“Politika te reflektojë ndaj apeleve që bëjnë ndërkombëtaret”

Flet Petrit Vasili, zv/kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim
Lëvizja Socialiste për Integrim ka vlerësuar me shumë qetësi dhe objektivitet zhvillimet më të fundit të klimës politike shqiptare. Zv/kryetari i LSI, Petrit Vasili përmes një konference për shtyp deklaroi se konstatohet “me keqardhje një radikalizëm ekstrem të kësaj klime, shpesh artificiale dhe të panevojshme, gjë e cila ka ngarkuar me tensione por edhe me akte të panevojshme jo thjesht dhe vetëm politikën, e cila në disa raste mund t’ia lejojë vetes instrumente të tillë si dhe t’i shpërdorojë instrumente të tillë, por se nga ngarkuar akoma edhe më keq mijëra dhe qindra-mijëra qytetarë pikërisht me tensione të panevojshme dhe njëkohësisht me retorika të ngarkuara politikisht dhe emocionalisht, krejtësisht në mënyrë të panevojshme. Këto retorika dhe ky radikalizim ekstrem ka bërë që në mjaft raste momente tepër të rëndësishme të tilla sikurse është axhenda e integrimit nga njëra anë dhe përgatitja me një ritëm të lartë, me intensitet por edhe me një mirëkuptim e bashkëpunim të zgjedhjeve të ardhshme në anën tjetër, të mbeten në plan të dytë”. Sipas tij, fushata e ardhshme zgjedhore kërkon gjithashtu përpunimin e thellë të alternativave të cilat bindin qytetarët për të mirën e këtyre alternativave dhe nuk kërkon gara protagonizmi politik të cilat përveçse ngarkojnë artificialisht situatën nuk japin zgjidhje të asnjë problemi por njëkohësisht rrënojnë dhe besimin e komunitetit ndërkombëtar tek ne, qoftë komunitetit ndërkombëtar politik, komunitetit ndërkombëtar të biznesit por edhe kujtdo në përgjithësi i cili do ta shikonte Shqipërinë si një vend tërheqës, jo vetëm për të bërë investime në këtë vend i cili ka kaq shumë nevojë për to por edhe për ta parë atë si një vend që evropianizohet. Ndër të tjera, zëvendëskryetari LSI-sw, Vasili bëri apel që institucionet e të gjitha niveleve, ato të politikës , të ligjit, qeveria, të gjitha agjencitë e tjera që janë në shërbim të qytetarëve, shoqëria civile dhe të gjithë së bashku duhet të jenë në sinkron për çështjet e mëdha që i bashkojnë dhe njëkohësisht duhet të jenë tërësisht të ndara e të baraslarguara nga konfliktualitete të cilat shpërqendrojnë nga objektivat themelorë. “Në mënyrë përfundimtare ne do të kërkonim dhe kërkojmë që axhenda e integrimit të mos ndryshojë dhe tre ligjet, që janë një kusht për fitimin e statusit të vendit kandidat, të ecin përpara me miratimin e tyre dhe nuk kanë pse të bëhen pengesë për këtë proces jetik të shqiptarëve dhe hapjes së tyre drejt Europës, hapjes drejt Europës të shqiptarit të thjeshtë por edhe të shqiptarit të biznesit i cili ka nevojë për komunikim dhe për këto vlera që globalizimi prodhon. Së dyti gjithçka që do të duhet, të gjitha llojet e kompromiseve politike, të cilat krijojnë dhe mundësojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe realizimin e standardeve që sot, sepse këto standarde nuk mund të realizohen javën e fundit, të vihen në dispozicion të politikës dhe politika të vihet në dispozicion të tyre”, vijoi z.Vasili.
Në fund të deklaratës së tij, zv/kryetari i LSI nënvizoi se politika duhet të vazhdojë të tregohet gjithmonë e më e hapur, më e vëmendshme dhe më dëgjuese edhe e opinionit që vjen nga shoqëria civile por edhe të qytetarëve vetë. “Vetëm në këtë mënyrë do të prodhohet ajo politikë, e cila prodhon qeverisje të mirë, së cilës qytetarët i besojnë, duke kthyer normalisht besimin tek politika si një instrument i pazëvendësueshëm dhe duke e bërë atë një politikë për qytetarëve. Ne si LSI do të jemi në dispozicion të plotë vetëm të kësaj politike që mundëson të eci më shpejt procesi i integrimit, të eci më shpejt realizimi i standardeve të mira për zgjedhjet, të eci më shpejt zgjidhja e mjaft problemeve të qytetarëve, të ecin më shpejt të gjitha shërbimet që qytetarëve u ofrohen, të eci më shpejt politika e mirë në vend të politikës së egër dhe të konfliktualitetit”, përfundoi ai.