Politika u uron festën e Sulltan Nevruzit besimtarëve bektashinj shqiptarë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë Teuta Topi, ka vizituar Selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë me rastin e festës së Sulltan Nevruzit. Kryetari i Shtetit i ka përcjellë Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhit, urimet më të mira për të gjithë besimtarët bektashinj në përkujtimin e ditëlindjes së profetit Imam Aliu që lidhet me ringjalljen e jetës dhe me shpresën për ditë më të mira. “U thashë gëzuar të gjithëve, sepse ne gëzojmë festat e të gjithëve, që presupozon në mënyrë shumë të qartë harmoninë fetare. Është një ditë kur mbi sakrificën ngrihet paqja dhe ne jemi popull që kemi sakrifikuar shumë në momente të ndryshme dhe në këto momente jemi në një çast kur duhet të përballojmë një sakrificë të fortë në funksion të kapërcimit të kësaj tragjedie dhe pasojave që ka lënë ajo dhe jam i bindur duke pasur dhe një lloj inspirimi nga ajo që jep pikërisht kjo ditë”, - tha Topi. Ndërkohë, urime kanë bërë edhe kryeministri Berisha si dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
24 Mars 2008