E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika, konsensus për zgjedhjen e presidentit me shumicë të thjeshtë

Komisioni parlamentar i Ligjeve, i mbledhur dje pasdite, mori në shqyrtim ndryshimet Kushtetutese të propozuara nga PD, në lidhje me zgjedhjen e Presidentit, mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe mocionin ndaj kryeministrit. Në këtë drejtim, ligjet diskutuan gjatë dje kryesisht për këto çështje të rëndësishme të propozuara nga partia më e madhe në mazhorancë, por nuk kanë marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm në komision, kryesisht përfaqësues të partive të vogla parlamentare. Dy partitë e mëdha PD dhe PS, dolën në mbështetje të këtyre propozimeve, në mënyrë të vecantë duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, duke pranuar që zgjedhja e Presidentit t’i nënshtrohet në Kuvend shumicës së thjeshtë, 50 + 1. Megjithatë, deputetët e PD-së, Dashnor Sula, Pal Dajçi dhe Sali Shehu u shprehën se janë në mbështetje të parimeve demokratike, por do të preferonin që ndryshimet kushtetues të orientohen më tepër të favor të popullsisë për zgjedhjen e Presidentit. Votimi në parim ka kaluar me shumicën e votave të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, megjithatë pritet që në seancën e sotme të punimeve të komisionit, të përcaktohen edhe detajet lidhur me raundin e votimit kur procesi do të shpallet i dështuar, pra kur parlamenti do të shpallet i paaftë për ta zgjidhur kryetarin e shtetit, edhe me shumicë të thjeshtë të votave. Formalisht, deputetët e mazhorancës propozuan që dështimi të shpallet vetëm në raundin e pestë, ndërkohë që deputetë e Partisë Socialiste sugjerojnë që ky formalitet të shkurtohet e vendimi të shpallet që me dështimin e votimit të tretë. Sërish dje, seanca plenare e punimeve të Komisionit të Ligjeve ka konfirmuar vendimin politik të pjesës më përfaqësuese të Kuvendit të Shqipërisë për ta ndryshuar sistemin zgjedhor e për të kaluar tek sistemi zgjedhor proporcional. Përfaqësuesit e dy partive të mëdha e kanë mbështetur dhe miratuar këtë model zgjedhor, megjithë kundërshtimet e fuqishme të përfaqësuesve të partive të vogla, që gjithsesi ishin të pranishëm në mbledhje. Sipas parashikimeve, detaje teknike do të vijojnë të diskutohen gjatë gjithë javës, megjithatë pritet që paketa e ndryshimeve kushtetuese të kalojë për votim në seancë plenare të hënën e ardhshme, dhe jo më vonë.
 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›