E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikane dhe intelektuale boterore per Greqine

T’i japim më shumë kohë Greqisë për të shpëtuar Euron! Kërkohet më shumë fleksibilitet dhe më shumë shpirt i kompromisit! Është ky apeli i drejtuar liderëve europianë dhe botërorë i firmosur nga 50 personalitete të politikës, ekonomisë dhe kulturës, me qëllim që BE dhe FMN të shfaqin më shumë mirëkuptim dhe më pak ashpërsi ndaj Athinës. Apeli është publikuar në edicionin on line të së përjavshmes gjermane Der Spiegel. Mes firmëtarëve sipkasin emrat e disa personaliteteve të larta  si ish ministri i Financave gjermane Hans Eichel, ish presidenti finlandez Martti Ahtisaari, ish kryeministri belg Jean Luc Dehaene, ai hungarez Gordon Bajnai, apo italianët Giuliano Amato dhe Emma Bonino. Ka firmosur në këtë apel edhe financiare i madh ndërkombëtar George Soros.
Apeli i këtyre personaliteteve shfaqet si një kritikë e qartë ndaj liderëve kryesor të linjës së fortë ndaj Greqisë duke filluar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe drejtoresha e FMN Christine Lagarde. Ndërsa Greqia është në përpjekje për një qeveri të re, thuhet në dokumentin e firmosur, shumë në Europë  mendojnë se Kontinenti do të jetë mjaft i fortë për të kufizuar infektimin  në rast se Greqia del nga monedha e përbashkët. Por apeli tregon të kundërtën. Sipas 50 emrave të lartë të ekonomisë dhe politikës botërore, një dalje e Greqisë do të shkaktonte një ndarje të hapësirës euro, e cila do të conte në një recesion të thellë dhe në një krizë të re financiare globale, do të shkatërronte fuqinë e Europës dhe rolin e saj në imazhin botëror.
Për këtë vijon dokumenti, “u bëjmë apel liderëve politikë në Europë, u kërkojmë atyre t’i japin Greqisë mundësinë t’i kthehet një trajektoreje të rritjes së qëndrueshme brenda Eurozonës. Rregullat ekstreme pa një kompromis mund të cojnë në falimentim. Athina ka nevojë për kohë, dhe taksat që u paguan kreditorëve europianë  duhet të reduktohen, mundësi të tilla mund të bëhen në këmbim të një angazhimi më të mirë për reformat. Si Greqia ashtu edhe partnerët e saj duhet të bëjnë sakrifica, por kjo ja vlen në emër të idesë së një Europë më të begatë”, përfundon apeli i emrave më të njohur të ekonomisë, fiancave dhe politikës botërore.  Në të njëjtën linjë qëndrojnë edhe kritikat e ish kancelarit gjerman Gerhard Schröeder, i cili në një intervistë të tij i drejtohet kancelares Merkel se, ajo që Berlini i imponon Greqisë nuk ka sens as politik dhe as ekonomik.
Merkel mendon vetëm në terma elektoral dhe gabohet. Ajo që bën qeveria gjermane duke i thënë Greqisë se duhet të bëjë njëkohësisht reformat dhe politikat shtrënguese, nuk ka asnjë kuptim, thotë Schröeder, duke shtuar se “Greqia ka nevojë për më shumë kohë për t’i dhënë Athinës më shumë shance. Asnjë qeveri demokratike mund të kryej reforma strukturore paralelisht me aplikimin e një politike kursimesh, një gjë e tillë do të shkaktonte tensione të rënda sociale”, shprehet ish kancelari gjerman. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›