E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikanet shprehin deshirat per vitin 2012

26/12/2011  Presidenti i Republikës u uron Krishtlindjet edhe besimtarëve myslimanë

Krerët e shtetit kanë shfrytëzuar kremtimet për Krishtlindje për të shprehur dëshirat e tyre për vitin e ardhshëm. Kështu, Presidenti në largim Bamir Topi përcolli dje urimin e tij për dialog, komunikim e arritje për Shqipërinë. Pas vizitës në Kishën Ortodokse Presidenti i Republikës theksoi se Krishtlindja është simbol i paqes dhe duhet të shërbejë si refleksion për të gjithë. “Kjo ditë është simbolika e lindjes së paqes dhe shpresës, ka nevojë për refleksion. Viti që vjen të jetë i mbushur me dialog, komunikim dhe arritje për Shqipërinë. Dëshiroj të uroj jo vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por kudo ku jetojnë, pasi kudo që janë zemrën e kanë te Shqipëria dhe e ardhmja e saj”, - tha dje Topi. Ndërsa pas vizitës në selinë e komunitetit të katolikëve Presidenti e vuri theksin te harmonia fetare në vend dhe uroi Krishtlindjen edhe për besimtarët myslimanë. “Simbolikë më të bukur se kjo unë nuk besoj se mund të gjej dot në këtë ditë, kur të gjithë i urojnë festën njëri-tjetrit dhe të gjithë urojnë për një Shqipëri më të mirë”, – u shpreh Topi.

Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, urimin e saj e përcolli nga Kisha Ortodokse, ku u shpreh se shqiptarët kanë bërë të munduar të pamundshmen. “Krishtlindja është një ditë që inspiron për të bërë të mundur atë që u është dukur e pamundur”, - tha Topalli. Më tej kryeparlamentarja shtoi: “Këto janë festa të mbushura me gëzim. Po të reflektojmë se çfarë është Krishtlindja, më shumë se çdo gjë tjetër është kapërcimi i së pamundurës. Uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë: gëzuar!”- deklaroi dje Topalli.

Ndërkohë Kryeministri Berisha, duke iu drejtuar besimtarëve të krishterë, por dhe të gjithë shqiptarëve, shprehu urimet e tij për besimtarët ortodoksë e të krishterë shqiptarë dhe për gjithë besimtarët e Zotit, që siç u shpreh ai, nderojnë këtë ditë, aktin më madhor të jetës së shoqërisë njerëzore: lindjen, aktin më të mrekullueshëm. “Nderojmë jo vetëm lindjen, por lindjen e një burri që do të martirizohej, flijohej për të ndriçuar mendjet e njeriut. Le të falënderojmë Zotin për ndihmën e tij të madhe që u ka dhënë dhe u jep shqiptarëve, të cilët festojnë sot këtë ditë më mirë se kurrë në historinë e tyre. Le të urojmë bashkërisht që Krishtlindjen tjetër ta festojmë më të begatë, më mirë, më afër ëndrrave tona”, - uroi dje Berisha.

Rama uron Krishtlindjet nga Korça

“Kurajë për ata që spërballojnë dot jetesën”

Kryetari i Partisë Socialiste zgjodhi Kishën Ortodokse të Mitropolisë së Shenjtë në Korçë për tu uruar të gjithë shqiptarëve mbarësi, fat dhe sukses. “Përfitoj nga rasti tu uroj të gjithë shqiptarëve mbarësi, fat, shëndet, sukses dhe mbi të gjitha kurajë të gjithë atyre që nuk janë pak janë shumë, që janë të pamundur, të sëmurë, të papunë, në pafuqi për të përballuar vështirësitë e rritura të një jete gjithnjë e më të shtrenjtë”, - u shpreh Rama. Njëkohësisht në mesazhin e ti kryetari i socialisteve shprehu besimin e tij për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. “Ajo çka vlen vërtet të thuhet dhe në hirin e kësaj dite është se kuraja dhe besimi pa dyshim mund të çojnë përpara jo vetëm secilin, por dhe të gjithë shoqërinë tonë dhe unë jam i bindur se kështu do të ndodhë”, nënvizoi Rama. Kreu i PS-së, Edi Rama në këtë vizitë ishte i shoqëruarga bashkëshortja Linda Rama dhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi.

Ndërkohë që në vizitën e tij dy ditore në qytetin e Korçës, Rama ishte shoqëruar nga bashkëshortja Linda si dhe fëmijët Greg dhe Rea, duke preferuar kështu që të festojnë krishtlindjen në qytetin e mbuluar me dëborë.

Papa uron në gjuhën shqipe

Papa Benedikti i XVI u ka uruar dje besimtarëve katolikw në mbarë botën festën e Krishtlindjes. Papa ka dhënë mesazhin e urimeve nw 65 gjuhë të Botës, përfshi këtu edhe gjuhën shqipe. “Për shumë vjet Krishtlindjen!” – uroi papa Benedikti XVI. Në meshën e njohur si Urbi et Orbi” të zhvilluar në sheshin Shën Pjetër në Vatikan, Papa ka lëshuar mesazhe për paqen dhe humanizmin.

Balla si Obama

Deputeti socialist Taulant Balla si urim të tij me rastin e Krishtlindjeve për besimtarët e krishterë shqiptarë ka preferuar të përdorë mesazhin e urimit të Presidentit amerikan Barack Obama. “Po ndaj me ju urimin e Presidentit amerikan Barack Obama për Krishtlindjet. Një urim shumë kuptimplotë dhe që i drejtohet të gjithëve pavarësisht besimit fetar.” – thotë Balla në faqen e tij zyrtare në facebook.

Blendi Klosi

“Krishtlindjet janë dita e besimit të madh dhe unë do doja tju uroja të gjithë atyre të cilët janë të pafuqishëm këtë ditë të gjejnë tek Krishtlindjet besimin e tyre. Të gjithë atyre që janë të sëmurë, të gjithë atyre që janë të pazotë përballë çmimeve të larta të këtij momenti të gjejnë besimin tek dita e Krishtlindjeve”, ishte urimi i deputetit socialist Blendi Klosi.

Mimi Kodheli

“Jam veçanërisht e lumtur sot që më jepet mundësia të mund të uroj për shumë vjet Krishtlindjet të gjithë bashkëqytetarëve shqiptarë kudo që janë. Ky është një urim që del nga zemra për të gjithë familjet shqiptare, më së pari për të sëmurët, për ata që kanë probleme sociale, për ata që janë të papunë, për ata që nuk mbyllin dot muajin.”, tha Kodheli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›