E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika uron Pashkën katolikëve

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi zhvilluan sot një vizitë në Selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës në Tiranë. Me këtë rast, gjatë takimit me Imzot Rrok Mirditën, Presidenti shprehu kënaqësinë e veçantë të kësaj vizite në një ditë të shënuar të festimit të një prej ngjarjeve më të rëndësishme të fesë katolike, ringjalljes së Jezu Krishtit, dhe u drejtuan urimet më të mira e më të ngrohta mbarë besimtarëve katolikë shqiptarë, kudo ku ata jetojnë, me rastin e Festës së Pashkëve.

"Të mos kemi rast të shohim me shumicë shprehje të egoizmit, që i shohim ndoshta shpesh në mjediset e politikës ku dëshira për pushtet, shpeshherë lë prapa atë që është më e rëndësishme për misionin e politikës: kujdesin për qytetarin”, tha midis të tjerash kreu i Shtetit.

Takim në selinë katolike zhvilloi sot edhe kryeministri Sali Berisha. Pas daljes nga selia e Ipeshkvisë, Berisha tha se Pashka këtë vit është e veçantë pasi është edhe viti jubilar i 100 vjetorit të pavarësisë. “Është në detyrimin e mbarë shqiptarëve të përulen me nderimin më të madh para rolit të jashtëzakonshëm që udhëheqësit e klerit katolik, mysliman, ortodoks kanë luajtur këto 100 vjet në konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë. N.q.s shkojmë në vitet 12 apo atyre viteve shqiptarët nuk duhen të çuditen që do të gjejnë në historinë e tyre burra viganë, të klerit katolik që bënë gjithçka për formimin e shtetit shqiptar, për Shqipërinë e pavarur, të cilët përdorën të gjithë fuqinë e tyre nga senati dhe kongresi amerikan gjer në Vatikan tek Selia e Shenjtë që Shqipëria të bëhej e pavarur. Ironia ishte se jo rrallë këta burra përballeshin jo më vetëm me ata që e kundërshtonin këtë pavarësi, por edhe me politikan të zhveshur nga çdo moral shqiptar”, tha Berisha.

Urime dha edhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila i uroi katolikët nga nga Katedralja  “Shën Pali” në kryeqytet. “Jam sot këtu për t’i uruar Shkëlqesisë së Tij, Imzot Rok Mirditës, besimtarëve  katolikë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, kudo që jetojnë, gëzuar Pashkët”, tha Topalli. "Pashka është një premtim dhe Zoti sjell ringjalljen tek seicili prej nesh në mënyrën spirituale dhe se sa e rëndësishme është për të menduar dhe për të kontribuar me dashuri, me tolerancë dhe mirëkuptim dhe me besimin se gjërat janë bërë mirë, mund të bëhen më mirë dhe do të bëhen më mirë", tha Topalli.

Urime përcolli edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili me këtë rast zhvilloi një takim me Imzot Rrok Mirditën në katedralen e Shën Palit. “Gëzuar Pashkët të gjithëve! Urime për gjithë ata duan që të dëgjojnë urimet më të mira për këtë festë. Qytetarët sa më pak të dëgjojnë nga ne qe flasim perdite aq më bukur kalon festa. Uroj ta kalojnë këtë ditë sa më bukur e sa më qetë”, tha Rama. /Start/

                                                                                             2012-04-08 14:39
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›