Politikë, kam bërë edhe me rep
Flokët e gjata dhe veshjet e repistit tani janë një kujtim i fiksuar në klipet super të para të grupit “Ritmi i Rrugës”. Ai, së bashku me mikun e vet, Arbërin do të vazhdonin të na dhuronin të tjera hite, nëse një detyrë më e madhe nuk do ta shkëpuste Memli Krasniqin nga muzika! Megjithatë, edhe pse sot ndodhet në postin e Ministrit të Kulturës së Kosovës, ai e ndjek me të njëjtën vëmendje muzikën. Dhe madje në këtë intervistë për gazetën “Mapo”, nënvizon se ajo çfarë i duhet më shumë asaj janë mesazhet sociale apo politike. Gjë të cilën Memli e bëri dikur. Mjafton të kujtojmë këngë si: “Përjetësisht”, “Rinia e humbur”, “E nesërmja vjen shpejt”, etj. Por përsos kujtimeve, në këtë bashkëbisedim tonin, Memli tregon edhe marrëdhëniet e tij të afërta me kryeministrin Hashim Thaçi, mbështetjen e madhe që i jep Meliza, bashkëshortja e tij, malli i përditshëm që ndjen për vogëlushen Bora, me të cilën kalon pak kohë dhe planet për pushimet verore…
Zoti Krasniqi, personalisht kam qenë një fansja e juaj dhe ashtu si shumë të tjerëve, më vjen keq që nuk ju shohim më si artist. Ju vetë ju tundon kënga?
Së pari, gëzohem që e keni pëlqyer muzikën e “Ritmi i Rrugës”. Ne kemi mëtuar që përmes këngës të komunikojmë me të gjithë shqiptarët, por në radhë të parë me të rinjtë. Edhe pse tashmë kanë kaluar
vite që merrem me politikën dhe kam edhe përgjegjësi institucionale gjatë këtyre viteve, padyshim se kënga dhe muzika në përgjithësi mbetet një pjesë shumë e rëndësishme e jetës time dhe padyshim që
ndjej tundime të momentit, për të vazhduar me ketë krijimtari.
Cilat janë raportet tuaja sot me muzikën? Vazhdoni të shkruani apo impenjimet politike jua kanë marrë plotësisht kohën?
Realisht nuk mund të them se tash kam ndonjë angazhim apo një aktivitet konkret në muzikë. Mund të them se mbetem një dëgjues apo një përcjellës i trendeve, për aq sa më lejon koha, por ka kaluar një
kohë e gjatë që realisht nuk jam marrë shumë as me shkrime dhe as me inçizime.
Me këngët tuaja dikur i keni bërë apel politikes, sot që jeni pjesë e politikës, ju trembin kritikat që mund t’iu vijnë nga këngëtarët?
Absolutisht jo. Në fakt, konsideroj se do të ishte shumë mirë sikur krijuesit, këngëtarët, grupet e ndryshme të krijonin këngë të cilat trajtojnë tema sociale dhe politike, shumë më shumë sa bëjnë tani. Ju e dini, ne përmes muzikës tonë jemi munduar që të ndikojmë edhe në zhvillimet sociale, politike ose së paku të përqafojmë mesazhet tona, idetë tona për ato zhvillime. Andaj edhe tranzicioni im nga muzika në politikë nuk ka qenë i panatyrshëm, sepse në një formë ose tjetrën, unë edhe përmes muzikës time jam munduar që të bëj politikë.
Në festivalin “Video Fest”, keni qenë i ftuar për të dhënë çmimin e festivalit. Çfarë ndjesie përjetoni kur jeni në evente muzikore?
Jam ndjerë shumë mirë, që edhe një herë u ngjita në skenën e “Video Festit”, edhe pse rëndom aty jam ngjitur për të marrë shpërblime duke përfshirë edhe shpërblimin kryesor në vitin 2005 për këngën
“Përjetësisht”. Por, këtë vit si ministër kisha një ndjesi tjetër, gjithsesi të mirë, por mund të them shumë sinqerisht më mirë jam ndjerë kur jam ngjitur në atë skenë si artist.
Sot jepen mjaft çmime. “Ritmi i Rrugës” ka marrë aq sa ka merituar në këtë drejtim?
