Të prekurit e Gërdecit, sot publikohet vlerësimi financiar
Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa mori pjesë dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Vorës ku bëri të ditur se vlerësimi financiar i dëmeve pritet të përfundojë ditën e diel në darkë. Oketa bëri të ditur dje se në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Vorës janë miratuar listat me emrat e familjeve që do të përfitojnë dëmshpërblimin prej 50 mijë lekësh për person, i cili mund të arrijë deri në 200 mijë lekë për familje. “Në qytetin e Vorës janë hapur pesë sportele pranë Postës Shqiptare që mund të bëjnë shpërndarjen e këtij fondi për çdo familje”, - tha Oketa. Duke u ndalur në punën që po bëhet për vlerësimin financiar të dëmeve nga ngjarja e 15 marsit në Gërdec, zëvendëskryeministri Oketa tha se 5 grupet vlerësuese dhe ekspertët janë të atashuar pranë Shtabit të Emergjencës në Vorë dhe po bëjnë vlerësimet e objekteve të fundit të mbetura pa vlerësuar. Sipas tij, po punohet gjithashtu nga Enti Kombëtar i Banesave me 20 grupe pune për nxjerrjen e vlerësimeve financiare të dëmit.
24 Mars 2008