E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/Eris Hoxha: Zgjedhja e presidentit me shumicë të thjeshtë shmang krizat politike

Zoti Hoxha, në cilësinë e njërit prej anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, si
i komentoni debatet e fundit që po zhvillohen rreth Reformës Zgjedhore?
Dy janë problemet kryesore që reforma zgjedhore duhet të trajtojë: bashkënevoja apo domosdoshmëria për ndryshim që vjen si pasojë e kontestimit të herëpashershëm të zgjedhjeve që janë zhvilluar në Shqipëri në këto 17 vjet dhe e dyta është për të shmangur të ashtuquajturin fenomen të Dushkut, vërejtur këto vitet e fundit. Propozimi i ardhur nga Partia Socialiste për sistemin proporcional rajonal, adreson pak a shumë të dyja këto probleme. Për mendimin tim, është një sistem që përputhet me realitetin shqiptar, tenton të favorizojë të paturit një elektorat të konsiderueshëm dhe nuk përjashton partitë që kanë një elektorat por që nuk është elektorat për ata që janë në minorancë si parti politike. Mënyra se si po diskutohet aktualisht, është mënyra e vetme sesi mund të dikutohet nje reformë zgjedhore, pasi në bazë të rezultateve të fundit zgjedhore PS dhe PD kanë shumicën dërrmuese të elektoratit në Shqipëri. Këto dy parti po negociojnë, kuptohet duke marrë parasysh dhe pretendimet e aleatëve, për t`i dhënë vendit një sistem, i cili të jetë i pakontestueshëm në zgjedhjet e 2009-s.

Partia Demokratike, i ka paraqitur Kuvendit të Shqipërisë një paketë reformash për ndryshime në Kushtetutë, gjë që ka hapur mjaft debate ditët e fundit. Ju si i gjykoni këto ndryshime?
Propozimet që ju përmendët kanë të bëjnë me politikën e PD-së duke filluar nga viti 2005 e këtej. Kjo nuk është një çështje kardinale, pasi të gjithë e kemi pranuar që është absurde situata që Prokurori i Përgjithshëm në Shqipëri është pa mandat dhe është pothuajse i pavarur nga ç`do lloj pushteti tjetër. Është një pushtet i pestë po ta quajmë kështu dhe kjo gjë është e formuluar në Kushtetutën aktuale. Kërkesa jonë për mandate, pavarësisht se kush ka qenë Prokurori, as fakti që kemi një prokurore të re që ka pak muaj, pra nuk ka
të bëjë me individin, ka të bëjë me institucionin. Kjo vërteton më së miri se që në fillimet tona të hershme, kemi qenë për një institucion që të funksionojë dhe jo për një mandat të pavarur që arrin në atë faze, ku mjafton të kujtojmë situatën kaotike të para disa muajve. Përsa i përket mocionit të besimit ndaj kryeministrit, është një rregullim që i ka munguar Kushtetutës shqiptare apo institucionit parlamentar shqiptar, është një mekanizëm që çdo vend me demokraci të zhvilluar e ka. Le t`ia japim dhe ne këtë kompetencë kryeministrit, në mënyrë që kur të vijë puna për ligje thelbësore të këtij vendi, apo qoftë dhe për një klimë politike që kërkon liri, një ribesim të mazhorancës apo një ribesim të Kryeministrit që është në këtë institucion ta përdorë këtë mekanizëm, mekanizëm që vlen për çdo lloj Kryeministri në vendet e zhvilluara. Për këtë arsye nuk shoh asnjë arsye, pse mos ta ketë dhe Kryeministri i Shqipërisë. Përsa i përket zgjedhjes së Presidentit, ka ardhur koha që ne, për sa kohë themi se jemi Republikë Parlamentare, nuk mund të kushtëzojmë mandatin e një qeverisjeje 4-vjeçare, me zgjedhjen qe ka të bëjë me Presidentin e radhës. Kjo mund të bëhet në dy mënyra. Mund të bëhet me mënyrën që është rënë dakord midis palëve, të paktën nga negociatat paraprake, pra me një raund të tretë ose të pestë, kjo varet si do të bien dakord, ku 71 apo gjysma e deputetëve të Kuvendit zgjedhin Presidentin. Propozimi tjetër është që Presidenti të zgjidhet nga populli, pra ta ndajnë zgjedhjen e Presidentit nga mandati 4-vjeçar i Kuvendit, në mënyre që të mos kemi kriza si ato që ndodhën në korrikun e 2007-s. Të gjitha këto ndryshime garantojnë një stabilitet qeverisës.

A jeni konsultur brenda grupit të PD-së, pasi disa nga deputetët e grupit tuaj parlamentar janë shprehur se nuk kanë qenë në dijeni për këtë paketë reformash?
Ka pasur disa konsultime por për mendimin tim duhej të kishte konsultime më të shumta, pasi nga mënyra se si dolën këto propozime, u duk sikur nuk ishim diskutuar më pare.
Është e vërtetë që ka qëndrime të ndryshme në grup, të cilat ngrenë probleme që duhen parë nga shumë këndvështrime. Ne do të vijojmë me diskutime të mëtejshme, duke qenë se kemi rënë dakord në parim, për 3 amendamente për sistemin zgjedhor. Do të vijojmë me propozimet tona, për të parë se cili është versioni më i mirë, versioni që i kënaq në shumicë të gjithë grupet e interesit brenda Kuvendit. Jemi duke punuar për të gjetur zgjedhjet më të mira. Si parim kemi rënë dakord se duhen bërë ndryshime me konsensusin e opozitës, për të arritur këto ndryshime kushtetuese që janë të domosdoshme. Unë nuk bëj pjesë tek grupi i njerëzve, që e konsiderojnë Kushtetutën si të paprekshme. Duke pasur parasysh Kushtetutën shqiptare, e cila është një ndër Kushtetutat më koherente dhe më të qarta që mund të ekzistojnë. Gjykoj se duhet të ketë më shumë debat publik, në lidhje me ndryshimet, pasi jo të gjithë mendjet e zgjuara janë në Kuvendin e Shqipërisë sot. Ka shumë profesionist dhe konstitucionalistë që mund të mos jenë në Kuvend dhe që opinionet e tyre, mund të jenë të vlefshme në lidhje me ndryshimet që janë paraqitur.
 Bisedoi Silvana Tresa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›