Mendoj se çmimin më të madh që ka marrë “Ritmi i Rrugës” ka qenë mbështetja dhe përkrahja nga fansat e shumtë, qofshin në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni apo në diasporë, kudo në shtetet ku jetojnë
bashkatdhetarët tanë. Realisht prej vitit 2005 ne jemi pasivizuar si “Ritmi i Rrugës” dhe deri atëherë ka pasur shumë më pak manifestime apo organizime, apo evenimente të karakterit garues dhe shpërblyes,
por ato gjithsesi e kanë relevancën e vet dhe ne kemi marrë një numër të konsiderueshëm të çmimeve, por më duhet ta ripërsëris se shpërblimi më i madh ka qenë inkurajimi dhe mbështetja e fansave tonë.
Diku keni thënë se keni në plan të realizoni diçka sërish në muzikë. I qëndroni kësaj ideje dhe keni në plan të bëni albumin e tretë me grupin?
Realisht unë asnjëherë nuk mund të them se kurrë më nuk do të bëj diçka të re sepse muzika, siç e thashë, mbetet pjesë e rëndësishme e personalitetit tim. Është e vërtetë se ne kemi një numër të
konsiderueshëm të këngëve në studio, në këto pesë-gjashtë vitet e fundit, të cilat disa janë përfunduar, disa të lëna në gjysmë, disa janë përpunuar e ripërpunuar. Por është e vërtetë se ne asnjëherë nuk
kemi gjetur kohë për t’iu përkushtuar finalizimit të një materiali të plotë dhe kompakt, që do të mund të publikohej. Gjithsesi, unë ende besoj se në një moment të caktuar ne do të publikojmë diçka për fansat
tonë, të cilët edhe sot e kësaj dite na shkruajnë dhe na kontaktojnë dhe presin që ne të bëjmë diçka të re.
Si janë raportet tuaja sot me muzikantët?
Unë kam raporte shumë të mira me kolegët e mi, edhe me ata që kanë një karrierë më të gjatë, por edhe me këta që janë më të ri, që kanë filluar ndoshta pasi që ne jemi tërhequr nga skena. Raportet tona janë njerëzore, kolegiale dhe miqësore para se gjithash. Por tani edhe nga pozicioni im zyrtar si ministër i Kulturës, pa dyshim se kam edhe një përgjegjësi shtesë ndaj të gjithë krijuesve dhe performuesve, duke përfshirë edhe njerëzit e muzikës.
Me kolegët e grupit, çfarë marrëdhëniesh keni sot? Si janë angazhimet e tyre?
Unë dhe Arbëri para se gjithash jemi miq të vjetër dhe shokë të ngushtë. Muzika ka qenë vetëm një prej elementeve që na ka lidhur. Ne kemi shkuar bashkë në shkollë fillore dhe të mesme. Kemi edhe shumë
Gjëra të tjera që na lidhin. Normalisht kemi raporte jashtëzakonisht të mira edhe familjare, tashmë të dy jemi të martuar dhe kemi krijuar familjet tona. Edhe unë edhe Arbëri kemi nga një vajzë të vogël.
Planifikojmë të shkojmë edhe në pushime verore bashkë, kështu që gjithçka rrjedh normalisht sikur edhe në kohën kur kemi qenë bashkë në grupin “Ritmi i Rrugës”
Po flokët e gjatë sot ju duken të largët apo keni mall për to?
Realisht janë bërë më shumë se pesë vite kur unë i kam shkurtuar flokët. Ka qenë kjo pas një periudhe më shumë se 10-vjeçare, që i kam pasur të gjata. Nuk ka qenë ndonjë vendim i lehtë, por që tash nuk mund të them se kam ndonjë mall ose nostalgji për to.
Veshjet rep i përdorni në ditët pushim apo edhe ato janë në valixhen e së kaluarës?
Mund të them se të gjitha ato rroba janë në valixhen e së kaluarës meqë nuk e kam as kohën, as hapësirën por edhe as ndjenjën për t’i veshur prapë.
I ndiqni grupet muzikore në Kosovë? Kush është i preferuari juaj?
Padyshim mundohem që t’i ndjek trendet e reja dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur me nivelin e krijimtarisë dhe produksioneve që po bëhen në këto vite. Jo vetëm në rep/skenë, por edhe në skena të tjera. Do të ishte vështirë që t’i ndaj vetëm disa meqenëse më të vërtetë është fakt që mua më gëzon shumë, që ka rep grupe dhe performues që janë shumë të mirë. Por ka edhe një ringjallje të rock skenës, veçanërisht të rock-ut alternativ, gjë që e vlerësoj shumë meqë këto vitet e fundit dominimi kryesor ka qenë i performuesve të Rep-it, Pop-it dhe RnB-së.
A bëjnë ata po aq muzikë të mirë sa ju?
