Pollo: 180 mln USD për ndërtimin e rrugëve

Ky fond i jepet qeverisë shqiptare në formë granti apo huaje të butë nga Bashkimi Evropian, bankat zhvillimore evropiane. Është financimi i dytë, pas atij të parit, që ka qenë në vlerë 107 milionë USD, i mbështetur gjithashtu nga institucionet ndërkombëtare zhvillimore, me të cilin janë realizuar apo janë duke u realizuar 304 km rrugë dytësore dhe lokale në të gjitha qarqet e vendit si psh: Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës; Urë e Gorricës-Mbreshtan-Sinjë, në qarkun e Beratit; Lezhë-Vau i Dejës në qarqet Shkodër dhe Lezhë, e plot të tjera, u shpreh ministri i Shtetit, Pollo.
Ai shtoi se me realizimin e këtyre investimeve bërë i mundur avancimi në programin e qeverisë për ndërtimin e 1500 km rrugë rajonale dhe lokale, kosto e të cilit është afro 400 mln USD.
Pollo shtoi se objektivi i programit është përmirësimi i shërbimeve kryesore dhe tregjeve ekonomike nëpërmjet sigurimit të rrugëve të përshkueshme gjatë gjithë vitit për popullsinë.
Në plan të parë është përmirësimi i seksioneve prioritare të rrjetit rrugor rajonal si dhe përmirësimin e seksioneve prioritare të rrjetit rrugor lokal.
Ky objektiv përfshihet në objektivat e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013, u shpreh Pollo.
m.xh/NOA