E Diel, 1 Nëntor 2026

Neurologu del nga koma: Nuk e njoh njeriun që më nguli thikën

Mjeku neurolog, Kosta Koçi, i cili u plagos rëndë me thikë mbrëmjen e së hënës, ka dalë jashtë rrezikut për jetën. Ndërhyrja e shpejtë e kolegëve ka bërë që mjeku të dalë jashtë rrezikut për jetën. Gjatë natës, ai ka dalë nga gjendja e komës dhe tashmë mjekët shprehen optimist për gjendjen shëndetësore të 65-vjeçarit. Sipas tyre, ai duhet mbajtur nën kontroll me qëllim të mos rrezikojë komplikacione nga goditjet e marra me thikë.

Nga ana tjetër, policia vijon hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje, ndërsa burimet zyrtare nga policia kanë konfirmuar se është vënë në dispozicion një shumë prej 300 mijë lekësh për personin që do të japë informacione të vlefshme për identifikimin dhe arrestimin e autorit të kësaj ngjarjeje.

Policia ka shoqëruar disa persona, që kanë qenë të pranishëm në vendngjarje, por ende nuk ka një version të qartë për ç‘ka ndodhur. Gjithçka mbi hetimin pritet të zbardhet në momentin që mjeku Kosta Koçi do të jetë i vetëdijshëm për të dhënë dëshminë e tij për ngjarjen, pasi duket se ai është i vetmi person që e ka parë agresorin. Kur ka dalë nga koma, mjeku ka treguar me vështirësi ato aspekte që i kujtoheshin nga ngjarja. Ai tha se agresori ishte një djalë zeshkan, rreth 30 vjeç, i gjatë, për të cilin nuk ishte i sigurt nëse e kishte parë më parë. Mjeku ka treguar gjithashtu se agresori i ka hedhur dorën në qafë për ta bllokuar dhe ka filluar ta qëllojë me thikë disa herë. Nga këto goditje, 65-vjeçari ka marrë disa plagë në trup, në pjesën e majtë, ku më problematike mbeten plaga në grykë, ku u dëmtua një venë, si dhe një plagë në sqetull.

Pyetjet e policisë për mjekun kanë qenë të pakta dje, për shkak të pamundësisë fizike të tij për të folur me detaje rreth ngjarjes.

Aktualisht mjeku ndodhet në sallën e reanimacionit të Spitalit Rajonal të Vlorës, ku i qëndrojnë pranë familjarë dhe ruhet gjatë gjithë kohës nga forcat e policisë.

Bashkëshortja dhe djali i mjekut nuk pranojnë të flasin për ngjarjen, duke thënë se gjithçka ia kanë lënë në dorë policisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›