E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikat dhe interesat shtetërore

Të mbledhur në Nju Jork, për të marrë pjesë në sesionin e 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Kosovës, Sejdiu, dhe Presidenti i Serbisë, Tadiç, zhvilluan takime të ndarë me homologët e tyre të rajonit. Sejdiu u shpjegoi atyre arsyet përse duhet të njohin e mbështetin Pavarësinë e Kosovës. Tadiç, nga ana e tij, u kërkoi liderëve të Malit të Zi dhe të Maqedonisë mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e nismës serbe në Asamblenë e OKB-së. Shpjegimi që u bëri Sejdiu krerëve të shteteve të sipërpërmendur u përcoll nga media, por pa efektin që pasoi kërkesën e Tadiç. Kërkesa e Presidentit të Serbisë i dha menjëherë rezultatet; deklarimet zyrtare shtetërore të Malit të Zi dhe të Maqedonisë për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, megjithëse nuk u mohuan, u shtynë në afate.

Nën trysninë e pushtetit politik të Beogradit mbi Podgoricën dhe Shkupin gjatë ekzistencës rreth 70-vjeçare të ish-Jugosllavisë, por edhe për arsye të ndjeshme të karakterit ekonomik, social, tradicional, etnik, gjuhësor dhe fetar, liderët e Malit të Zi dhe të Maqedonisë iu larguan njëherazi deklarimeve të mëparshme zyrtare për njohjen prej këtyre shteteve të Pavarësisë së Kosovës. Pas takimit me Boris Tadiç në Nju Jork, Presidenti i Malit të Zi, Vijanoviç, që ishte shprehur ta njihte shumë shpejt shtetin e Kosovës, deklaroi se "Mali i Zi nuk do të vendosë asgjë deri në fund të tetorit, kur do të mbyllë punimet Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara".

Në dallim nga ndryshimi i kursit malazez për afatin e njohjes së shtetit të Kosovës, ndryshimi i kursit qeveritar maqedonas tingëllon paradoksal. Sipas deklarimit të Kryeministrit të Maqedonisë Gruevski, njohja e Pavarësisë së Kosovës duhej të qe bërë 10 ditë më parë. Por, më 23 shtator, një ditë para se Tadiç t‘i bënte thirrje komunitetit ndërkombëtar për mosnjohjen, Gruevski deklaroi shtyrjen e aktit për njohjen e shtetit të Kosovës në pritje të situatave më të përshtatshme politike ndërkombëtare. Në pritje të "ditëve më të mira", autoritetet maqedonase njoftuan më 22 shtator, që ishte deklaruar si data e përfundimit të shënimit të vijës kufitare Kosovë-Maqedoni, se ky proces pritet të marrë fund nga mesi i muajit nëntor. Dhe justifikimin e këtyre dy veprimeve e bën Presidenti Cervenkovski, duke deklaruar nga Nju Jorku: "Isha më shumë se i bindur se sot (bëhet fjalë për datën 24 shtator - shënim) do t‘ju komunikoja njohjen e Kosovës si shtet por, për fat të keq, Qeveria Maqedonase na informoi se vendimi do të shtyhet edhe për pak kohë".

Stepja e dy republikave ish-jugosllave fqinje me ne, që e njohin mirë të shkuarën dhe të sotmen e "problemit" të Kosovës dhe që duhej të ishin ndër të parat shtete, krahas Sllovenisë dhe Kroacisë si njohëse të Pavarësisë sonë, ka disa arsye të karakterit historik, tradicional, etnik, gjuhësor, ekonomik, social etj. Ndër këto mori arsyesh të pleksura me njëra-tjetrën, do të veçoja:

Së pari, interesat shtetërore të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Janë dy shtete, anëtarë të vonshëm të bashkësisë ndërkombëtare, që për këtë arsye kanë dhe mbajnë së pari, në vëmendje sigurinë në vend dhe në rajon. Nisur nga ky interes prioritar shtetëror, këto dy shtete (liderët e tyre) u stepën pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë, në "Reuters" për pasojat e refuzimit nga Kombet e Bashkuara të kërkesës serbe për mosnjohjen e shtetit të Kosovës: "Mendoj se pasojat e një refuzimi nga Kombet e Bashkuara nuk ndiheshin vetëm nga Serbia dhe rajoni, por nga e gjithë bota. Sinjali do të ishte shqetësues; nëse doni të zgjidhni një problem, përdorni forcën, sepse kjo është rruga e zgjidhjes". Të përballur me këtë kërcënim deklarativ, liderët politikë malazezë dhe maqedonas natyrshëm do të stepeshin.

Së dyti, interesat ekonomike të këtyre dy shteteve. Gjithë fijet ekonomike, të trashëguara nga ish-Jugosllavia, duke filluar nga produktet e deri tek infrastruktura ndërlidhëse, vazhdojnë të mbajnë gjallë njëfarë varësie të Podgoricës dhe Shkupit nga Beogradi.

Së treti, lëvizjet demografike të ndodhura gjatë 70 viteve të ekzistencës së ish-Jugosllavisë mes etnisë sllave. Serbë, malazezë e maqedonas janë vendosur, punojnë e jetojnë edhe prej dekadash në territoret e këtyre tre shteteve. Malazezët kanë dhe mbajnë poste në administratën e lartë serbe; serbët kanë një peshë të konsiderueshme edhe si qytetarë në Mal të Zi dhe respektohen e preferohen nga ekzekutivi qeverisës edhe në Maqedoni. Etnia sllave, gjuha e përafërt dhe besimi fetar kanë mundësuar martesat, nipat dhe mbesat e përbashkëta mes serbëve, malazezëve dhe maqedonasve.

E megjithatë, me gjithë arsyet e parashtruara, liderët e politikës në Mal të Zi dhe në Maqedoni duhet të zgjidhin dhe të vendosin për të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen. Mesazhi është i qartë, njohja prej tyre e shtetit të Kosovës parakupton integrimin e tyre në BE dhe në NATO; hezitimi, për të mos thënë kundërshtimi, i bie ndesh së sotmes dhe së ardhmes së këtyre dy shteteve tanë fqinjë. Shqiptarë ka edhe në Serbi, edhe në Mal të Zi edhe në Maqedoni. Ne, nga vendet fqinje nuk kërkojmë llogari të karakterit demografik, por kërkojmë dhe dëshirojmë atë që është më së shumti edhe në interes të tyre; njohjen zyrtare të shtetit të Kosovës, pas 50 njohjeve të tjera.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›