Mendoj se bëjnë muzikë shumë të mirë. Nuk e di se si do të mund ta vlerësonim meqenëse tash edhe evoluimi që ka ndodhur në repin që sot krijohet e bën të vështirë krahasueshmërinë. Por ajo që mund të them është se nëse në kohën kur ne kemi krijuar mes viteve 1995 dhe 2005 në mënyrë aktive kemi qenë në trend dhe modern, dhe kemi trajtuar tema të cilat kanë qenë tema të kapshme për të gjithë, atëherë mund të thuhet se në këto vitet e fundit, në këtë kohë të tashmë ndodh e njëjta gjë me shumë prej këtyre performuesve, gjë që konsideroj se është një vazhdimësi tepër e rëndësishme dhe e mirë se ardhur.
Duke qenë se jeni ministër i Kulturës, a janë të shumtë ata që kërkojnë mbështetje nga ministria juaj?
Pa dyshim se Ministria e Kulturës, si në Kosovë, Shqipëri dhe të gjitha vendet e rajonit, shihet si një institucion nga i cili kërkohet ndihmë e madhe në kuptimin financiar për subvencionimin e projekteve të shumta. Dhe gjithsesi fondet edhe këtu janë të limituara, por megjithatë për çdo vit, Ministria e Kulturës në Kosovë arrin që të subvencionojë financiarisht mbi 200 projekte në fushën e kulturës dhe po ashtu, një numër shumë të madh të projekteve në fushat tjera që i mbulojmë, siç janë aktivitetet rinore, trashëgimia kulturore dhe sporti.
Keni bërë “armiq”, nëse mund t’i quajmë kështu, kolegë e ish-kolegë si ministër?
Absolutisht jo dhe në fakt unë mendoj se ish-kolegët e mi dhe miqtë e mi të tashëm, meqenëse miqësia vazhdon, ndjehen mirë me faktin që unë jam në këtë pozicion, pasi i njoh edhe problemet dhe sfidat e po ashtu i di edhe kërkesat e komunitetit të cilat pa dyshim duhet të adresohen.
Vlerësoheni si krah mbështetës i zotit Hashim Thaçi. Raportet tuaja janë vetëm ato që ka vendosur hierarkia, apo keni edhe miqësi me të?
Tashmë është bërë një periudhë mjaft e gjatë, që unë punoj ngushtë dhe nga afër me Kryeministrin, Hashim Thaçi, dhe gjithsesi relacioni ynë nuk është vetëm zyrtar dhe profesional por edhe miqësor.
Meliza sa ju mbështet në punën tuaj? A bisedoni në shtëpi për politikën?
T’ju them të drejtën, po të më pyetnin para dhjetë vjetësh do të thosha se nuk besoj në thënien “pas çdo mashkulli të suksesshëm qëndron një grua”, por tashmë mund t’ju them se ka shumë të vërtetë në këtë thënie, meqë Meliza është jashtëzakonisht krah i fortë mbështetës për mua dhe për familjen, dhe mirëkuptimi i saj, mbështetja dhe kurajoja e saj, është pa dyshim meritë e veçantë për suksesin tim.
Gjithsesi, ne bisedojmë për të gjitha temat e këtu as politika nuk bën përjashtim.
Ju keni një vajzë Bora, kush e ka zgjedhur emrin e saj? Sa kohë kaloni me të?
Unë e kam zgjedhur emrin e Borës, pasi kam dashur të jetë një emër shqip dhe një emër i shkurtër. Ajo që mund të them dhe që e përsëris shpesh me të gjithë ,është se gjëja e vetme që më mundon në punën që e bëj, është mungesa e kohës për t’ia kushtuar Borës, meqenëse pothuaj në mesatare unë punoj 12 orë në ditë. Shkoj në mbrëmje në shtëpi, para se Bora të bie në gjumë e nganjëherë ndodh që vonohem edhe më shumë, për shkak të punëve, dhe realisht më mbetet fare pak kohë për të kaluarën me Borën, përveç nëse kam fatin që të jem i lirë gjatë uikendeve. Por shpresoj se ajo do ta kuptojë këtë kur të rritet, edhe pse realisht nevoja për të kaluar më shumë kohë me të, është mjaft e madhe për mua.
Keni bërë plane për pushime?
Nuk kam bërë ende një plan final, por tentativisht shpresoj se gjatë muajit gusht, të marr dhjetë ditë pushim dhe të bëj plazh me Melizën dhe Borën, si dhe me dikënd nga miqtë tonë.