Vdes në aksident dy ditë para dasmës dhëndri 24 vjeç
Axhem Resuli do të martohej të dielën. Një ditë më parë kishte shkëmbyer puthjen e fundit me bashkëshorten e ardhshme, ndërkohë që dje me të ishte përshëndetur vetëm nëpërmjet telefonit. Siç tregojnë të afërmit dhe miqtë e tij, Axhemi e kishte përshkuar disa herë dje rrugën nga Patosi në Fier. Kishte lëvizur shpesh për t’i bërë një dhuratë surprizë vajzës me të cilën do të lidhte kurorë të dielën. Por pa arritur ta përmbushte angazhimin që kishte marrë, u përfshi në një aksident rrugor që i mori jetën. Aksidenti ndodhi rreth orës 17:10, në aksin rrugor Fier-Ballsh, në vendin e quajtur “çezma e Mbyetit”, rreth tre kilometra larg Fierit. Automjeti i 24-vjeçarit Axhem Resuli, një “Volksëagen Passat” me targa MK2915A, është përplasur me një kamion teknologjik të tipit “Iveco”. Në momentin e përplasjes ai ka qenë duke u kthyer nga Fieri në Patos. Dëshmitarë të vendit të ngjarjes tregojnë se ndërsa ka kaluar një distributor, makina e 24-vjeçarit ka kaluar në sheshin e një pike që shet goma dhe më pas ka tentuar të parakalojë mjetin që kishte përpara. Parakalimi nuk është realizuar dhe për pasojë makina e tij është përplasur me kamionin e rëndë, që shkonte në kah të kundërt me të, në drejtim të Fierit. Ndërhyrja e policisë pas aksidentit ka qenë e shpejtë, ndërkohë që mësohet se Axhem Resuli ka gjetur vdekjen menjëherë pas përplasjes fatale. Nga makina ai është nxjerrë nga persona të rastësishëm. Më pas është dërguar në morgun e spitalit të Fierit, nga ku është tërhequr prej të afërmve që ishin përgatitur për dasmë, jo për mort. Dhimbjen kësaj ngjarjeje ia shton jo vetëm mosha e re, por edhe ceremonia e dasmës që do të zhvillonte të dielën Axhem Resuli. Ekspertë të policisë së qarkullimit rrugor deklarojnë se shkak i aksidentit ka qenë pikërisht viktima. Për shkak të ngarkesës së madhe gjatë javës, ai ka qenë i pavëmendshëm në timon dhe ka humbur kontrollin e mjetit.
#