E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Mbi 1.4 milion aplikime për karta

 

Një ditë pas mbylljes së afatit zyrtar të aplikimit të qytetarëve për kartat e identitetit, Ministria e Brendshme bën publike shifrat e para lidhur me këtë proces. Në një konferencë për shtyp kreu i kësaj ministrie, Bujar Nishani tha se deri në ditën e fundit kanë aplikuar mbi 1.4 milion qytetarë. “Deri ditën e djeshme, kur ka qenë afati i fundit për të aplikuar për letërnjoftimin elektronik për ata shtetas, që nuk disponojnë një pasaportë, pra që nga mesi i muajit janar kur nisi ky proces dhe deri dje, u paraqitën dhe aplikuan për letërnjoftimet elektronike 1,402.000 shtetas shqiptarë”. Sipas tij: “Nëse kanë aplikuar 1,402. 000 qytetarë, këto kapacitete kanë qenë për 2.5 milionë  qytetarë shqiptarë. Gjithashtu, do të desha që nga dita e sotme dhe deri në ditën e zgjedhjeve t’u bëja thirrje të gjithë qytetarëve që kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike dhe që ende nuk i kanë marrë nga zyrat e gjendjes civile, të paraqiten sa më parë për t’i tërhequr ato”, tha Nishani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›