E Hënë, 2 Nëntor 2026

Politika shqiptare përshëndet vendimin e Bashkimit Europian

TIRANE- Numri 2 i qeverisë dhe kryediplomati Ilir Meta e ka vlerësuar vendimin e Bashkimit Europian si një hap të madh të vendit tonë me Europën. Meta pohoi se vendimi i hap rrugë angazhimeve edhe më të mëdha ku më kryesorja është dialogu politik dhe dhënia fund e revanshit, sikundër cilësoi ai qëndrimin e muajve të fundit të opozitës.
“Është e drejta e opozitës të bëjë protesta por mendoj se në një moment të tillë historik edhe opozita si qëllim kryesor të saj duhet të ketë kontributin për procesin e integrimit europian dhe që padyshim i fton të gjithë të bëhen më të ëprgjegjshëm e më të arsyeshëm” u shpreh Meta.

Vendimi i Bashkimit Europian është cilësuar si i vonuar nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.
“Është një lajm i mirë për ne të gjithë, edhe pse si të gjitha lajmet që vijnë nga Europa për Shqipërinë është i vonuar, jo për shkak të europianëve apo shqiptarëve por për shkak të atyre që keq qeverisin Shqipërinë. Kemi mbetur të fundit në Ballkan që ende nuk lëvizim dot pa viza, kemi mbetur kaq larg Europës kur liritë dhe të drejtat kërcënohen dhe shkelen si ska më keq.” theksoi Rama.

Kryesocialisti në një takim me veteranë për 65 vjetorin e clirimit të kryeqytetit tha se ndonse është lajm i mirë vendimi i BE është i vonuar për shkak të keqqeverisjes së Shqipërisë.

Ndërkaq thirrje ndaj opozitës për ti dhënë fund bojkotit vijnë edhe nga selia blu. Kreu i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi tha se opozita ka rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në realizimin e reformave që na afrojnë me Bashkimin Europian.
“endimi i djeshëm i BE është një thirrje e fortë që PS të rishikojë vendimin e saj. Sot e ftojmë opozitën që të bashkëpunojmë sërish në parlament dhe kudo tjetër duke garantuar se do të trajtojmë me seriozitet cdo kërkesë ligjore të saj” theksoi Patozi në një konferencë për mediat.

Ndërkohë ditën e premte PS deklarohet e vendosur për të nisur protestën e saj afatgjatë në mbrojtje të votës së 28 qershorit. Sipas socialistëve , kokëfortësia e qeverisë ëpr të mos hapur kutitë dëmton imazhin e transparencës për një proces zgjedhor të denjë për një vend që synon anëtarësimin në BE dhe lëvizjen e lirë në vendet e Europës.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›