E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eli Fara me atmosferë dasmash

Nga Express më 03 gusht 2011 në ora 14:16

Vera është stina e dasmave. Prandaj nuk është aspak e rastit atmosfera që sjell artistja e madhe e muzikës popullore, Eli Fara, në këngën e saj të re “Kush e ndezi dasmën”. Një këngë që i kushtohet momentit të festimit në martesë të një dashurie, shkruar nga Jorgo Papingji. Dhe për të Eli është e kënaqur pasi falë insistimit të saj të gjitha instrumentet në këngë janë ‘live’. Më tej klipi i realizuar nga “MaxProdaction” e përshkruan më së miri këngën.

Por në këtë klip Eli vjen edhe mjaft e kuruar në look dhe me veshje që dallojnë nga një skenë në tjetrën. “Kush e ndezi dasmën” vjen pas një tjetër kënge dasme, “Dasma e madhe”, që u kthye në hit verës që shkoi, të interpretuar nga Eli me këngëtarin nga Kosova, Sinan Vllasaliu, ndërsa këngëtarja premton se në vjeshtë do të sjellë një baladë. Por, në këtë bisedë për gazetën “Mapo” këngëtarja Fara komenton edhe një deklaratë të saj të fundit, që është bërë objekt diskutimi në lidhje me mëmësinë.

Eli, vini me një klip të ri këtë verë, me një këngë kushtuar dasmës. Përse sërish me këtë motiv, apo i shkon verës, stinës së dasmave?
Është e vërtetë që jemi në stinën e dasmave dhe në verë patjetër që shkojnë këngë të gëzuara. Dhe cili është gëzimi më i madh në verë?! Pikërisht çifti që martohet. Kështu lindi ideja që në këtë verë të kishte një këngë për këtë tematikë, ku kënga mbështetet te motivet popullore të komplet Jugut, jo vetëm korçare. Ka motive labe, çame, ndërsa interpretimi është korçar.

“E qëllimshme” kjo për t’iu përshtatur të gjithëve?
Sigurisht edhe për t’iu përshtatur të gjitha këtyre zonave, por edhe sepse më pëlqejnë këto motive dhe janë të bukura në fakt. Prandaj e gjej të rastit të falënderoj edhe bashkëpunëtorët e mi. Kënga është realizuar në studion e Edi Balilit, me të cilin kemi komunikuar gjatë për të përzgjedhur motivet, ndërsa tekstin e ka bërë Jorgo Papingji. Insistimi im ishte që kënga të realizohej e gjitha me instrumente ‘live’ dhe kështu ka ndodhur, nuk ka elektronikë në të, lahuta, violina, dajre dhe pjesëmarrja e tre klarinetistëve të shquar ka bërë që kënga të tingëllojë më bukur. Gjithçka është punuar me kujdes dhe rezultati është ai që shihni.

Kënga ka disa javë që transmetohet në kanalet muzikore, si ka qenë vlerësimi i saj?
Jam shumë e kënaqur, në fakt. Ka marrë urime të mira, kënga ka tingëlluar këndshëm.

Për sa i përket veshjeve, look-ut dhe hapësirës që realizohet kripi, ka qenë gjithçka ideja juaj?
Veshjet sigurisht që kanë qenë idetë e mia për t’i përzgjedhur, me flokët kam luajtur disi dhe më pëlqejnë edhe të mbledhura klasike, për sa i përket vendit ka qenë ekipi i MaxProdaction, të cilët edhe realizuan klipin, që zgjodhën atë ambient të gjelbëruar të Pezës për të xhiruar klipin.

Edhe një vit më parë keni pasur një duet dasme me këngëtarin nga Kosova Sinan Vllasalliu. Kjo këngë është si një vazhdimësi e suksesit të asaj kënge?
Sigurisht. Meqë ajo ishte një këngë mjaft e veçantë dhe që pati mjaft sukses si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, unë në kënaqësinë e asaj kënge vazhdova edhe këtë këngë.

Këngët e dasmës janë edhe më të preferuara Eli, në ambientet ku këndoni?
Po, besoj se të gjitha këngët popullore në përgjithësi këndohen në dasma. Këngët popullore që i flasin bukurisë së vajzës dhe dashurisë së çiftit, këngët me sevda dhe që përfundojnë në dasmë janë të vetëkuptueshme që janë pjesë e repertorit të pranueshme në çdo ambient,

Për sa u përket koncerteve verore, i keni nisur tashmë dhe e keni provuar këngën tuaj të re në këto ambiente?
Sigurisht që ka filluar. Por kam qenë e ftuar edhe në disa dasma, kështu që ka qenë e kuptueshme të këndoja dhe këngën “Kush e ndezi dasmën”. Dhe le të themi që ky ka qenë një promovim që unë e kam marrë reagimin menjëherë, pasi ka qenë testimi live. (mapo)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›