Reagon MEGA: PBDNJ është minorancë në minoritet
Deklaratat e bëra mbrëmjen e 22 prillit në emisionin “Top Story”, ku kanë qenë të ftuar Vangjel Dule e Vasil Bollano, kanë ngjallur reagimin e krerëve të “Mega”-s, partisë më të re të minoritetit. Kundër akuzave dhe sulmeve të bëra në adresë të kësaj krijese të re, duke u përpjekur ta paraqesin atë si një parti të partisë në pushtet, ata sqarojnë pozicionin e vërtet të tyre, përmes një deklarate për shtyp. “Tendenca për ta paraqitur si lëvizje të partisë në pushtet, për të përçarë minoritetin etnik grek, është e dështuar”, shprehen ata në deklaratë. Këtë ata e argumentojnë edhe me faktin që firmosja e akt-themelimit të partisë është bërë nga intelektualë të rinj, të pavarur, të afirmuar dhe të papërfshirë në politikë. Sipas deklaratës, është vetë PBDNJ dhe lidershipi i saj që kanë “ndihmuar” dhe nxitur krijimin e partisë MEGA, pasi ajo “erdhi si rezultat i mungesës së demokracisë funksionale në gjirin e grekëve të Shqipërisë”, ku sipas tyre, “nuk janë respektuar as elementët bazë të demokracisë, siç është dialogu, transparenca dhe respektimi i mendimit ndryshe”. Deklarata shprehet se “PBDNJ aktualisht përbën minorancën në minoritetin etnik grek”. Drejtuesit e MEGA-s shprehen se Vangjel Dule “spekulon në ekstrem me emrin dhe ndjenjën e minoritarëve për organizatën e tyre simbol, që është OMONIA”. Për krerët e MEGA-s, problemet thelbësore që shqetësojnë minoritetin etnik grek ka vite që kanë dalë nga axhenda e PBDNJ-së, ndërkohë që vërejnë se deklaratat dhe epitetet e përdorura në emisionin televiziv, i kaluan kufijtë e demagogjisë së përhershme. “Ata që kanë mbjellë përçarjen në minoritet, duke i ndarë minoritarët në të majtë dhe të djathtë, në patriotë dhe tradhtarë, nuk mund të bëhen garantë të demokracisë”, thuhet në deklaratën e krerëve të MEGA-s. “Për ata, minoriteti etnik grek në Shqipëri ka folur nëpërmjet votës dhe e ka atë mençuri që të gjykojë mbi përfaqësuesit e tij të vërtetë”. Prandaj synimi kryesor i partisë MEGA është përcaktuar rivendosja e rregullave demokratike në gjirin e minoritetit etnik grek, rregulla të cilat i kanë munguar prej kohësh. Edhe një herë jepet siguria që partia MEGA do të jetë një parti e të gjithë grekëve të Shqipërisë, pavarësisht bindjeve dhe do t’u japë mundësi atyre të zgjedhin me metoda demokratike përfaqësuesit e tyre.
#