kristiano Ronaldon ka ardhur nga Zlatan Ibrahimoviç, i cili nuk nguroi t‘i hidhte benzinë zjarrit. Suedezi është i entuziazmuar përpara ndeshjes së parë në "El Clasico", dhe e cilëson këtë si "duelin më të bukur në botë". "Po luajmë shumë mirë. Kemi një skuadër shumë të fortë dhe jam i sigurt se do ta fitojmë derbin me Realin", shtoi Ibra. "Te Barcelona luajnë të gjithë lojtarët më të mirë në botë dhe për këtë arsye duhet të punojmë shumë. Janë të shumtë futbollistët që dëshirojnë të vijnë këtu, por pak të tillë ia dalin...".